Deklaratë e Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër në lidhje me masakrën në redaksinë e revistës “Charlie Hebdo” në Paris
Aarburg, 7 Janar 2015
Terrorizmi nuk ka ngjyrë, fe dhe përkatësi kombëtare.
Kjo që ndodhi në Francë, në redaksinë e revistës “Charlie Hebdo” në Paris është tragjedi, vepër makabre dhe e papranuar për ne si përfaqësues të muslimanëve shqiptarë në Zvicër por edhe si prijës fetarë islam.
E ndiejmë për obligim moral të reagojmë dhe do të reagojmë çdo herë kur të shkelen të drejtat e njeriut, kur të cenohet liria e të menduarit, e manifestimit të fesë dhe bindjeve, kur rrezikohet siguria e njerëzve, e aq më tepër kur këto vepra bëhen në emër të Islamit dhe muslimanëve paqedashës që jetojnë në Perëndim, vepra që mund të jenë të individëve apo grupeve të vogla ekstremiste që as vetë nuk dinë kujt i shërbejnë dhe në emër të kujt veprojnë, e sigurisht kurrsesi në emër të muslimanëve dhe Islamit.
Ekstremizmi dhe terrorizmi nuk kanë ngjyrë, fe dhe përkatësi kombëtare, dhe janë të papranuara si mjete për zgjidhjen e problemeve, konflikteve dhe diversitetit në të menduar.
Ftojmë të gjitha mendjet e shëndosha, si intelektualët, politologët, përfaqësuesit e mediumeve të shkruara, atyre vizuale dhe masat e gjëra, të ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos fusin të gjithë muslimanët në një thes, por këtë çështje t’ia besojnë organeve të sigurisë dhe drejtësisë, ndërsa aktorët të marrin dënimin e merituar.
Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër është përcaktuar që të ndjek vetëm një rrugë, dialogun ndërkonfesional, tolerancën, respektimin e diveristetit kulturor, fetar dhe etnik duke i kontribuar çdo herë paqes, dashurisë dhe altruizmit, larg urrejtjes, përçarjes dhe intolerancës.
Këtë mesazh paqedashës shqiptarët do ta përcjellin deri në pafundësi, këtë tolerancë dhe bashkëjetesë ndërkonfesionale shqiptarët më së miri e kanë kultivuar dhe duhet kultivuar, dhe ne shprehim ngushëllime dhe ndiejmë keqardhje nga kjo tragjedi që preku Francën e veçanërisht muslimanët e Francës.
Ngushëllime dhe shumë durim ju shprehim familjarëve të viktimave dhe të gjithë atyre që janë prekur nga ky rast tragjik.
Kryetari i UISHZ
Nehat Ismaili