Thun – Nxënësit përfunduan kursin në dituri Islame
Në përgjithësi, të gjithë ishin të shokuar. Secili përpiqej të mos flasë, por e ndjente dhimbjen në vetvete. Pasi përfundoi ky takim, shumë prej të pranishmëve u drejtuan për në lokalin tjetër të xhamisë.
Winkeln, 24 gusht
Foto dhe teksti: Dashnim HEBIBI
Sot, pas namazit të drekës, u organizua një takim informimi dhe ngushëllimi, në të cilin, përveç pranisë së imamit të kësaj xhamie, Kryesisë dhe anëtarëve, mori pjesë edhe dr. Hisham Maizar, kryetar i Federatës së Organizatave Islame në Zvicër; mr. Nehat Ismaili, kryetar i Unionit të Imamëve Shqiptarë të Zvicrës; mr.Bekim Alimi, imam i xhamisë në Wil të St.Gallenit dhe një medium zviceran, kurse namazin e drekës e falën mbi 100 besimtarë.
Menjëherë pas namazit të drekës, në të cilin morën pjesë hiç më pak se mbi 100 besimtarë, filloi takimi, të cilin e hapi imami i kësaj xhamie, Mehas Alija, me disa fjalë përshëndetëse dhe ngushëlluese.
Ai, ndër të tjera, tha: «I falënderoj të pranishmit dhe të gjithë ju, anëtarë të xhamisë, për praninë dhe për ngushëllimet që po na jepni edhe ne si imam dhe Kryesi e xhamisë. E diela na bashkoi në këtë namaz të drekës të gjithëve, por me dhimbje të rëndë. Na ka goditur një sprovë e madhe. Edhe një herë i shprehim ngushëllime familjes së të ndjerit, i cili ishte anëtar i xhamisë sonë, miqve të tij dhe të gjithë atyre që e kanë njohur. Vrasjet në xhami natyrisht se janë edhe më të rënda, ose përjetohen më ndryshe. Ne si popull shqiptar dhe si myslimanë kemi tradita të mira, me të cilat krenohemi edhe para të huajve, kurse rasti i së premtes nuk është në traditën tonë. E kisha lutur Kryesinë tonë dhe anëtarët e xhamisë, si dhe gjithë besimtarët që janë në këtë pjesë të Zvicrës që ta rimarrin veten. Krahas dhimbjes, të gjejmë edhe kurajë, se rasti nuk ishte fetar, ideologjik, apo politik. Nuk ka të bëjë me motive fetare, por ai është i kufizuar. Dorasi nuk është i njohur për ne, ai nuk ishte anëtar i xhamisë sonë kurse i ndjeri po. Besimtarët nuk duhet të thyhen dhe duhet të vazhdojnë të vijnë në xhami për t’i kryer obligimet e tyre. Xhamia jonë i ka hapur dyert dhe vazhdimisht po vijnë për të na ngushëlluar, e kjo na ndihmon shumë. Fëmijëve të mos u mbillet frika, por të vijnë e ta mësojnë mësim besimin, ashtu siç kemi lajmëruar më herët që të fillojmë nga java tjetër. Mos u largoni nga xhamia! Lusim Allahun që më kurrë të mos ndodhë ndonjë rast i tillë. Lutemi për paqe gjithandej botës. Lidhur me rastin do të merret drejtësia në Zvicër. Edhe një herë, e ngushëllojmë familjen dhe të gjithë ata që e kanë njohur të ndjerin». Fjalët e imamit të xhamisë, për përfaqësuesit e medieve zvicerane, i përktheu shkurtimisht në gjuhën gjermane teologu mr.Bekim Alimi.
Vrasja nuk kishte motive fetare, as politike
Besojmë në ligjin dhe në drejtësinë zvicerane
Edhe sekretari i xhamisë, Bekim Berisha, e lexoi një deklaratë në gjuhën gjermane për mediet dhe për të pranishmit, duke e sqaruar në pika të shkurtra në lidhje me aktin e ngjarjes të së premtes, të cilin Kryesia dhe anëtarët e xhamisë e kanë përjetuar rëndë dhe janë në gjendje të shokuar me atë çfarë ndodhi. Para të pranishmëve, me disa fjalë u drejtua edhe dr. Hisham Maizar, kryetar i Federatës së Organizatave Islame në Zvicër, që njihet me inicialet FIDS, i cili e ngushëlloi familjen e të ndjerit, Kryesinë e xhamisë, imamin dhe të gjithë anëtarët e saj. Edhe ai sqaroi se sipas Fesë Islame, të gjitha vrasjet janë të dënueshme dhe paralajmëroi se së shpejti do të mbahet një takim me gazetarë, me ç’rast do të prononcohen më hollësisht për rastin, pasi drejtësia zvicerane të sqarojë gjithçka që ka ndodhur në këtë xhami. Prandaj, besoj se kemi mirëkuptim, theksoi, ndër të tjera, ai.
Në fund të këtij takimi fjalën e mori përsëri imami i xhamisë, i cili i njoftoi të gjithë të pranishmit trupi i të ndjerit është ende në Zvicër, pra ende nuk është përcjellë për në Atdhe, meqë ende nuk është kryer autopsia nga organet përgjegjëse zvicerane, kurse kjo do të bëhet sapo te merret informata se gjithçka është në rregull edhe nga familja, për ç’gjë do të ketë njoftim me kohë. Ai edhe një herë e falënderoi policinë që ka ardhur menjëherë në vendngjarje, Kryesinë e xhamisë dhe të gjithë anëtarët e saj për çdo gjë që kanë bërë dhe po bëjnë.
Ngushëllime nga thellësia e shpirtit
Për portalin ‘dialogplus’, ne e siguruam edhe një prononcim nga myezini i asaj dite, zoti N. Hajdari, nga Gostivari, i cili e kishte njohur të ndjerin dhe disa herë ishte falur afër tij. Ai me lot në sy tregonte se ai ishte besimtar i mirë dhe, në përgjithësi, njeri i mirë. Siç na tha zoti Hajdari, i ndjeri gjithmonë ishte falur aty afër dritares dhe po atë ditë, pra të premten, ishte po në atë vend, kur i ka dëgjuar krismat e pushkës. Ai na tha se në fillim i është dukur sikur ka plasur diçka poshtë xhamisë, ku janë disa boca me gaz, por menjëherë e ka kuptuar se ishte krismë pushke. Ka mbetur i shokuar, pa koment. «Zoti mos e provoftë askënd me atë që ka ndodhur të premten në xhaminë tonë. Familjes i shpreh ngushëllime nga zemra, ne edhe ishim te familja e të ndjerit, ku natyrisht ka mërzi. Edhe ne, e kemi pasur si shok, sepse jemi takuar shpesh kur vinim në xhami, por edhe jashtë xhamisë. Zoti e shpërbleftë me xhenet! Ai shkoi në botën e përjetshme me abdes, me namaz të xhumasë e të drekës. Këto raste janë të rënda, shumë të dhimbshme. Ja vendi ku është vrarë, bile ta bëj një lutje për të dhe plot të tjerë. Janë vendosur lule në atë vend. Nuk e kemi të lehtë ta harrojmë atë ngjarje, por duhet kuptuar», tha ai.
U kthyem nga Winkeln, aty nga ora 16.00, duke u lutur që kurrë më të mos ndodhin raste të tilla, jo vetëm nëpër xhami, por askund, si dhe të mbretërojë paqja në gjithë botën. Familjes së të ndjerit, Kryesisë së xhamisë, imamit të saj, miqve të tij dhe të gjithë atyre që e kanë njohur u shprehim ngushëllime të thella!