Emërtimet e Kur’anit Fisnik
[Esmau-l-kur’ani ve sifatuhu]
Sipas një pjesë dërmuese të dijetarëve, Kur’ani i ka vetëm pesë emra të tij, ndërsa të emërtimet e tjera me të cilët emërohet Libri i fundit i Allahut, në esencë, janë përshkrime apo cilësime të tij. Megjithatë, ka një grup tjetër nga dijetarët të cilët mendojnë se Kur’ani ka më shumë emra të tij, sikur që janë emërat e nxjerrur, gjegjësisht atributet e tij.
Libri i fundit i Allahut veçohet me këtä emra:
- Kur’an. Ky është emri më specifik dhe i parë i shpalljes së fundit të Allahut tek njerëzit. Ky emër i lartë tregon mbi librin i cili do të lexohet (mësohet) shumë dhe i cili do të jetë i tubuar në një përmbledhje. “ky Kur’an udhëzon për atë rrugë që është më se e vërteta, e besimtarët që bëjnë vepra të mira i përgëzon se ata pa dyshim do të kenë shpërblim të madh.” (El-Isra, 9.)
- Shpallje e shkruar dhe e përmbledhur në një libër. “Ne ua kemi shpallur Librin (Kitabin), i cili është këshillë dhe lavdi për ju. Vallë a nuk po kuptoni? (Enbija, 10).
- Libri i cili e ndanë të vërtetën nga e gënjeshtra, rruga e drejtën e drejtë nga e devijuara, dritën nga errësira, të mirën prej të keqes, të lejuarën nga e ndaluara. “I lartësuar është Ai, që ia shpalli Furkanin (Kur’anin, dallues të së vërtetës nga e pavërteta) robit të vet (Muhammedit) që të bëhet pejgamber i botës (këshillues). (Furkan, 1).
- Libër i shpallur gradualisht. Libër i cili është lëshuar prej një lartësie drejtë një vendi më të ulët, respektivisht i lëshuar nga lartësitë e Allahut në botën e njeriut. “E edhe ai (Kur’ani) është shpallje (zbritje) e Zotit të botëve.” (Esh-Shu’ara, 192).
- Libër i cili tërheq vërejtjen dhe zgjon vetëdijen. “Ne, me të vërtetë, kemi shpallë Kur’anin (dhikrin) dhe ne, me të vërtetë, do ta ruajmë atë.” (Hixhr, 9). Emërtimet e tjera të Kur’anit mund të jenë emra të tij të përveçëm, sikur këta që i përmendëm deri më tani, (sipas një pjesë të madhe të autorëve), miëpo mund të jenë edhe të nxjerrur, gjegjësisht atribute (sipas disa të tjerëve).
- Burhan – Libër i cili përmban argumente të pakontestueshme.
- Nur – Libëri i dritës së Allahut dhe Drita e Allahut që ua dritëson njerëzve rrugën. “O ju njerëz, juve ju erdhi nga Zoti juaj argument dhe Ne ju zbritëm dritë të qartë.” (En-Nisa, 174).
- Bejan – Libër i kumtues, manifest dhe argument i qartë.
- Huda – Libër rekomandues për organizimin e jetës. Udhëzim për jetën në tokë. Platformë dhe udhëheqje.
- Mev’idha – Libri i këshillës dhe rekomandimit. “Ky (Kur’ani) është sqarim për njerëzit, është udhëzim dhe këshillë(mev’idha) për të devotshmit.” (Ali Imran, 138).
- Tedhkiret – Libri i cili vazhdimisht ia kujton njeriut të vërtetën dhe vlerat, për të cilat njeriu gjithherë duhet të jetë i vetëdijshëm. “Kjo, me të vërtetë, është këshillë, e kush të dojë, ndjek rrugën që shpie te Zoti i tij.” (Insan, 29).
- Belag – Libër i njoftimeve dhe lajmërimeve. “Ky (Kur’an) është shpallë për njerëzit, dhe me të të paralajmërohen ata, që ta dinë se Ai është i vetmi Zot, dhe për t’u këshilluar njerëzit e mençur.” (Ibrahim, 52).
- Aziz – Libër i fuqishëm. “Me të vërtetë, ai është një libër ngadhnyes (aziz). (Fussilet, 41).
- Beshir – Libër i lajmeve të mira, të gëzueshme.
