Pyetje: Namazet kaza të personit që e ka braktisur fenë, pastaj kthehet përsëri
Publikuar me: 23 Mars, 2016
PYETJA:Pyetja ime ka te bëjë me muslimanin i cili del prej Islami, pra nuk beson dhe e mohon Islamin si fe, e pastaj përsëri kthehet, pendohet dhe përmirësohet. Ky musliman i cili për së dyti ka hyrë në Islam, në atë kohë kur e ka mohuar Islamin, a e ka obligim ti bëje kaza namazet? Këtë pyetje e parashtroj sepse këtu në perëndim ku jetojmë ne, dikush i thote duhet t’i bëje kaza namazet që i kanë ikur gjatë asaj kohe e dikush i thotë jo.
Dr.Bashkim Aliu
PËRGJIGJA: Esselamu alejkum. Së pari, e lus Allahun që këtë person ta falë, dhe të gjithëve të na forcoje në Islam.
S’ka dyshim se lënia e Islamit dhe mohimi i të vërtetave islame, ia shkatërron njeriut punët, dhe ai me mohimin e Islamit bëhet jo musliman. Te ky person, kemi dy periudha:1-Atë para mohimit të Islamit, kur ai, si duket, ka lindur në familje muslimane dhe është identifikuar si musliman; 2-Pasi e ka mohuar Islamin dhe është identifikuar si jo musliman, gjegjësisht pasi është penduar dhe është kthyer përsëri në Islam. Këtë ndarje e bëjmë që ta kuptojmë më mirë shkakun pse ka dëgjuar përgjigje të ndryshme personi në fjalë, për bërjen kaza të namazeve të cilat nuk i ka falur gjatë asaj kohe sa e ka mohuar Islamin. Po ashtu, duhet përmendur se përgjigjet e ndryshme që i ka marrë, janë rezultat i laramanisë së medhhebeve, të cilëve u takojnë njerëzit me të cilët ka kontaktuar personi, e që në perëndim është normale, ngase në xhami hasen njerëz nga vende të ndryshme, dhe që u takojnë medhhebeve-shkollave të ndryshme juridike islame.
Kështu, sipas medhhebit Hanefi, Maliki dhe disa dijetarëve tjerë, personi i cili e braktis Islamin, pastaj pendohet dhe kthehet përsëri në Islam, nuk e ka obligim që t’i bëj kaza namazet të cilat i kanë kaluar derisa ka qenë në atë gjendje, pra është identifikuar si jo musliman dhe e ka mohuar Islamin, ngase ai në këtë periudhë kohore ka qenë jo musliman, dhe ai e ka tretmanin e jo muslimanit i cili nuk është identifikuar më parë si musliman.
Ky qëndrim mbështetet në disa argumente, e që këtu do të veçojmë dy:
a-Ajeti Kur’anor:<<Thuaju atyre që nuk besuan, nëse heqin dorë (nga rruga e tyre e gabuar dhe besojnë) do t’u falet e kaluara, po nëse vazhdojnë, ligji (i Zotit), i zbatuar ndaj të parëve është i ditur (edhe ju do t’ju zë)>> [el-Enfal: 38] >>, ajet ky i cili argumenton se nëse një jo musliman hyn në Islam, Allahu ia falë ato që ka bërë para hyrjes në Islam.
b-Hadithi:”Pendimi i fshinë ato që janë bërë më parë, dhe Islami e rrënon atë që ka qenë më parë”.
Ndërkaq, sipas medhhebit Shafi’it dhe Hanbelit, personi i cili ka qenë musliman, pastaj e len për një kohë Islamin, e pastaj pendohet dhe përsëri kthehet, obligohet t’i falë kaza namazet të cilat i kanë kaluar në atë kohë derisa ka qenë jo musliman.
Këta, konstatimin e tyre e mbështesin në disa arsyetime, e që këtu do ta përmendim atë se, sipas tyre, ky obligim lidhet me faktin se ky person më herët ka besuar se namazi është obligim.
Ne i ndjekim dijetarët të cilët e mbështesin mendimin e parë, gjegjësisht, personi i cili ka qenë musliman, pastaj e ka lënë Islamin për një kohë, pastaj është penduar dhe është kthyer në Islam, nuk obligohet t’i bëjë kaza namazet të cilat i ka lënë për aq kohë sa është identifikuar si jo musliman. Këtë person e këshillojmë që pos namazeve farze, të fal edhe namaze tjera jo obligative-nafile.
Allahu e di më së miri.