Festa e Fitër Bajramit në xhaminë e Xhennetit në SG
Publikuar më: 08. prill 2014
FESTA E FITËR BAJRAMIT NË XHAMINË E XHENETIT NË ST.GALLEN
Dita e diel, ishte një ditë gëzimi për mbarë muslimanët anekend botës, e veçmas për muslimanët shqiptarë, të cilët jetojnë dhe veprojnë në Zvicër.
Muslimanët shqiptarë në Zvicër, me ndihmën e Allahut po e dëshmojnë dashurinë e tyre për fenë islame. Vëllezërit tanë këtu janë duke e rregulluar infrastrukturën fetare, për mirëqenien e tyre dhe të gjeneratave që do vin më pas. Kjo u pa edhe ditën e fitër bajramit ku një numër i madh besimtarësh, ditën e diel, me 19. Gusht 2012 kishin mbushur sallën e madhe të Kegelbahn-it për të falur namazin e Fitër Bajramit.
Në këtë ditë të madhe gëzimi dhe hareje, muslimanët e St.Gallenit falen namazin e fitër Bajramit jo në sallë të huazuar, por kësaj radhe brenda objektit të blerë nga xhemati i xhamisë se re, respektivisht nga xhemati i xhamisë se Xhenetit, xhamia shqiptare në qytetin e St. Gallenit. Ceremonia dhe aktiviteti fetar, filloi me faljen e namazit të sabahut, lexim kur’ani dhe më pas ka vijuar ligjerata e mbajtur nga Imami dhe ligjeruesi i xhamisë se Xhenetit Mr. Fehim ef. Dragusha.
Pjesë nga ligjerata e mbajtur:
E falënderojmë Allahun, ashtu siç Ai e meriton. Atij i takojnë të gjitha falënderimet për mirësitë e panumërta, të cilat na i ka dhuruar. Ai është supremi, Ai është krijuesi i qiejve dhe i tokës, i cili për ne ka zbukuruar çdo gjë që shohim në këtë gjithësi. Salavatet, selamet dhe përshendetjet tona qofshin mbi të dërguarin e fundit, Muhamedin alejhisselam, familjen e tij të dashur, shokët e tij të ndershëm dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë rrugën e tij deri në amshim.
Të ndershëm vëllezër besimtarë
Begatia më e madhe që na ka dhuruar Allahu, është udhëzimi, se na ka bërë pjesëtarë të kësaj feje. Fe e cila rregullon jetën tonë, fe madhështore, gjithëpërfshirëse dhe univerzale. Prandaj, të rrespektuar vëllezër mergimtarë, kemi ardhur në Zvicër, disa para 30 viteve, e disa viteve të fundit, ndaj dhe prezenca jonë duhet të manifestohet ashtu siç ka porositur Allahu dhe i dërguari i tij, Muhamedi alejhisselam. Ne, duhet të kemi kujdes se si po e prezantojmë këtë fe të pastërt, sepse për çdo veprim tonin, do japim llogari të Allahu Fuqiplotë. Duhet të kemi kujdes që të mos e dëmtojmë imazhin e islamit, sepse Allahu xh.sh., e ka garantuar këtë din, por sjelljet tona në të shumtën e rasteve, po e tregojnë të kundërten.
Të gjithë jemi dëshmitarë se po përballemi me sfida, nga më të ndryshmet. Jetuam me Ramazanin përgjatë tridhjetë ditëve, dhe sot, në këtë ditë gëzimi ne po përshendetemi me muajin e bekuar, mirëpo, duhet të dim se Ai që e bëri obligim agjërimin, Ai është me ne edhe pas Ramazanit dhe Ai është Allahu, krijuesi i gjithë botërave, prandaj, ne e krymë një ibadet prej ibadeteve të Allahut dhe sot jemi tubuar që t’i përulemi Allahut me namaz, e më pas festojmë festën e gëzimit (bajramit) me familjarët tanë, fëmijët dhe farefisin.
Feja islame, nuk ka dyshim se është feja e Allahut, i cili e zgjodhi për ne, ndaj dhe duhet të krenohemi për të. Feja islame është ajo, e cila e ruajti traditën, kulturën dhe gjuhën tonë shqipe. Allahu i Madhërishem përmes islamit, na bëri që të kuptojmë ardhjen tonë në këtë botë, e të mos sillemi vërdall, e të humbasim kohën.
