Miraxhi – mesazh i ngritjes dhe madhështisë së besimtarit të denjë
Mr. Bashkim Aliu
Njeriu vazhdimisht ka qenë i interesuar të ngjitet në lartësi dhe ta eksploron qiellin. Kështu, duke dashur që ta shijon fluturimin në hapësirën e madhe qiellore, njeriu e zbuloi aeroplanin. Por, jo vetëm kaq, kurreshtja për t’u ngjitur sa ma lartë, bëri që njeriu ta zbulojë anijen kozmike, e atje ku ende vetë nuk mund të depërtojë në vasion, lëshoi satellite të cilët edhe përskaj asaj se janë të pajisur me një teknologji të sofistikuar, nuk mund të depërtojnë në pika shumë të thella të kosmosit.
Por, për dallim prej tyre, i Dërguari i fundit i Allahut, Muhamedi s.a.v.s. me ndihmën e Allahut të Madhërishëm u dërgua atje ku nuk arriti të depërtojë dot jo vetëm njeriu, por edhe melekët.
Në këtë kontekst, mendimtari i shquar musliman i shekullit të kaluar, prof.Mustafa Sibai ka thënë:” Këtu ka një tregues domethënës për mundësinë e frekuentimit të hapësirës dhe daljen nga planeti i Tokës. Profeti ynë i nderuar ishte i pari njeri në historinë e njerëzimit që përshkoi hapësirën, dhe kjo ndodhi pikërisht gjatë Israsë dhe Miraxhit, kur ai udhëtoi në qiell dhe u kthye në Tokë brenda një nate të vetme. Nëse ne pranojmë se kjo gjë ka ndodhur me Profetin a.s. si mrekulli e tij dhe në kohën e tij, është krejt normale të pranojmë se kjo gjë mund të ndodhë fare mirë me njerëzit e sotëm, nëpërmjet zhvillimit të shkencës moderne”.
Kjo ndodhi është vërtetuar nga Kur’ani famëlartë dhe nga suneti i Pejgamberit s.a.v.s., që do të thotë se vërtetësia e saj nuk është diskutabile.
Allahu i Madhërishëm ka thënë:“Pa të meta është Lartëmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është dëgjuesi ( i fjalëve të Muhamedit), pamësi (i punëve të Muhamedit) (1)” [el-Isra: 1].
Rruga e udhëtimit të natës për Muhamedin s.a.v.s. nuk mbaroi në Mesxhidi Aksa, por prej atje vazhdoi në sferat e larta qiellore. Ky udhëtim vertikal në sferat e larta qiellore, është përshkruar në disa hadithe autentike, e që ne do ta përmendim vetëm një hadith i cili i përmbledh detajet e këtij udhëtimi.
Imam Ahmedi transmenton prej Enes ibn Malikut se i dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:” M’u dha Buraku, i cili është kafshë e bardhë më e madhe se gomari e më e vogël se mushka. Hapëronte me shpejtësi të shiqimit. Hypa në të, dhe udhëtova derisa arrita në Bejtu-l-Makdis. Me të arritur atje, e lidha kafshën për hallkën për të cilën i lidhin të dërguarit e Allahut. Pastaj hyra në faltore, fala dy rekat namaz, dhe pastaj dola përsëri. Kur dola, më erdhi Xhibrili me një enë me verë dhe një enë me qumsht. Unë e mora qumshtin. Atëherë Xhibrili më tha: E zgjodhe natyrën e pastër (Islamin). Pastaj më ngjitën në qiellin e tokës (më të ulët), dhe Xhibrili kërkoi të hapet. Atë e pyetën: Kush je ti? Ai tha: Xhibrili. E pyetën përsëri: E kush është me ty? Xhibrili tha: Muhamedi. E pyetën: A i është dhënë pejgamberia? Ai u përgjigj: Po, i është dhënë pejgamberia. Atëherë na u hap dhe aty e takova Ademin i cili më shprehi mirëseardhje dhe u lut për mua që të më jepen të mira. Pastaj na ngjiti në qiellin e dytë, e Xhibrili kërkoi të hapet. E pyetën: Kush je ti? Ai u përgjigj: Xhibrili. E pyetën përsëri: E kush është me ty? Ai u përgjigj: Muhamedi. E pyetën: A i është dhënë pejgamberia? Ai u përgjigj: Po, i është dhënë pejgamberia. Atëherë na u hap, dhe aty i takova dy djemt e tezes, Jahjanë dhe Isain, të cilët më shprehën mirëseardhje dhe u lutën për mua që të më jepen të mira. Pastaj na ngjiti në qiellin e tretë, e Xhibrili kërkoi të hapet. E pyetën: Kush je ti? Ai u përgjigj: Xhibrili. E pyetën përsëri: E kush është me ty? Ai u përgjigj: Muhamedi. E pyetën: A i është dhënë pejgamberia? Ai u përgjigj: Po, i është dhënë pejgamberia. Atëherë na u hap, dhe aty e takova Jusufin, paqa e Allahut qoftë mbi të. Atij i ishte dhënë gjysa e bukurisë. Ai më shprehi mirëseardhje dhe u lut për mua që të më jepen të mira. Pastaj na ngjiti në qiellin e katër, e Xhibrili kërkoi të hapet. E pyetën: Kush je ti? Ai u përgjigj: Xhibrili. E pyetën përsëri: E kush është me ty? Ai u përgjigj: Muhamedi. E pyetën: A i është dhënë pejgamberia? Ai u përgjigj: Po, i është dhënë pejgamberia. Atëherë na u hap, dhe aty e takova Idrisin, i cili më shprehi