Liria e shprehjes
Bashkim Aliu
Liria është fjala më e dashur për njeriun, dhe historikisht, njeriu ka bërë sakrifica të mëdha dhe ka paguar çmim të lartë për lirinë. Të gjitha fetë, religjionet, doktrinat e ndryshme, kartat e miratuara nga institucione ndërkombëtare e rajonale, e kanë nënvizuar çështjen e lirisë së njeriut dhe të drejtave të tij.
“Liria e shprehjes është një nga kushtet themelore të përparimit të çdo njeriu. Liria e shprehjes manifestohet në ma tepër forma:në lirinë e shtypit, emetimin e programit televiziv, reklama dhe aktivitete komerciale, e drejta e politikanëve, artistëve, shkencëtarëve për tu shprehur përmes mjeteve të informimit ose në ndonjë mënyrë tjetër”[1].
Islami ia njohu njeriut, si qenie e dalluar e Zotit, lirinë e mendimit dhe të shprehjes, dhe këtë ia garantoi si të drejtë të tij parimore.
Islami i mohoi ashpër të gjitha format stereotipe të ndalimit të mendimit dhe shprehjes së lirë, të cilat ishin tipare fundamentale të mendësisë idhujtare klasike, e që në fakt devalvonin njeriun. Vijë këtij konstatimi, Islami siguroi hapësirë të mjaftueshme të lirisë së besimit dhe shprehjes, duke e lënë njeriun e lirë të zgjedh besimin që e do, dhe nga ana tjetër, duke e ndaluar rreptësisht imponimin e fesë dhe besimit me forcë e dhunë, të shprehur në versetin Kur’anor: “Në fe nuk ka dhunë. Është sqaruar e vërteta nga e kota. E kush nuk i beson (tagutët) të pavërtetat, e i beson Allahut, ai është kapur për lidhjen më të fortë, e cila nuk ka këputje. Allahu është dëgjues i dijshëm”.[2] Në këtë kontekst mund të përmendet edhe ajeti: “E ti thuaj: “E vërteta është nga Zoti juaj, e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë… “.[3]
Tërë këtë hapësirë të gjerë të lirisë, e ka shprehur qartë kalifi i dytë musliman Omeri, i cili iu drejtua njërit nga guvernatorët e vetë: ”O Amër, kur i robëruat njerëzit, ndërkaq nënat e tyre i kanë lindur të lirë”.
Mirëpo, e gjithë kjo hapësirë e lirisë së mendimit, besimit dhe shprehjes, figurativisht do të thoshim, nuk nënkupton vasionën, për syrin e njeriut të pa fund, por është një fushë që ka rregulla dhe norma e kufij të caktuar, pra është me përgjegjësi, me qëllim që të mos krijohet anarki në emër të të drejtave të njeriut, lirisë së shprehjes dhe mendimit, sepse liri absolute, si që mund ta pretendojnë anarkistët, nuk ekziston as në shtetet dhe ligjet më liberale në botë. Liria e tillë, në fakt, nuk nënkupton lirinë, por anarkinë, dhe gjithqysh cenimin e dinjitetit dhe autoritetit të njeriut, si qenie ma e dalluar e Zotit në botë.
Liria e shprehjes, nuk mund të jetë në llogari të shkeljes së nderit, dinjitetit dhe nëpërkëmbjes së nderit të tjetrit, as që nënkupton talljen me vlerat dhe parimet e shenjta të tjetrit.
Këto kufij dhe norma, janë të potencuara qartë në burimet Islame. Kështu, Kur’ani famëmadh, këtë e shpreh qartë dhe në mënyrë sublime me fjalët:”Ve la ta’tedu – Dhe mos i tejkaloni kufijtë”.
Po ashtu, profeti Muhamed, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dhe mbi të gjithë profetët tjerë, thotë:”Nuk lejohet dëmi fillestar, po as ai që bëhet si reaksion ndaj një padrejtësie”.[4]
Në drejtim të ndalimit të talljes, jo vetëm me personalitetet fetare që kanë pozitë të lartë te pjesëtarët e besimeve të ndryshme, por edhe me gjithë njerëzit tjerë, normat Islame janë të qarta, që do të thotë se liria e shprehjes nuk mund të shndërrohet në tallje me tjetrin, ashtu që të preket dinjiteti dhe autoriteti e nderi i tij. Kur’ani në këtë drejtim është i qartë: “O ju që besuat, nuk bën të tallet një popull me një popull tjetër, meqë të përqeshurit mund të jenë më të mirë nga ata të cilët përqeshin dikë tjetër…”, pastaj vazhdon: “dhe mos etiketoni njëri tjetrin me llagape”.[5]
Ky është edhe qëndrim i të gjitha feve.
