Reagim në lidhje me satirizimin e Profetit Muhamed nga revista Charlie Hebdo
Aarburg 14.01.2015
Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër me shqetësim të madh është duke përcjellë situatën e fundit të krijuar nga revista satirike parisiene “Charlie Hebdo”, e cila në mënyrë tendencioze dhe sistematike provokon ndjenjat e mbi 1.5 miliard muslimanëve në mbarë rruzullin tokësor.
Satirizimi i profetit Muhamed a.s. është i papranueshëm, është fyes, denigrues dhe provokues për ndjenjat e besimtarëve muslimanëve në botë.
Ne e dënojmë ashpër këtë akt të ulët të kësaj reviste, e cila duke u mbrojtur nën të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes synon të mbjellë islamofobinë madje edhe armiqësinë ndaj Islamit dhe muslimanëve.
Në emër të kësaj motoje cenohen liritë dhe të drejtat e besimit të muslimanëve, të garantuara me konventa ndërkombëtare.
Ne ua bëjmë me dije të gjithë qytetarëve evropianë se Islami na mësoi ta duam këtë njeri, profetin Muhamed, i cili është i dashur për ne dhe i pazëvendësueshëm. Ai është njeriu i cili luftoi për të drejtat e njeriut, luftoi diskriminimin racor, gjinor dhe etnik. Ai na mësoi lirinë e të shprehurit dhe të menduarit si dhe barazinë, na mësoi ta duam tjetrin dhe ta respektojmë bindjen dhe besimin e tij. Na mësoi t’i duam dhe t’i respektojmë të gjithë profetët tjerë të Zotit, siç janë profetët Isa dhe Musa, paqja e Allahut qoftë mbi të gjithë ata. Na mësoi që ta duam njeriun si krijesë e respektueshme dhe e dinjitetshme, që njerëzimi të ndërtojnë një shoqëri të shëndoshë dhe të bashkëjetojnë mes vete në paqe, harmoni dhe tolerancë.
Islami i mëson pjesëtarët e saj që në asnjë mënyrë të mos e fyejnë shenjtërinë e besimeve të tjera, të mos i provokojnë figurat markante shpirtërore të tyre, porse t’i llogarisin si pasuri dhe thesar i paçmueshëm.
Vallë, a nuk duhet të ketë një ekuilibër dhe përputhje mes lirisë së të shprehurit e të menduarit dhe lirisë së ushtrimit të bindjeve fetare dhe manifestimit të fesë, që të gjitha të garantuara me konventa ndërkombëtare?!
Vallë, a duhet të rrënohen vlerat, principet dhe shenjtëritë e një besimi të mbi 1.5 miliard muslimanësh në botë dhe tërë kjo në emër të motos “liri e të shprehurit dhe të menduarit”?!
Cili është mesazhi i cili jep të kuptohet kur portretizohet Profeti Muhamed, sipas kësaj reviste se “ky është terroristi i parë”, se “Islami është fe beduinësh, terroristësh, njerëzish të pagdhendur”, se duhet denigruar, izoluar, se gjoja muslimanët janë kundër vlerave perëndimore etj.?! Apo ndoshta synohet të testohet vetëdija e muslimanëve në “të mirë, të integruar” dhe “të këqij e të pa integruar”, mos vallë kjo është mënyra më e duhur e integrimit të muslimanëve? Ne besojmë që kjo shkakton shkarje të mëdha në shoqëri dhe nuk i kontribuon harmonisë ndërnjerëzore.
Ftojmë të gjitha mendjet e ndritura, intelektualët, prijësit e institucioneve kishtare, politologët, shoqatat e ndryshme që të solidarizohen me muslimanët ashtu siç u solidarizuan muslimanët me popullin francez më 11 janar, ta gjykojnë ashpër këtë veprim tendencioz dhe dashakeq të kësaj reviste, të mos lejojnë që paqen dhe harmoninë ndërnjerëzore ta cenojnë njerëz të pamatur dhe joserioz.
Kërkojmë nga institucionet me relevancë, nga ambasadat e shteteve arabe dhe islame, që të ushtrojnë ndikimin e tyre, për të ngritur këtë çështje në instancat më të larta të vendimmarrjes në suaza të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që të sjellin një ligj as më pak e as ma shumë por të ngjashëm siç është ligji mbi antisemitizmin dhe vënien në dyshim të çështjes së Holokausit. Një Ligj i cili ndalon fyerjen dhe abuzimin me fetë dhe librat qiellor. Në të kundërtën kuptojmë se loja është e qëllimshme, me dy standarde, e rrezikshme me dëme të pariparueshme për procesin e multikulturalizmit dhe integrimit të muslimanëve në shoqëritë ku jetojnë.
Porosia jonë ndaj besimtarëve muslimanë është që ta ndjekin rrugën e paqes, dashurisë dhe promovimit të vlerave të Islamit, sepse kështu na mësoi profeti Muhamed, që fyerjes dhe abuzimit t’i përgjigjemi me urtësi dhe moral të lartë.
Kryetar i UISHZ
Imam Nehat ISMAILI