Dua hatmeje e grave në Regensdorf
Dita e diel, 01.07.2012, ishte edhe një ditë feste, pasi që në këtë ditë pas namazit të drekës u mbajt një manifestim madhështor në xhaminë e Regensdorfit me rastin e përfundimit të hatmes së Kurani Kerimit, edhe ate nga 25 vajza dhe gra të moshave të ndryshme nën kujdesin e mualimes mr. Zelije Sulejmani-Bunjaku.
Këto vajza dhe gra mësimin fetar e kishin filluar në xhaminë e Wetzikonit, e më pas për shkak të kushteve më të volitshme vazhduan dhe përfunduan mësimin dhe hatmen në xhaminë e Regensdorfit.
Programin e monitoroi mualimja mr. Zelija, që pas falenderimit të Allahut dhe salevateve mbi Muhamedin a.s., falënderoi imamin dhe kryesinë e xhamisë së Regensdorfit për bashkëpunimin, organizimin dhe për të gjithë përgatitjen që ofruan që ky manifestim të jetë sa më madhështor, pastaj falenderoi nxënëset për përkushtimin e tyre dhe suksesin që treguan gjatë kësaj periudhe tri vjeçare në ndjekjen e mësimit fetar, siç falënderoi dhe përshëndeti të gjithë të pranishmet.
Programi i cili zgjati rreth tre orë ishte i pasuruar me lexim të Kurani Kerimit, tekbire, ilahi, recitim poezish, testim i njohurive rreth Islamit në formë pyetje-përgjigje si dhe këndimi përmendësh i shumë sureve kuranore si: Fatiha, fillimi dhe fundi i sures Bekare, suret Jasin, Er-Rahman, Xhumua, Munafikunë, Mulk, Nuh, Muzzemmil, Muddethir, Kijame, Insan si dhe xhuzin Amme (xhuzin e 30-të).
Këtë manifestim edhe më tepër e zbukuroi pjesëmarrja e rreth 550 grave nga vende të ndryshme të Zvicrës.
Programi përfundoi me duan e hatmes që e beri mr. Zelija dhe më pas nga familjarët e këtyre vajzave dhe grave u shtrua ushqim dhe ëmbëlsira për të pranishmet në manifestim.
Duke i dëshiruar punë të mbarë dhe suksese edhe në të ardhmen mualimes së nderuar mr. Zelijes, e lusim Allahun xh.sh. që ta shpërblejë për mundin, kontributin, aktivitetet dhe punën që bën për ngritjen e nivelit dhe vetdijes fetare të muslimanëve në përgjithësi e të femrave në veçanti që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër.
Vajzat dhe gratë që kryen hatmen: Ajshe, Zenur, Teuta, Krenare, Melisa, Suzana, Nezajet, Mevlana, Anita, Ersa, Shehide, Sumbul, Elhana, Valdete, Muxhela, Shiqibe, Arlinda, Merita, Fatushe, Hajrije, Neriman, Razije, Mirushe, Safije, Miradije.
Mr. Ferit Zeqiri