Në drejtim të respektimit të besimit dhe personaliteteve fetare të tjetrit, po ashtu Islami është i qartë. Në Kur’an qëndron: “I dërguari i besoi asaj që iu shpall prej Zotit të Tij, e ashtu edhe besimtarët. Secili i besoi Allahut, engjëjve të Tij, shpalljeve të Tij, të dërguarve të Tij. Ne nuk bëjmë dallim në asnjërin nga të dërguarit e Tij…”.[6]
Në drejtim të pengimit të fyerjeve reciproke dhe provokimit të ftohjes së marrëdhënieve mes pjesëtarëve të besimeve të ndryshme, Islami ka vënë rregull të qartë, mos inico fyerje. Në Kur’an qëndron:”Dhe mos i fyeni ata të cilët lusin tjerë pos Allahut, që pastaj ata ta fyejnë Zotin pa të drejtë”.
E gjithë kjo, është konform konventave ndërkombëtare dhe rajonale për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut, po ashtu janë mesazh i qartë për botën nga muslimanët, se jemi të interesuar për integrim e jo izolim, mirëkuptim e jo zënka, dialog e jo konfrontim, bashkëpunim e jo ftohje të marrëdhënieve, që për momentin aktual janë shumë të rëndësishme për opinionin botërorë.
Edhe e drejta ndërkombëtare e mbështet qëndrimin islam në këtë fushë. Kështu, në nenin 19 të deklaratës së përgjithshme për të drejtat e njeriut thuhet:”Çdo njeri ka të drejtën e lirisë së opinionit dhe të shprehjes gjë që nënkupton të drejtën për të mos u prekur për shkak të opinioneve të tij si dhe të drejtën për të kërkuar, për të marrë dhe për të përhapur informata dhe ide ne çfarëdo mjeti të mundshëm dhe pavarësisht nga kufijtë”.
Në anën tjetër, në nenin 29, pika 1 dhe 2 qëndron:”Në ushtrimin e të drejtave dhe në gëzimin e lirive të tij, çdo njeri u nënshtrohet vetëm kufizimeve të përcaktuara me ligj dhe vetëm me qëllim që të sigurohen njohja dhe respektimi i të drejtave të tjerëve dhe për t’iu përgjigjur kërkesave të drejta të moralit, të rendit publik dhe të mirëqenies së përgjithshme në një shoqëri demokratike.(2)Këto të drejta dhe liri nuk mund të ushtrohen, në asnjë rast, në kundërshtim me qëllimet dhe parimet e Kombeve të Bashkuara.(3)
Ndërkaq në kartën e Kombeve të Bashkuara, në nenin 1, ku përshkruhen qëllimet e kombeve të bashkuara, thuhet:Të zhvillojnë bashkëpunim ndërkombëtar duke zgjidhur problemet ndërkombëtare të karakterit ekonomik, shoqërorë, kulturor ose humanitar, duke nxitur dhe përkrahur respektimin e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore për të gjithë pa dallim race, seksi, gjuhe ose feje.
Po ashtu, edhe në konventën evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, të miratuar më 4 nëntor 1950 në Romë, në nenin e 10 qëndron:”Çdo person ka të drejtën e shprehjes. Kjo e drejtë përfshinë lirinë e opinionit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informata ose mendime pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë shtetëror.(1) Ushtrimi i këtyre lirive, që lidhet me disa detyra dhe përgjegjësi, mund t’u nënshtrohet disa formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve që parashikohen me ligj dhe që përbëjnë masë të nevojshme në një shoqëri demokratike, për sigurimin kombëtar, integritetin territorial ose sigurimin publik, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për ruajtjen e shëndetit ose të moralit, për mbrojtjen e dinjitetit ose të të drejtave të të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e informative konfidenciale ose për të garantuar autoritetin e paanshmërinë e pushtetit gjyqësor”.
