Disa pyetje lidhur me haxhin
Pyetja:
Ne jemi në perendim, dhe pasi që u kthyem prej haxhi, një fqinj i jonë jomusliman kërkoi ti japim ujë zemzemi. Ne i dhamë, sepse nuk patëm guxim ta refuzojmë që mos keqkuptohemi, por pastaj lindi polemika në familje nëse kjo është e lejuar, ngase në pyetje është uji i zemzemit. A kemi bërë ndonji gabim?
Përgjigjja:
Fillimisht Allahu e pranoftë haxhin tuaj dhe të gjithë besimtarëve. Ju nuk keni bërë gabim se i keni dhënë një jomuslimani të pijë ujë zemzemi, sepse Pejgamberi s.a.v.s. para se të ndalohet hyrja e idhujtarëve në Mekë, nuk i ka ndaluar të pijnë ujë zemzemi dhe as që ka lënë porosi të tillë.
Uji i zemzemit na përkujton në momentet e fillimit të banimit të qytetit të Mekes dhe ditëve të para të pejgamberit të Allahut, Ismailit a.s., prej pasardhësve të të cilit është edhe Muhamedi s.a.v.s. Po ashtu, Muhamedi s.a.v.s. ka folur për vlerën e ujit të zemzemit duke potencuar se është i pastër dhe shërim për njeriun, por e gjithë kjo nuk do të thotë se ky ujë mund të pihet vetëm nga muslimanët.
Ka qenë mire që kur t’i jepet një jo muslimani uji i zemzemit ti tregohet për vlerën e këtij uji, nëse ai nuk ka njohuri, si dhe të bëhet nijet nga muslimani që uji i zemzemit të jetë shërim për zemrën e jomuslimanit nga sëmundja e mosbesimit në të vërtetat Islame.
Allahu e di më së miri.
Pyetja:
Unë shkova bedel për babain tim vitin e kaluar, por kur u ktheva disa më thanë se kjo është kotë, sepse njeriut i takon vetëm ajo që e ka bërë vetë. A është e vërtetë se bedeli në haxh nuk ka vlerë?
Përgjigjja:
Fillimisht më duhet të them se inshallah je shpërblyer për këtë vepër të mire ndaj prindit tënd, sepse jo vetëm që e ke kryer një obligim që e ka patur ai obligim ta kryej, nëse i ka plotësuar kushtet, por kjo është edhe mirësi ndaj tij. Do të thotë se ke sevapin e haxhit, dhe sevapin e mirësisë ndaj prindërve.
Bedeli është legjitim, dhe vetë Pejgamberi s.a.v.s. e ka legjitimuar, gjegjësisht duke e bërë haxhin, e ka dëgjuar një njeri duke e bërë haxhin për një të afërm të vetë i cili quhej Shubrume. Pejgamberi s.a.v.s. e pyeti se a e ka kryer ky haxhin së pari për vete? Ai u përgjigj:Jo. Pejgamberi s.a.v.s. i tha:” Së pari bëne haxhin për vete, e pastaj për Shubrumen”.
Ky hadith flet qartë se muslimani mund ta bëjë haxhin për tjetrin, pra të shkoj bedel, dhe kjo ka rëndësi, apo nuk është për kot. Nëse dikush e ka patur obligim haxhin, por ka vdekur para se ta kryer, dhe pastaj dikush e bën haxhin për të, personi përkatës lirohet prej bligimit.
Është e vërtetë se njeriut i takon ajo që e ka bërë vetë, por nuk do të thotë se nuk ka shpërblim edhe për atë që e bëjnë tjerët për të. Kështu, nëse lutesh për të, i vdekuri ka dobi; nëse jep lëmoshë për të, ai ka dobi; po ashtu edhe haxhi, është adhurim që kryhet me trup dhe me mjete materiale, që do të thotë se mund të kryhet edhe nga ndonji tjetër dhe personi për të cilin bëhet nijet ka dobi.
Nuk ka nevojë njeriu të dëgjojë fjalë djathtas e majtas. Për këto çështje duhet drejtuar burimeve islame. Burimet islame e kanë legjitimuar bedelin për haxh, për atë edhe muslimanit nuk i duhet autoritet tjetër.
Allahu e di më së miri.
Pyetja:
Unë kam vendosur këtë vit ta bëj haxhin, por në bazë të datave që i kam konsultuar përkitazi me udhëtimin, mendoj se para se të nisemi do ta kem kohën e menstruacioneve dhe tavafi i fundit mund të më mbes pa bërë. Si të veproj nëse më vijnë menstruacionet para se ta bëjë tavafin e fundit?
Përgjigjja:
Së pari e lus Allahun ta pranojë haxhin prej atyre të cilët e kanë bërë dhe t’ua mundësojë ta bëjnë haxhin atyre të cilët ende nuk e kanë bërë.
Në rastin konkret, pra kur gruaja e ka kohen e menstruacioneve mu në atë afat kohor kur kryhet haxhi, ka mundësi që të përdor tableta të cilat i ndalojnë menstruacionet, me qëllim që të jetë më e lirë dhe mos ketë frikë se do t’i ngel diçka pa bërë. Normalisht, kjo vlen nëse nuk ka pasoja për shëndetin e gruas.
Përndryshe, gruaja mund edhe mos të përdor tableta për ndërprerjen e menstruacioneve, e nëse i vjen menstruacionet para tavafit të fundit, gjegjësisht tavafit veda-të lamtumirës, ajo nuk obligohet me këtë tavaf. Pra, ky tavaf bie nga ajo dhe nuk ka obligim të kompenzimit. Ajo do të niset me grupin dhe haxhin e ka tamam inshallah, edhe pse nuk e ka bërë tavafin veda, ngase ka patur një shkak të fortëqë e ka ndaluar nga ky tavaf. Pastaj, duhet ditur se ky tavaf nuk është farz apo konditë e haxhit, ashtu që nuk dëmtohet haxhi seriozisht nga lënia e këtij tavafi.
Normalisht, besimtari apo besimtareja që nuk ka pengesa, nuk bën ta lënë këtë tavaf, ngase me këtë do të lëshonin mirësi të mëdha nga dora e tyre.
Allahu e di më së miri.
Bashkim Aliu