Xhamia e re ne Wil
Publikuar me: 02 Korrik 2015
Po e titulloj këtë tekst ashtu siç e titulloi edhe gazeta e Wil-it, më 27 qershor 2015.
Një ditë më herët, pra dita e premte, gjëgjësisht 26 qershori i vitit 2015, ishte një ditë e veçantë për shqiptarët musliman të qytetit të Wil dhe në përgjithsi për të gjithë muslimanët që jetojnë në Zvicër e më gjërë. Në këtë ditë u realizua ëndrra e një xhemati shqiptarë të cilët me vite pritën për të ardhur deri te dita e tyre e hedhjes së gurthemelit të xhemisë së re.
Fluksi dhe turmat e njerzëve mbushnin tretoaret e rrugës Glärnis që çon për te vendi i xhamisë ku do të themelohet, e cila është rrugë kryesore në këtë qytet me afro 22`500 banorë, nga të cilët 14 % janë muslimanë. Më tepër se gjysma e muslimanëve që jetojnë në këtë qytet janë shqiptarë.
Rreth 300 persona gjetën vend në parcellën ku do të ndërtohet xhamia, e cila shtrihet në Rosenstrasse. Llojllojshmëria e kishte mbuluar sfondin.
Aty kishte burra dhe gra,kishte muslimanë dhe jomuslimanë, kishte mysafir nga Zvicra dhe jashtë saj, kishtemediume dhe politikanë. Programi filloi me një pjesë të kënduar nga Kur’ani famëlartë,kurse me pas fjalën e mori imami i xhamisë, Bekim ef. Alimi.
Imami bëri një restrospektivë ndaj planifikimit të ndërtimit të objektit të ri të xhamisë, ku ndër të tjerash potencoi nevojën e organizimit të më dinjitetshëm të gjeneratave të reja në Zvicër sa i përket jetës se tyre fetare e shoqërore.
“Ne lindim këtu, jetojmë, mësojmë, shkollohemi dhe vdesim këtu. Xhamia e re do të ketë vend për të gjithë, e sidomos për ata që e duan dijen. Ekstremizmi dhe radikalizmi nuk kanë vend këtu, pasi në rend të parë ata i dëmtojnë vetë muslimanët”, është shprehur imami, Bekim ef. Alimi.
Kryetarja e qytetit të Wil-it, Susanne Hartmann, foli për nevojën e ndërtimit të objektit të ri të xhamisë, e cila do të luante rol aktiv në zhvillimin e tolerancës dhe mirëkupimit të ndërsjellë religjioz, kulturor dhe nacional në qytetin ku ajo përfaqëson. Ai potencoi se marrdhëniet shumë të mira midis komunës së Wil-it dhe qendrës Islame si dhe bashkpunimi i ndërsjelltë ka lehtësuar rrugën deri këtu, e cila rrugë në fakt nuk është e lehtë fare.
“Unë e konsideroj themelimin e kësaj xhamie në qytetin tonë si një rast historik. Kjo xhami, sikur edhe muslimanët, luajnë rolin e lidhjeve dhe urave ndërmjet dy kulturave”, është shprehur kryetarja e qytetit të Wilit, Susanne Hartmann, duke shtuar gjithashtu se toleranca midis feve ndikon fuqishëm në proceset integruese brenda një shoqërie.
Fjalën e rastit, të udhëhequr nga Amir Muaremi, tashmë ua ndanë edhe dy priftërinjëve të dy kishave të qytetit, asaj katolike dhe evangjeliste, të cilët, po ashtu theksuan nevojën e bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare.
Ishte me interes prononcimi i priftit të kishtës reformatore, Christoph Casty, i cili, duke dashur që t’u jep kurajo muslimanëve, tha se “edhe protestantëve u është dashur që të presin shumë kohë deri sa ta themelonin kishën e tyre në qytetin e Wilit.”
“Në shekullin e 20, protestantët, nuk kanë qenë shumë të mirëseardhur këtu. Por, me kalimin e kohës ndryshoi çështja dhe tani, të qenurit protestantë në Wil është shumë normale. I inkurajojë muslimanët, edhe përkundër këtyre fërkimeve në shoqëri, të jenë të durueshëm dhe aktiv edhe mëtutje, ngase edhe kjo ka për të kaluar.”
Këtë organizim për hapjen e gurëthemelit të xhamisë së re e kishin nderuar me prezencën e tyre edhe krerë të bashkësive të ndryshme islame, sikur që ishte kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë, H. Sulejman ef. Rexhepi, me shoqëruesit e tij nga myftini të ndryshme, pastaj kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Bujanocit, Sulejman ef. Fejzullahu, kryetari i Unionit të Imamëve Shqiptarë nga Zvicra, Nehet ef. Ismaili, dhe personalitete të tjera fetare e kombëtare nga Gjermania,Austria, Danimarka, etj.
Fjalën përshëndetëse nga bashkësitë islame e patën krerët nga Republika e Maqedonisë, nga Lugina e Preshëvës si dhe nga kryetari i Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër.
Pas fjalimeve dhe uratave erdhi edhe momenti i shumë pritur kur edhe u bë hapja simobilike e gurëthemelit që shënon fillimin e një historie të re dhe ndërtimin e një objekti të ri për muslimanët e qytetit të Wil-it.
Himni i madhërimit të Zotit këndohej pa ndalur nga të pranishmit teksa gërmohej toka për hapjen e gurëthemelit për ndërtimin e xhamisë së re.
Mirësevini në hapjen solemne.
M.Alija