Më 11 nëntor 2017, e shtunë, pas namazit të jacisë, në xhaminë shqiptere në Regensdorf, u mbajt një program me rastin e përmbylljes së leximit të Kur’anit (hatmesë) nga ana e 6 nxënesve që kanë ndjekur në Mektebin e xhamisë, nën kujdesin e hoxhës, Mr. Ferit Zeqirit.
Si zakonisht, programin e filloi imami i xhamisë, Ferit ef. Zeqiri, i cili, fillimisht, foli për punën dhe rëndësinë e mbarëvajtjes së mësimit në Mekteb, pranë xhamisë së Regensdorfit.
Imami njoftoi, gjithashtu, se ky grup prej gjashtë vetëve, ishte grupi i tretë që në vitin 2017 bënin hatme, që donë të thotë se gjithsej këtë vit kishin mbaruar hatmenë e Kur’anit 31 nxënës.
Më pas vijoi programi i përgatitur nga nxënësit e hatmesë së Kur’anit, ku në fillim, secili prej tyre, para të pranishmëve, lexuan disa pjesë nga Kur’ani fisnik, kurse më pas programi ishte i pajisur edhe me recitim të poezive, ilahive, leximi i sureve të shkurtra etj.
Pos programit me talebetë e hamtes, imami kishte përgatitur me nxënës të tjerë të Mektebit edhe një program të larmishëm fetar, me ç’rast pjesa e Kuizit, la një përshtypje të thelle tek të pranishmit. Pyetjet me përmbajtje fetare, historike dhe kombëtare, ishin zgjedhur me shumë urtësi, ndërsa përgjigjet e drejta dhe të shpejta të nxënësve ishin akoma më impulsive.
Në këtë mbrëmje, në mbështetje të aktivitetit mori pjesë edhe teologu dhe imami i xhamisë El-Hidaje në St. Gallen, Hfz. Mehas Alija, njëherit edhe Sekretar i Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër. Ai, përveç që përcolli urimet e kryetarit të UISHZ-së, Mr. Nehat ef. Ismailit në lidhje me aktivitetin në fjalë, foli edhe rreth temës që ka të bëjë me përgjegjësinë e njeriut ndaj Kur’anit fisnik, respektivisht rreth asaj se si duhet të jetë rrugëtimi i njeriut me Kur’anin.
Në fund, u kënduan edhe suret e fundit të Kur’anit nga talebetë e hatmes, ndërsa imami i xhamisë, Ferit ef. Zeqiri, bëri edhe duanë e hatmesë.
Të gjithë nxënësit pjesëmarrës në program u pajisën me dhurata të posaçme të përgatitura nga kryesia e xhamisë, ndërsa gjashtë nxënësve të hatmes, iu nda edhe nga një certifikatë për mbarimin e hatmes së Kur’anit.
Pas leximit së duasë së hatmes, xhemati dhe mysafirët patën mundësi të kalonin edhe disa çase në ambientet e xhamisë, gjegjësisht në kafiterinë e saj, ku shijuan ushqimet tradicionale dhe ëmbëlsirat e përgatitura enkas për këtë eveniment fetar.
Ajo që mbrëmjes, kësaj herë, i dha një hijeshi më të madhe ishte prezenca e lartë e familjarëve, xhematit dhe mysafirëve, që kishin ardhur për të ndjekur ceremoninë e mbarimit të hatmes së Kur’anit fisnik.