NË CILËN INJORANCË JEMI DUKE JETUAR SOT?
Publikuar me: 11Nentor, 2015
Mr. Fehim Dragusha
Secili individ, i cili jeton dhe punon me islam, ai nuk mund të jet i ngjashëm me ata të cilët rivertohen në këtë fe të pastert, e them këtë duke u bazuar në fjalët e Omer ibën Hattabit – Allahu qoftë i kënaqur me të – i cili ka thënë; “ Nuk e njeh islamin ai që nuk ka njohur xhahilijen (injorancën)“, që nënkupton se njerëzit të cilët kanë jetuar në injorancë, sikurse Omeri –radijallahu anhu- dhe shumë të tjerë, pasi që kanë përqafuar islamin, ata kanë ditur të dallojnë të vërtetën nga e pavërteta. Ndoshta dikush mund të pyet, se si është e mundur që sot njerëzit të shijojnë injorancën, kur jetojmë në shekullin 21?
Ështe mëse e vërtetë se të jetuarit në shekullin 21, nuk nënkupton largimin nga injoranca, në fakt njerëzit sot jetojnë përsëri në injorancë, por dallimi qendron në atë se kjo injorancë quhet injoranca bashkëkohore, si fjala vjen, para 1400 viteve vajzat varroseshin për se gjalli, kurse në injorancën bashkëkohore, ato mbyten ende pa shijuar ajrin e kësaj bote, gjegjësisht ato abortohen, vetëm e vetëm se janë vajza, prandaj, akti dhe krimi është i njëjtë, por dallon vetëm forma e mbytjes. Në disa vende te tjera të botës ende diskutohet se nga cila moshë mund t’u lejohet te rinjëve lirija e marrëdhënieve jashtëmartesore, duke u munduar te tregojnë civilizim por në fakt kjo është një shthurje dhe dekadencë.
Nëse ne njohim shtrembërimet dhe devijimet e injorancës bashkëkohore, atëherë kjo njohje do të shpie deri të njohja e përsosmërisë se fesë se zbitur prej Krijuesit Fuqiplotë. Duhet ditur se shumë muslimanë orvatën që islamin dhe fundamentet e tij, t’i mësojnë në Evropë, mirëpo, nuk duhet harruar se Evropa nuk e ka njohur kurrë fenë e Allahut, në atë formë siç është shpallur tek i dërguari i fundit Muhamedi alejhisselam. Këtë mëse miri e hasim gjatë studimit te librave te orientalistëve, e se fundi përmes teksteve shkollore apo mediave te shkruara dhe atyre elektronike.
Për këtë qëllim mund të them se në objektet e tyre fetare, ushtrohet çdo gjë përveç asaj fetare, kjo për faktin se ana shpirtërore e fesë është tretur dhe përzier me idhujtarinë. Për këtë Amerikani Drapir, në librin e tij “Feja dhe Shkenca“, thotë: “Idhujtaria dhe shirku hyri në krishterim nën ndikimin e hipokritëve, të cilët posedonin poste të rëndësishme në shtetin romak, duke u shfaqur si të krishterë, por që nuk donin t’ia dinin për çështjet e fesë. Ata nuk qenë të sinqertë me të, as edhe një ditë. Po kështu ishte edhe Kostandini. Ai e kaloi jetën e tij duke bërë padrejtësi dhe shthurje, madje nuk e kufizoi vetën e tij me urdhërat fetarë të kishës, përveçse me disa prej tyre në fund të jetës se tij në vitin 337.
Duke bërë këtë krahasim pyes vetën se a thua vallë edhe islami është duke u përballur me njerëz të njëjtë, ose thënë me mirë, me hipokritë te cilët sot posedojnë disa pozita në pushtet dhe mundohen te tregohen se çdo deshtim në pushtet apo në Qeveri, fajtorë janë muslimanët. Te tillët jetojnë vetëm për mirëqenien e tyre, ata sa her që preket interesi shtetëror, nuk i sheh te brengosur, por në momentin kur preken interesat e tyre personale dhe dridhen kolltuqet e tyre, i sheh duke u shndërruar në egërsira dhe janë në gjendje të shkatërrojnë me çdo gjë qe posedon.
Për fund kam disa pyetje për lexuesin, sikur te mos ishte nocioni islam apo musliman, çfarë do të përdorej nga liderët dhe pushtetarët e dështuar arab dhe ata shqiptarë, të cilët për ta bindur botën përendimore se diktatura e tyre është e pranuar dhe për të arsyetuar qëndrimin e gjatë te tyre në pushtet, ata sulmojnë vetëm një grup te njerëzve, duke i quajtur me lloj lloj emrash, mysliman, arab, te prapambetur, te rrezikshëm, fundamentalistë, pantollshkurtër, ekstremist, me mjekrra te gjata..etj.
Do ta përmbylli këtë me një fjali e cila me jep shumë shpresë, ajo është në fakt fjalë prej fjalëve te Krijuesit “Ata duan ta shuajnë dritën e All-llahut me gojët e tyre, po Allahu e plotëson (e përhap) dritën e vet, edhe pse e urrejnë jobesimtarët.” [Es Saff:8]