- Nedhir – Libër që qorton. “(Ky Kur’an) është përgëzues dhe qortues, por shumica e tyre ia kthyen shpinën, andaj ata nuk dëgjojnë.” (Fussilet, 4).
- Bushra – Libër përgëzues. “(Ajetet e Kur’anit) janë udhërrëfyes dhe myzhde për besimtarët.” (Neml, 2).
- Besair – Libër me vlera që qëndrojnë përpara syve (vlera të dukshme).
- Mëshirë – Libër në të cilin është njoftuar dhe tregohet për mëshirën e Allahut ndaj njeriut. “Ky (Kur’ani) është dritë e dijes për njerëz, është udhëzues e mëshirë për një popull që beson bindshëm.” (Xhathije, 20).
- Lajm i madh – “Për çka ata i bëjnë pyetje njëri – tjetrit? Për lajmin e madh e tronditës.” (En-Nebe’, 1-2).
- Libër i begatshëm (mubarek) – “(Ky është) Libër i begatshëm, Ne ta shpallëm ty këtë, që t’i studiojnë argumentet e tij dhe që të marrin mësim prej tij ata që kanë mend.” (Sad, 29).
- Shifa – Libër që shëron. “Ne të shpallim Kur’anin që është shërim dhe mëshirë për besimtarët, kurse jobesimtarëve nuk u shton tjetër përpos dëshpërim.”. (Isra, 82).
[Kur’ani flet për vetveten]
Më së miri për vetveten flet vet Kur’ani fisnik. Ja disa ajete që flasin për përmbajtjen e mrekullueshme të tij dhe për esencën e qëllimit të dërgimit të tij tek njerëzit:
– “…mua më është shpallur ky Kur’an që me të t’ju tërheq vërejtjen juve dhe atij që i komunikohet (dhe të gjithë atyre që vijnë pas jush deri në ditën e kijametit).” (El-En’am, 19).
– “Nuk është e logjikshme të mendohet se ky Kur’an është i trilluar prej dikujt pos All-llahut, por është vërtetues i asaj (shpalljes) që ishte më parë, dhe sqarues e komentues i librit. Nuk ka farë dyshimi se është (i zbritur) nga Zoti i botëve.” (Junus, 37).
– “Është e vërtetë se ky Kur’an udhëzon për atë rrugë që është më se e vërteta, e besimtarët që bëjnë vepra të mira i përgëzon se ata pa dyshim do të kenë shpërblim të madh.” (Isra, 9).
– “Thuaj: “Edhe sikur të bashkoheshin njerëzit dhe xhinët për të sjellë një Kur’an të tillë, ata nuk do të mund të bënin si ky, sado që do ta ndihmonin njëri – tjetrin.” (El-Isra, 88).
– “Ne u sollëm atyre (mekasve) një libër (Kur’anin) që ua shkoqitëm në baza të diturisë, e që është udhërrëfyes e mëshirë për ata që besojnë.” (El-A’raf, 52).
– “Elif Lam Mim. Ky është libri që nuk ka dyshim në te (sepse është prej All-llahut) është udhëzues për ata që janë të devotshëm.” (El-Bekare, 1-2).
– “Në këtë Kur’an Ne shtruam çdo lloj shembulli për hir të njerëzve, po njeriu (jobesimtar) më shumë se çdo tjetër është kundërshtar.” (El-Kehf, 54).
– “Atyre, të cilëve ua dhamë librin dhe të cilët e lexojnë drejt ashtu si është, ata e besojnë atë (Kur’anin).” (El-Bekare, 121).
– “Në Libër asgjë nuk kemi lënë mangut.” (El-En’am, 38).
– “Ne ty ta shpallëm Librin sqarim për çdo send, udhëzim e mëshirë dhe myzhde për muslimanët.” (En-Nahl, 89).
[Muhammedi a.s. flet për Kur’anin]
Pasi që e pamë se çfarë thotë Allahu i Lartësuar për Librin e Tij, atëherë le të shikojmë pak se çfarë thotë Muhammedi a.s., në lidhje me Kur’anin.
