Komunikatë rreth Kurban Bajramit
Publikuar më: 22.Tetor.2013
N J O F T I M
Të nderuar imamlerë, të nderuara kryesi xhamish shqiptare në Zvicër, es-selamu alejkum
Pas komunikatës së përbashkët të të tria Bashkësive Islame të vendlindjes: Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, të datës 18.10.2012, me të cilën na njoftuan se dita e parë e Bajramit të Kurbanit do të jetë e enjtja 25.10.2012, sot Bashkësia Islame e Kosovës ka dalë me një njoftim për opinion se dita e parë e kësaj feste në R. e Kosovës do të jetë të premten më 26.10.2012.
Pas konsultimeve që i bëmë ne si Union me përfaqësues të Bashkësisë Islame të R. së Kosovës dhe të Bashkësisë Fetare Islame të R. së Maqedonisë, del që BIK-u ka ndryshuar qëndrimin për këtë çështje pas deklaratës së përbashkët pas së cilës ka qëndruar edhe ajo, me arsyetimin se BIK-u asnjëherë nuk e ka bërë zakon që të festojë Kurban Bajramin ndryshe nga Arabia Saudite dhe se deklaratën e përbashkët të 18 tetorit e ka dhënë me kusht që të mund të rishikohet.
Ne si qendra islame shqiptare këtu në Zvicër jemi të zhgënjyer shumë nga kjo situatë e hidhur, pasi edhe njërën prej krejt dy festave islame sa i kemi në vit, nuk kemi mundësi ta festojmë bashkë si botë shqiptare-islame.
Duke marrë parasysh se dy Bashkësitë Islame: ajo e Shqipërisë dhe e Maqedonisë nuk ndryshojnë qëndrimin, duke marrë parasysh se të dhënat e Institutit Astronomik në Bernë (www.aiub.unibe.ch) tregojnë se dita e parë e këtij muaji hënor ka qenë 16 tetori, për çka nuk duhet dyshuar në to pasi mbështeten në llogaritje të sakta shkencore, duke marrë parasysh se shumë xhami tonat kanë rezervuar sallat për ta falur namazin e Bajramit për me 25 tetor, për çka e kanë shumë të vështirë ose edhe të pamundur ta ndryshojnë këtë termin, duke marrë parasysh se shumë punëtorë, studentë dhe nxënës muslimanë e kanë marrë të lirë të enjten, ne si Union kemi vendosur që këtë festë ta kremtojmë të enjten, më 25 tetor 2012, ashtu siç e kemi lajmëruar edhe më herët. Ndërkaq xhamitë apo qendrat islame shqiptare që kanë bindje tjetër nga kjo e jona, janë të lira të vendosin sipas bindjeve të tyre, por duke pasur parasysh ruajtjen e unitetit brenda xhematit të qendrës gjegjëse.
Ne shpresojmë se bajramet e ardhshme do të mund t’i festojmë në mënyrë të denjë ashtu siç na ka hije dhe se së shpejti këto divergjenca do të tejkalohen!
Kryetari i UISHZ-së
Mr. Rejhan ef. Neziri