PROMOVIMI I PUNËS SHKENCORE TE PROF. DR. HAJREDIN HOXHA
Mr. Fehim Dragusha
Publikuar me: 14 Qershor 2015
Të dielën mbrëma, gjegjësisht me datën 17. Maj 2015 në Xhaminë “Xheneti“ të St. Gallenit, u organizua promovimi i punës shkencore të prof. dr. Hajredin Hoxha, i cili është ligjërues universitar në Universitetin e Katarit.
Fjala përshendetëse e Kryetarit të Unionit
Në këtë promovim, i cili filloi pas namazit të akshamit, imami i xhamisë Mr. Fehim Dragusha, ftoi kryetarin e Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër, Mr. Nehat ef. Ismailin që në emër të UISHZ t‘i përshendet të pranishmit. Kryetari i Unionit pasi që uroi për organizimin e promovimit te librave dhe punës shkencore te dr. Hajredin Hoxhës, foli edhe për punën e UISHZ-së, ku theksoi se imamët e Unionit kanë botuar mbi 150 libra dhe përkthime dhe ky bagazh shkencor tregon qartë se në Qendrat Islame Shqiptare në Zvicër punojnë imamë të përgatitur dhe me përvojë. Ai gjithashtu theksoi se qëllimi i UISHZ-së është ngritja e cilësisë se imamëve, organizimi i seminareve, tryezat shkencore, etj. Jo vetëm kaq, sot xhamitë në formë graduale dhe me hapa të sigurtë janë duke u shndërruar në qendra të dijes, duke luajtur rolin universitar, akademik. Në qendra të konsultimit, humanizmit dhe solidaritetit. Mr. Nehat ef. Ismaili ka magjistruar në Francë dhe është autor dhe përkthyes i mbi 30 librave.
Në këtë tryezë shkencore, prezent ishin Prof. Dr. Akademit Feti Mehdiu, njëherit përkthyesi i parë i kur’ani kerimit në gjuhën shqipe dhe i librit të Buhariut në gjuhën shqipe, hfz. Abdurrahimi nga shkupi dhe Imami nga Xhamia e Rebstein-it, Enes ef. Koshi.
Puna shkencore e doc. Prof. Dr. Hajredin Hoxha
Në këtë mbrëmje u promovua puna shkencore e hfz. Dr. Hajredin Hoxha, me theks të veçantë punimi i doktoraturës “Doktrinat e Tefsirit në Trojet Shqiptare“, si dhe botimi i 26 librave autoriale, të cilat janë shkruar nga pena e dr. Hajredin Hoxhës në gjuhën arabe dhe angleze, e sëfundi ato panë dritën e botimit edhe në gjuhën shqipe (për më shumë shiqo ; http://www.drhafezi.net/albanian-works.html) . Për këtë kontribut të madh, vetëm Allahu do ta shpërblej autorin e ndëruar dr. Hajredin Hoxha, i cili librarisë islamo-shqiptare i kontribuoi me një komplet të artë te librave dhe punimeve, për të cilin Akademik Feti Mehidiu tha se ky është kompleti i pestë me radhë pas atij të Nexhat Ibrahimit. Jo vetëm kaq, librat dhe punimet e prof. Dr. Hajredin Hoxha, shtjellojnë temat me bashkëkohore, e në veçanti ato do të plotësojnë një boshllëk të madh, i cili u ka munguar Qendrave tona këtu në Zvicër.
Dr. Hajredin Hoxha ka një histori të gjatë dhe nuk është e leht për t’i përmbledhur të gjitha, pasi që ka shërbyer në vende të ndryshme te botës. Dr. Hajredin Hoxha është autorë dhe përkthyes i mbi 60 veprave shkencore, të cilat janë botuar në gjuhën shqipe, arabe dhe angleze. Me punën e tij shkencore, ka bërë që emri i shqiptarëve të përmendet në ato vende ku asnjëherë nuk ka shkruar gazetë apo që të jetë perfaqësuar nga ndonjë shqiptarë tjetër.
Pas përfundimit të promovimit, prof. Akademik Feti Mehdiu parashtroi disa pyetje për hfz. Dr. Hajredin Hoxha përkitazi me punimin e doktoratës dhe librin e shkruar rreth Dervishëve. Aty shihej qartë sjellja dhe morali i lartë i dy akademikëve se si debatonin rreth punës shkencore, me fjalë te cilat ishin mësim për te gjithë xhematin se si duhet te pyetet i dituri.
Duke e dhënë këtë pasqyrë të shkurtër të veprave të publikuara të Prof. dr. Hajredin Hoxhës, kemi pasur për qëllim që lexuesit tanë në Zvicër t’i njoftojmë me këtë dijetar, bashkëkohor, hafëz dhe njohës i dialekteve (kiraeteve) kur’anore dhe një ligjëruesi me erudicion jashtëzakonisht të madh në shërbim të islamit dhe muslimanëve.
Këshilla e Dr. Hajredin Hoxhës
Në fund Dr. Hajredin Hoxha për të pranishmit shpalosi edhe disa detaje të reja lidhur me punën e tij shkencore, ku tha; “….të gjitha këto punime që keni pran jush, janë punime dhe kumtesa shkencore që kanë kaluar nëpër duart e dijetarëve dhe pedagogëve islam dhe më pas janë aprovuar dhe si rrjedhojë kanë marrë dritën e gjelbërt për shtyp.“
Për fund, Prof. Dr. Hajredin Hoxha foli fjalë miradije për punën që po bënë UISHZ dhe shprehu gadishmeri për bashkëpunim reciprok si në lëmin e botimeve, poashtu edhe në organizimin e seminareve. Ai këshilloi kolegët hoxhallarë ; “… Neve si hoxhallarë na duhen reforma në metodologjinë e diskursit fetarë dhe kjo domosdo duhet të ndodhë. Përveç kësaj ne duhet të jemi hallka plotësuese të njeri tjetrit dhe në asnjë mënyrë nuk na lejohet të tregojmë superioritet apo mendjemadhësi, sepse ne jemi sikur një rrjetë.“
Biografi e shkurtër e Prof. Dr. Hajredin Hoxhës
Dr. Hajrudin Bafti Hoxha është i lindur me datën 01.10. 1968 në Prizren të Republikës se Kosovës, ku ka mbaruar shkollën fillore dhe më pastaj ka udhëtuar për në Sham ku ka mbaruar shkollën e madhe te Furkanit, e cila ka nxjerrë shumë dijetarë të shkencave islame. Pasi mbarimit të shkollës se Furkanit, Hajredin Hoxha i drejtohet Medines se Resulullahut ku mbaron me sukses fakultetin dhe pastaj kthehet në Kosovë ku shërbeu në;
Xhaminë Sinan Katib në Prizren.
Arsimtarë në Medresenë e Prizrenit.
Dashuria e madhe për kërkimin e diturisë, bëri që Hajredin Hoxha t’i drejtohet një shteti shumë të zhvilluar në botë, Malajzisë ku do të mbaroj magjistraturen dhe doktoraturën. Është i martuar dhe ka katër fëmijë. Është prej shqiptarëve të rrallë që ka ligjëruar në pesë Universitete të ndryshme të Botës; në Universitetin e Malajzisë IIUM, në Universitetin e Taiba-s në Arabinë Saudite, në UNISSA në Brunei Darussalam dhe sefundi ligjëron në Universitetin e Katarit.
Për të hulumtuar më shumë rreth punës shkencore te prof. Dr. Hajredin Hoxha, mund ta vizitoni webfaqen e tij http://www.drhafezi.net/