Sipas rivajetit të Ed-Darimijut, dhe me pak dallime shprehimore edhe tek Tirmidhiu, përcillet se El-Harith El-Hamedani ka thënë: “Një ditë, hyra në mesxhid dhe pash se si njerëzit debatonin thellë për disa tema, dhe shkova te Aliu r.a. ku i thash: “A nuk i shesh se si njerëzit debatojnë për disa tema në mesxhid?” Ai ma ktheu: Vërtetë ashtu veprojnë?” I thash: Po, pikërisht ashtu.” Me ç’rast hz. Aliu r.a. u përgjigj: “E kam dëgjuar Pejgamberin a.s. të ketë thënë: “Do të vijnë sprova dhe mundime të mëdha.” E unë e pyeta: Po, cila është rrugëdalja?” “Libri i Allahut” – mu përgjigj ai. Tek ai e gjeni atë që qëndron përpara jush dhe atë që ka ndodhur më herët, si dhe gjykimin për atë se çfarë ndodh midis jush. Ai është një libër i saktë dhe mirë i klasifikuar, ndërkohë që nuk është aspak i çrregulluar, dhe kështu duhet të jetë qasja ndaj tij.Kushdo që e braktis atë prej udhëheqësve, Allahu ndaj tyre ka për t’u hakmarrë. Kush kërkon udhëzim prej dikujt tjetër, e jo prej tij, Allahu ka për ta lënë atë në lajthitje. Ai është litari i fortë i Allahut xh.sh., është këshilluesi i urtë dhe rruga e drejtë. Ai është i tillë që nuk lejon që të lajthitin dëshirat dhe pasionet, e as që mund me të të devijojnë gjuhët dhe të gënjehet. Me Kur’anin, shkencëtarët nuk kanë se si të ngopen, e ai assesi ta humbë forcën dhe të pengohet nga kundërshtimet. Mrekullitë e Kur’anit dhe admirimi ndaj tij nuk ka mbaruar. Ai është i tillë, sa që edhe xhinët kur e patën dëgjuar, nuk patën tjetër veçse të thonë: “Ne kemi dëgjuar një Kur’an që mahnit dhe magjeps”. Ai është i tillë që, kush flet në bazë të Kur’anit – të vërtetën e ka thënë, kush gjykon me të – drejt ka gjykuar, kush vepron me të – do të shpërblehet, e kush fton për tek ai – ai ka udhëzuar në rrugën e drejtë.”
Përmbajtja themelore e Kur’anit mund të përmblidhet në këto pika:
- Mësimi se Allahu është një dhe i vetëm. Nuk ekziston asgjë që do të ishte i ngjashëm dhe i barabartë me Të. Është Krijuesi i çdo gjëje dhe posedon gjithçka, i sheh dhe i dëgjon të gjitha gjërat, si dhe është i informuar për secilën gjë. Është pranë secilit dhe gjithkujt i është dëshmitar. Atij, të gjithë, do t’i kthehen, pasi çdo gjë është kalimtare, pos Tij, i cili është i përgjithmonshëm. Ai ka për t’i informuar njerëzit për tërë atë që kanë vepruar.
- Mësimi mbi botën, që donë të thotë se atë e ka krijuar Allahu dhe është vetëm e Tij. Në këtë botë të gjithë kanë fillimin dhe fundin e tyre. Mësimi rreth rolit të njeriut në këtë botë. Fillimi dhe fundi i tij, si dhe kuptimi i jetës së njeriut në tokë. Mësimi rreth shkallës së përgjegjësisë së njeriut në botë. Krahas kësaj botë që e shohim, Allahu xh.sh., në Kur’anin fisnik, na ka informuar se ekziston edhe një botë tjetër që nuk e shohim (gajb). Këtu përfshihen edhe krijesa të tjera, sikur që janë melaqet, xhinët, Xhenneti, Xhehennemi, ringjallja, gjykimi, etj.
- Mësimi rreth pejgamberëve dhe popujve për të cilët qenë dërguar. Rreth librave dhe përmbajtjeve të tyre, që të dërguarit e Zotit ua përcollën popujve të tyre.
- Sistemi ligjor i Kur’anit është Sheriati. Ky është ligji i Allahut, me të cilin Ai rregullon raportet ndërmjet botëve, sikur që rregullon raportet edhe ndërmjet njerëzve.
- Plani social i Kur’anit, me të cilin rregullohen raportet shoqërore dhe sociale midis gjinisë njerëzore.
- Plani etik i Kur’anit, me të cilin rregullohen raportet etiko-morale midis njerëzve.
(Shkëputur nga libri: Tefsiri, libër mësimi për Medresetë, Botues: El-Kalem, Sarajevë, 2000. Autor: Zijad Ljevakoviq).
Përktheu: Mehas Alija