Sot, jetojmë në një kohë kur njerëzit pak lexojnë, pak studiojnë. Jetojmë në kohën ku më shumë shohim dhe dëgjojmë. Jeni të gjithë deshmitarë, se shumë vëllezër dhe motra, respektivisht qytetarë zviceran, po e përqafojnë fenë islame, jo me dhunë, jo me shpatë, por vetëm përmes leximit dhe studimit të fjalëve të Allahut. A nuk ishte Selman Elfarisiu, i cili e gjeti rrugën e drejtë përmes gjuhës se argumentit, përmes leximit dhe qendrimit të tij të gjatë me krerët fetarë, derisa u takua me Pejgamberin alejhisselam.
Omeri radijallahu anhu, kishte thënë: “ Nuk e njeh Islamin, ai që nuk ka njohur Xhahilijen (injorancen).
Qëllimi i dijës është të punuarit me të
Unë përmes kësaj ligjerate, dëshiroj që të përcjell tek ju mesazhin kur’anor, mesazhin e dritës dhe të udhëzimit, gjegjësisht, fjalët e kur’anit famëlartë, të cilat qenë të parat që i zbritën të dërguarit tonë të dashur, Muhamedit alejhisselam, e ato janë: “Lexo, mëso, studio në emër të Allahut, i cili krijoi çdo gjë“!
Nuk ka mundësi që njeriu ta besoj Allahun verbërisht, pa lexuar dhe pa kuptuar mesazhin hyjnor, e të mos ketë shkatërruar pjesë të dinit. Për këtë qëllim, Omer ibën Abdul Azizi ka thënë: “Kush thërret për në rrugën e Allahut (predikon fjalët e Allahut), apo e adhuron Allahun pa dije (bigajri ilmin), ajo që ka prishur është më shumë se sa atë që ka rregulluar“.
Të nderuar vëllezër
Jetojmë në qytetin e St. Gallenit, ku përbërja më e madhe e të huajve janë shqiptarë. Jetojmë vetëm disa metra larg Univerzitetit të St. Gallenit, i cili ka një renome botërore dhe shumë të rinj dhe të reja nga vendlindja, ëndërrojnë të jenë pjesë e këtij Universiteti, por ja që përshkak të gjendjes se vështirë materiale, nuk mund të studiojnë, kurse bijt dhe bijat tona, në vend që të jenë në bankat e Universitetit, ata frekuentojnë në klubet e natës, duke menduar se qëllimi i ardhjes se tyre në Zvicër ka qenë zbavitja e tepruar, rekreacioni, muzika dhe humbja e kohës, prandaj, ju këshilloj që të investoni në fëmijet e juaj, sepse studimi në Universitet është Ura lidhëse për në sukses dhe duke kërkuar dijen, duke mësuar gjuhën e vendit ku jetojmë, kemi praktikuar edhe mësimet fetare.
Të ndershëm xhematlinj, ju jeni ata të cilët me ndihmat e juaja, ndihmuat popullin në vendlindje, investuat në çlirimin e vendit nga okupatori serb, duke mbledhur miliona franga nëpër xhamitë e Zvicrës, ju jeni ata të cilët, iu gjetët në ndihmë Bashkësive Islame, ju jeni ata të cilët ndihmuat që shumë të sëmurë të shërohen, prandaj, të mos harrojmë, se edhe këtij vendi i kemi një borxh të madh, prandaj të lutemi që Allahu t’i udhëzoj në rrugën e drejtë dhe ta kuptojnë se kush është Allahu. E them këtë duke u bazuar në fjalët e Amerikanit Drapir, i cili në librin e tij “Feja dhe shkenca“, thotë: “Evropa asnjëherë nuk e ka njohur fenë e Allahut ashtu siç është shpallur“.
Lusim Allahun e Madhërishem, që ta shfrytëzojmë kohën në dobi dhe të mirë, sepse Allahu xh.sh është betuar në kohën, ndaj dhe nuk duhet humbur atë. Dhasht Allahu, e t’na ketë pranuar ibadetet tona, dhe lutja jonë e fundit është “Falënderimi i takon vetëm Allahut, krijuesit të botrave“
Pergatiti: Fehim ef. Dragusha
Imami i Xhamise se Xhenetit
Xhamia e Xhenetit është themeluar me datën 1. Korrik 2012 në qendrën e qytetit të St. Gallenit. Adresa e xhamisë është: Paradiesstrasse. 2 – 9000 St. Gallen