
Më 14 maj 2017 në hapësirat e xhamisë shqiptare në Cyrih, ku si imam shërben hfz. Nebi ef. Rexhepi, Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër (UISHZ) organizoi seminarin e dytë me radhë, pas atij në Aarburg që u mbajt më 30 prill, me temën boshte “Kundër ekstremizmit dhe fanatizmit të dëmshëm fetar”.
Në të morën pjesë afro 50 të rinj dhe të rritur nga Zvicra qendrore dhe lindore, respektivisht nga xhamia e Rebsteinit, e St. Gallenit, e Wetzikonit, e Cyrihut, e Regensdorfit, e Schwamendingenit dhe e Affoltern am Albisit.
Ligjërues ishin sërish mr. Rejhan Neziri, i cili ligjëroi në gjuhën gjermane në temën “Radikalisierung muslimischer Jugendlicher im Westen – Prozess und Herauforderungen” (Radikalizimi i të rinjve muslimanë në Perëndim – procesi dhe sfidat) dhe dr. Bashkim Aliu i cili ligjëroi në temën: “Ekstremizmi, shkaqet dhe evitimi. Një qasje nga këndvështrimi islam”.
Ne si UISHZ do të vazhdojmë edhe më tej me seminare të këtilla jo vetëm me të rinjtë por edhe me njerëz të profileve të ndryshme nga radhët e xhematëve tona këtu në Zvicër.
I falënderojmë përzemërsisht ligjëruesit tanë për angazhimin dhe kontributin e tyre të vyeshëm si dhe nikoqirët e dy seminareve: Xhaminë shqiptare të Aarburgut dhe atë të Cyrihut.










