Hfz. Mehas Alija
Falënderimi i takon Zotit të botëve, salavatet dhe selamet i takojnë të Dërguarit të Tij, familjes, shokëve dhe gjithë atyre që e pasojnë për të mirë deri në ditën e gjykimit.
“Thuaj: “Vetëm mirësisë së All-llahut dhe mëshirës së Tij le t’i gëzohen, se është shumë më e dobishme se ajo që grumbullojnë ata.” (Junus, 58)
“Për agjëruesin ka dy gëzime: Gëzimi i parë është kur të çel iftar, kurse gëzimi i dytë është kur të takojë Allahun xh.sh. në Ditën e Gjykimit.” (Hadith, Imam Muslimi)
I dashur xhemat!
Ardhja e muajit të bekuar të Ramazanit sa nuk na ka trokitur në dyert tona. Ai sonte, me namaz të akshamit, do të na gëzoj me hënën e re. E jona është t’i hapim krahët dhe ta presim me nderimet më të larta, siç meriton të pritet mysafirimi më i mirë. Po vjen muaji i thesareve dhe urtësive, i vlerave të larta morale dhe fetare, shpëtuesi ynë, muaji i pranverës së shpirtit dhe besimit, Ramazani i bekuar, i cili, pos që na i ndez dritat e shtëpive dhe lagjeve tona, ndez dritat e ibadetit dhe të përkushtimit tonë. Dëshiroj ta them një gjë prej sot, prej fillimit të Ramazanit: Një ditë, dhe atë shumë shpejt, pas një muaji, do t’i themi edhe Lamtumirë. Prandaj, le të kemi kujdes me mysafirin e Allahut xh.sh., i cili vjen midis nesh vetëm njëherë në vit.
Vëllezër dhe motra të nderuara!
Në këtë hutbe dëshiroj të tregoj për atë se si Muhammedi a.s. e lajmëronte ardhjen e muajit të Ramazanit dhe se si ai e përjetonte , së bashku me sahabët, këtë muaj të ndritur dhe të bekuar. Kur afrohej fundi i muajit Sh’aban dhe fillimi i Ramazanit, Muhammedi a.s. i uronte shokët e tij kështu: “O njerëz, ju ka ardhur Ramazani, muaj i bekuar. Allahu ua ka obliguar agjërimin e këtij muaji. Në këtë muaj hapen dyert e qiellit, mbyllen dyert e xhehenemit, lidhen në pranga shejtanët. Allahu në këtë muaj ka (veçuar) një natë, e cila është më e mirë se një mijë muaj. Ai që privohet nga të mirat e kësaj nate, është privuar nga çdo e mirë.” (Imam Ahmedi, Imam Nesaiu).
Nuk ka njeri në botë që e ka shfrytëzuar më mirë dhe më arsyeshëm mirësinë dhe begatinë e Ramazanit sesa Muhammedi a.s. Ai arriti në jetën e tij t’i agjëroj vetëm nëntë ramazane, por mos pyetni se sa të bukur ishin ato. Ai në këtë muaj ishte si era, që lëvizte herë andej e hërë këndej, për të qenë më bujari prej të gjithëve.
Ai s.a.v.s. me shumë gëzim ju thoshte njerëzve dhe shokëve të vet: “Zoti i ka dhënë Ummetit tim pesë dhurata në Ramazan dhe askujt tjetër përveç Umetit tim nuk ia ka dhënë. Ato janë:
– Era e gojës së agjëruesit, është më e dashur tek Zoti se era a parfumit misk.
– Për agjëruesin luten të gjithë krijesat e Zotit, deri në momentin kur ai çel iftar.
– Xheneti zbukurohet çdo ditë të Ramazanit për agjëruesin dhe Zoti i thotë: “Zbukurohu o Xhenneti Im. Bëhu gati për robërit e Mi. Ata shumë shpejt do të vijnë tek ti”.
– Në Ramazan prangosen shejtanët, të cilët nuk kanë forcë mbi njeriun.
– Natën e fundit të Ramazanit agjëruesit i falen gjynahet.
Nga ana tjetër, edhe vetë sahabët, të edukuar dhe mësuar nga mësuesi i njerëzisë, Muhammedi a.s., ramazanin nuk e kishin sikur muajt e tjerë. Tregon Enesi r.a.: “Shokët e Muhammedit a.s. kur e shihnin hënën e muajit Sha’ban e kapnin mus’hafin dhe fillon me leximin e Kur’anit. Atëherë muslimanët përgatiteshin ta ndanin zeqatin nga pasuria, ashtu që t’i forconin dhe mobilizonin të dobëtit dhe fukarenjve t’ua lehtësonin ramazanin. Njerëzit e pushtetit i dënonin delikuentët që meritonin dënimin, kurse të tjerëve ua falnin lirinë. Tregëtarët paguanin borxhet dhe merrnin ofertat e tyre. Ndërkoh, kur e shihnin hënën e Ramazanit, atëherë pastroheshin dhe i përkushtoheshin plotësisiht ibadetit.” (Esh-Shejh në El-Gunj).
Është pyetur sahabiu i nderuar, Abdullah ibn Mesudi, se si e pritnin ata muajin e bekuar të Ramazanit, ai është përgjigjur: “Kur vinte muaji i Ramazanit, në zemrat tona nuk kishte asnjë urrejtje ndaj askujt.”
Po ashtu tregohet se kur vinte nata e parë e Ramazanit, shokët e Muhammedit a.s. e kapnin njëri – tjetrin për qafe dhe me lot në sy thoshin: “Shyqyr o vëlla që e arritëm muajin e Ramazanit”. Ata përqendroheshin tek vetja e tyre me duatë, me dhikrin, namazet dhe me leximin e Kuranit, sikur nuk njihnin asnjë njeri tjetër.
Po kështu edhe prindërit tanë përgatiteshin për muajin e Ramazanit. Lyenin dhomat me gëlqere, pastronin shtëpitë, agjëronin ditë të tëra para ramazanit, kërkonin hallallin njëri-tjetrin, bënin teube dhe istigfar, përgatitnin fëmijët, etj. Gjithandej, nëpër lagjet tona ndihej gëzimi dhe ndjehej ardhja e Ramazanit.
Për fund, na qoftë për hajr ardhja e Ramazanit 2017. Ia kalofshim me lehtësi dhe me përfitime të mëdha inshallah. Një lutje të veçantë për ata që punojnë: E paçi ndihmën e madhe të Allahut gjatë agjërimit dhe netëve të taravive.
(Hutbeja e xhumasë, 26.05.2017, e xhuma, El-Hidaje, St.Gallen, Zvicër)