mirëseardhje dhe u lut për mua që të më jepen të mira. Allahu për të ka thënë:<< Ne e ngritëm atë në një vend të lartë (57)>>[Merjem: 57]. Pastaj na ngjiti në qiellin e pesë, e Xhibrili kërkoi të hapet. E pyetën: Kush je ti? Ai u përgjigj: Xhibrili. E pyetën përsëri: E kush është me ty? Ai u përgjigj: Muhamedi. E pyetën: A i është dhënë pejgamberia? Ai u përgjigj: Po, i është dhënë pejgamberia. Atëherë na u hap, dhe aty e takova Harunin, i cili më shprehi mirëseardhje dhe u lut për mua që të më jepen të mira. Pastaj na ngjiti në qiellin e gjashtë, e Xhibrili kërkoi të hapet. E pyetën: Kush je ti? Ai u përgjigj: Xhibrili. E pyetën përsëri: E kush është me ty? Ai u përgjigj: Muhamedi. E pyetën: A i është dhënë pejgamberia? Ai u përgjigj: Po, i është dhënë pejgamberia. Atëherë na u hap, dhe aty e takova Musain, paqa e Allahut qoftë mbi të, i cili më shprehi mirëseardhje dhe u lut për mua që të më jepen të mira.Pastaj na ngjiti në qiellin e shtatë, e Xhibrili kërkoi të hapet. E pyetën: Kush je ti? Ai u përgjigj: Xhibrili. E pyetën përsëri: E kush është me ty? Ai u përgjigj: Muhamedi. E pyetën: A i është dhënë pejgamberia? Ai u përgjigj: Po, i është dhënë pejgamberia. Atëherë na u hap, dhe aty e takova Ibrahimin, paqa e Allahut qoftë mbi të, i cili ishte i mbështetur me shpinë për Bejtu-l-Maëmuri (Qaben e qiellit), në të cilin për çdo ditë hynin nga shtatëdhjetë mijë melek, të cilët më asnjiherë nuk ktheheshin përsëri. Pastaj më dërgoi deri në Sidretu-l-munteha, ecila gjethet i kishte si veshët e elefantit, ndërkaq frutat si shtambë. Por kur e mbuloi ajo që urdhëroi Allahu ta mbuloj, ajo ndryshoi, ashtu që asnjë nga krijesat e Allahut nuk mund ta përshkruaj bukurinë e saj. Allahu më shpalli atë që ma shpalli dhe m’i obligoi pesëdhjet namaze gjatë ditës dhe natës. Unë zbrita derisa arrita te Musai. Kur arrita te ai, më tha: Çka obligoi Allahu për umetin tënd? Unë ia ktheva: Pesëdhjet namaze për çdo ditë dhe natë. Musai më tha: Kthehu te Zoti yt, dhe lute që ta lehtësojë umetit tënd, sepse umeti yt nuk mund ta përballojë këtë obligim, sepse unë këtë e provova dhe e testova te Beni Israilët. Unë u ktheva te Zoti, dhe e luta duke thënë: O Zoti im, lehtësova umetit tim, dhe Ai m’i pakësoi pesë namaze. Pastaj zbrita te Musai, dhe më pyeti: Çka bëre? Unë ia ktheva: Më pakësoi pesë namaze. Ai më tha: Umeti yt nuk mund t’u përballojnë këtyre, për atë, kthehu te Zoti yt dhe lute që t’ia lehtësojë umetit tënd. Unë vazhdova të kthehem mes Zotit tim dhe Musait. Zoti im më pakësonte nga pesë namaze, derisa tha: O Muhamed, ato janë pesë namaze që falen gjatë ditës dhe natës. Çdo namaz shkruhet dhjetë namaze, ashtu që përsëri plotësohen pesëdhjetë namaze. Për atë, kush don ta bëjë një vepër të mire, dhe nuk arrinë ta bëjë atë vepër, atij i shkruhet një vepër e mirë,, e nëse e bën atë vepër, i shkruhen dhjetë vepra të mira. Po kush don ta bëjë një vepër të keqe, dhe nuk e bën atë, nuk i shkruhet atij asgjë, e nëse e bën, i shkruhet vetëm një vepër e keqe. Pastaj, unë zbrita dhe shkova te Musai e i tregova për këtë. Musai më tha: Kthehu te Zoti yt, dhe lute t’ia lehtësojë umetit tënd, se ata nuk do t’ë mund t’u përballojnë këtyre namazeve. Unë i thashë: Jam kthyer te Zoti im shumë herë, sa që tash më turpërohem të kthehem”. Ky është versioni i Muslimit.
Në fakt, kalimi i qiejve nga ana e Muhamedit s.a.v.s. dhe përshëndetja e tij me disa nga pejgamberët e mëparshëm, pastaj vazhdimi i i rrugës për në destinacionin e caktuar nga ana e Allahut të Madhërishëm, dëshmon për pozitën e lartë të Muhamedit s.a.v.s. dhe dallimin e tij nga pejgamberët tjerë. Edhe përskaj asaj se ngritja në qiej mbi pejgamberët tjerë ka kuptim hapsinor, në fakt ka edhe kuptim shpirtëror ngase Muhamedi s.a.v.s. i tejkaloi shpirtërisht gjithë pejgamberët tjerë. Kjo vlerë dhe ky liderizëm i Muhamedit s.a.v.s. ndaj pejgamberëve tjerë, u pa edhe me rastin e daljes së tij imam i tyre në Mesxhidi Aksa.
Mustafa Es-Sibai thotë se ngritja e Pejgamberit në sferat e larta qiellore, “tregon madhështinë e besimtarit dhe obligimin për t’u ngritur sipër epsheve të dynjasë, duke u dalluar nga të gjithë njerëzit e tjerë për pozitën e lartë që gëzon, për qëllimin e lartë dhe për ngritjen në shembujt më të lartë e më fisnikë”.