Islamic Relief-i dhe Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër vizituan Maqedoninë
Nga data 10.11.2013 e deri më 12.11.2014 OH Islamic Relief dhe Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër për tri ditë rresht ishin mysafirë të Kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Reis Ulema h. Sulejman Rexhepit.
Kryetari i OH Islamic Relief – shejh Tarik Abdoun, drejtori i Islamic Relief-it për Zvicër – Jamal Krafess, Kryetari i Unionit të Imamëve Shqiptare në Zvicër (UISHZ) – Nehat Ismaili, të shoqëruar nga nënkryetari i UISHZ-së Bekim Alimi, vizituan fshatrat e malesisë së Tetovës, përkatësisht fshatrat Gajre dhe Veshallë, me ç’rast u takuan me drejtorinë e shkollës, mësimdhënësit dhe nxënësit e shkollave në fjalë.
Delegacioni nga Zvicra dhe Britania e Madhe patën rastin dhe mundësinë që për së afërmi të njoftohen me rrjedhat e aktivitetit të tyre të realizuar në fillim të shtatorit me ç’rast në Maqedoni kishin realizuar një projekt me vlerë prej 72000 frangash zvicerane, donacion i cili u kushtohej shkollave të disa fshatrave malorë, me ç’rast si partner për realizimin e këtij projekti kishin paraparë Bashkësinë Fetare Islame në R. e Maqedonisë.
Ditën e martë delegacioni nga Zvicra vizitoi medresene “Isa Beu” në Shkup ku ishin pritur nga Drejtori i medresesë – Ibrahim Idrizi. Gjatë bisedës mysafirët u njoftuan mbi rrjedhat e medresesë, ecurinë e procesit eduktativo-arsimor si dhe sfidat me të cilat ballafaqohet medreseja, veçanërisht paralelet për vajza.
Gjithashtu, delegacioni i shoqëruar nga Sekretari i BFI-së – Afrim Tahiri vizitoi Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup. Delegacionin e priti Dekani i FShI-së – prof. dr. Fahrudin Ebibi, i cili i njoftoi mysafirët mbi historikun e themelimit të FShI-së, dorëshkrimet e vjetra dhe çështjen e akomodimit të programeve studimore.
Pasditën e ditës së martë delegacionin nga Zvicra e priti Muftiu i Tetovës Alifekri Esati i shoqëruar nga stafi i muftinisë së Tetovës. Mysafirët namazin e jacisë e falën në Xhaminë e Larme, përkatësisht në Xhaminë e Pashës, me ç’rast nga muftiu u informuam për historikun dhe stilin e ndërtimit të xhamisë.
Po të njëjtën ditë në mbrëmje, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë – h. Sulejman Rexhepi shtroi një darkë pune për mysafirët nga Zvicra dhe Britania e Madhe. Në këtë takim ishin të pranishëm muftiu i Gostivarit – Shaqir Fetahu i shoqëruar nga stafi i muftinisë së Gostivarit.
Kryetari i BFI-së, h. Sulejman Rexhepi në mënyrë të etabluar foli rreth sfidave dhe projekteve që i presin në të ardhmen si institucion i rëndësishëm në RM.
Drejtori gjeneral i Islamic Relief-it dhe Kryetari i UISHZ-së (Nehat Ismaili) shprehën kënaqësinë e tyre me realizimn e këtij projekti, duke falenderuar publikisht Kryetarin e BFI-së për mbështetjen e tij të parezervë për realizimin e këtij projekti. Gjithashtu, falënderuan edhe Sekretarin gjeneral të BFI-së – Afrim Tahirin, i cili për tri ditë me radhë ka shoqëruar delegacionin dhe është përkujdesur që të ndihen sa më mirë dhe komod.
15.11.2014
Aarburg, Zvicër