2012-ta, vit i veçantë për xhaminë Dituria në Gjenevë
2012-ta, vit i veçantë për xhaminë Dituria Gjenevë
Më datën 29.09.2012, e shtunë në mbrëmje në një atmosferë mjaft të këndshme dhe festive u mbajt një program i DUAHATMES që u organizua nga ‘’QENDRA ISLAME KULTURORE SHQIPTARE “XHAMIA DITURIA” – Gjenevë, edhe atë në prezencën e shumë xhematlinjve, mysafirëve dhe familjarëve të nxënësve .
Programi ishte mjaft i pasur dhe i larmishëm. Përveç leximit të kuranit përmbante edhe ilahi, recitime si dhe ligjërata nga disa hoxhallarë mysafir, të cilët kishin ardhur nga disa vende të ndryshme të Zvicrës enkas për këtë ngjarje.
Programi filloi me një ashere nga hoxhë Sadullah ef. Abdullahu, përndryshe edhe si përfaqësues i BFI-së Kumanovë i cili pak më vonë edhe e mori fjalën përshëndetëse. Pas tij vazhdoi imami i kësaj Xhamie Rijad ef. Aliu i cili pas falënderimeve Allahut xh. sh. dhe salavateve Muhamedit a.s. përshëndeti të pranishmit dhe mysafirët nga Zvicra, Kosova dhe Maqedonia, dhe uroi që edhe në vazhdim të ketë kësi lloj programesh sepse këto programe dëshmojnë se muslimanët (besimtarë shqiptarë) e duan Islamin, e duan Allahun xh. sh. dhe për këtë arsye e mësojnë fjalën e Allahut Fuqiplotë dhe bëjnë adhurimin si duhet.
Programi vazhdoi me aktorët kryesor të këtij programi, pra me 7 fëmijët të cilët përfunduan leximin e Kur’anit pas plot tri viteve. Ata përveç se lexuan Kur’an, na recituan edhe disa vjersha me mesazhe shumë të forta, e njëherit iu përgjigjen edhe pyetjeve të parashtruara nga imami.
Pastaj mori fjalën imami i Vispit Rrahim ef. Hasani, i cili i përshëndeti të pranishmit dhe foli për rëndësinë e mësimit të Kur’anit Famëlartë dhe vlerën e tij. Programin e begatoi edhe vëllai Xhelal Bekteshi, i cili këndoi disa ilahi dhe me zërin e tij të bukur emocionoi të pranishmit.
Enkas për këtë program kishin ardhur nga skaji tjetër i Zvicrës edhe hoxhallarët e nderuar Fehim ef. Dragusha, sekretar i Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër, i cili i përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe i uroi nxënësit, si dhe Muhamet ef. Sadiku, imam mysafir në St. Gallen, i cili e bëri edhe duanë e hatmes. Më pas, fjalën e rastit e mori Rejhan ef. Neziri, kryetar i Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër i cili pasi i përshëndeti të pranishmit në emër të tij dhe të Unionit i uroi nxënësit që kishin kryer hatmen si dhe imamin për punën e tij të palodhshme në procesin e edukimit dhe arsimimit të fëmijëve tanë. Ai foli për vlerën e mësimit të Kur’anit fisnik si fjalë e pashtershme e All-llahut Fuqiplotë, përmendi shpërblimet që Muhammedi a.s. ua premton atyre që e mësojnë Kur’anin si dhe atyre që kontribuojnë në mësimin e tij, siç janë prindërit, shoqëria, xhamia etj. Ai theksoi se deri më sot këta fëmijë e kanë mësuar Kur’anin nga hoxha i tyre, kurse prej sot e tutje pritet që këta nxënës t’ua mësojnë Kur’anin atyre që nuk e dinë. Në veçanti kryetari theksoi nevojën e sqarimit të Islamit me metoda islame, të Kur’anit me metoda kur’anore dhe të Muhammedit a.s. me metoda pejgamberike. Ai po ashtu theksoi se Unioni deri më tani ka përgatitur një plan mësimor për mektebet tona shqiptare në Zvicër dhe se është duke u punuar edhe në drejtim të përpilimit të teksteve mësimore sipas këtij plan-programi. Në fund i uroi edhe një herë imamin, nxënësit, prindërit e tyre si dhe kryesinë e xhamisë për këtë rast festiv dhe uroi që së shpejti ky xhemat të arrijë ta ketë objektin e vet për xhami, ku do të mund ta adhurojnë Zotin në mënyrë dinjitoze dhe të ushtrojnë aktivitetet e tjera fetare në të ashtu siç u ka hije muslimanëve.
Në fund u shpërndanë edhe disa dhurata për nxënësit që përfunduan leximin e Kur’anit. E tërë kjo ngjarje përfundoi me një koktej të përgatitur nga familjarët e nxënësve
Vlen të theksojmë se ky ishte grupi i dytë që përfundonte leximin e Kur’anit në Gjenevë brenda vitit 2012. Pra ishte një vit i mbarë dhe i suksesshëm për xhaminë Dituria-Gjenevë.