Gjykojmë që bashkëpunimi i këtillë ndërkombëtar për zgjidhjen e problemeve të karakterit kulturor e religjioz, nuk mund të realizohet pa respektimin e ndërsjellë të ndjenjave të fesë dhe besimit të tjetrit. Po ashtu, as që mund të mbrohet identiteti dhe të drejtat e tjerëve, nëse nuk krijohet respekt i ndërsjellë dhe nuk pengohen veprimet që i provokojnë rëndë ndjenjat e tjerëve. Nisur nga kjo, mbështesim fort thirrjen për miratimin e një ligji ndërkombëtar i cili do të ndalojë përqeshjen, talljen dhe cenimin e identitetit të figurave fetare dhe shenjtërive.
Qëndrimi i këtillë i Islamit përkitazi me mbrojtjen e personaliteteve nga fyerjet dhe nënçmimi, në veçanti fyerja publike në mediume elektronike dhe të shkruara, në të gjitha format e mundshme, përfshi këtu edhe karikaturat dhe filmat e të gjitha metrazheve, ka qenë shkak që disa palë ta akuzojnë Islamin kinse qenka kufizues si lirisë së shprehjes dhe mendimit, dhe reagimin e muslimanëve për fyerjen e të dërguarit të Allahut, Muhamedit s.a.v.s. përmes karikaturave provokuese e të mjerueshme nëpër disa gazeta evropiane, e konsideruan të papranueshëm ngase rënka ndesh me vlerat demokratike të lirisë së fjalës dhe mendimit, që i ka marrë për bazë shoqëria evropiane.
Mirëpo, kjo akuzë është e pabazë dhe e dëmshme për urat e dialogut dhe mirëkuptimit që po mundohen të ngrihen në mes popujve dhe kulturave në botë.
Sa kanë të drejtë tjerët që në bazë të botëkuptimeve të veta ta akuzojnë Islamin se e kufizon lirinë e shprehjes, aq ma tepër të drejtë kanë muslimanët t’i akuzojnë ata se shkelin mbi parimet dhe vlerat në të cilat besojnë, ngase i fyejnë ndjenjat e tjerëve, gjë që sanksionohet në të gjitha ligjet botërore, në veçanti ato evropiane, si dhe nuk është në përputhje me vlerat dhe bontonin evropian. Është më së e vërtetë ajo që e thonë shumë analistë dhe studiues se karikaturat që fyenin personalitetin e profetit islam, si dhe mosrespekti ndaj shenjtërive fetare, e ka minuar seriozisht konceptin e multikulturalizmit dhe integrimit evropian. Kjo, ngase si mund të ndihet i lire dhe i barabartë, apo i padiskriminuar, një komunitet i cili vazhdimisht sulmohet nga individë apo palë në fe dhe në shenjtëritë e tij. A thua mund ta marrë këtë sulm si rastësi, apo është e e kuptueshme se do ta konsiderojë një fushatë të planifikuar kundër tij, duke e prekur në më të vlefshmen dhe më të shenjtën:besimin dhe parimet fetare.
Islami nuk e ndalon tjetrin që të parashtron dilema përkitazi me mësimet islame, ngase Islami ka kapacitet që dilemave të tilla t’u përgjigjet. Po edhe nëse kanë kundërshtime, Islami i thirr në debat që të shihet se në çka aludojnë kundërshtimet e tyre dhe ku qëndron problemi i tyre.
Në këtë kontekst, do të përmendim se Kur’ani ka rrëfyer për popujt e mëparshëm dhe për shumë qëndrime e dilema të tyre përkitazi me të vërtetat islame. Kështu, Kur’ani flet për debatin e Ibrahimit a.s. dhe mbretit mosbesimtar, tregon për qëndrimet e palogjikshme të tij dhe për argumentet bindëse të Ibrahimit a.s. I Lartmadhërishmi ka thënë: “A nuk ke arritur të dish për atë që përse Allahu i kishte dhënë pushtet, ai (Nemrudi) polemizoi me Ibrahimin rreth Zotit të tij. Kur Ibrahimi tha: “Zoti im është Ai që jep jetë dhe vdekje!” Ai tha: “Edhe unë jep jetë dhe vdekje!” Ibrahimi tha: “Zoti im e sjell diellin nga lindja, sille pra ti atë nga perëndimi?” Atëherë ai që nuk besoi mbeti i hutuar. Allahu nuk e shpie në rrugë të drejtë popullin mizor”.[7] Pra, Allahu i Madhërishëm tregoi për tezat e mbretit jobesimtar dhe kundërshtimin që ia bëri Ibrahimit a.s.
Po ashtu, Allahu i Lartmadhërishëm rrëfen edhe për atë që pyeti se si mund ta ringjall Allahu një vend të shkatërruar, pranë të cilit kishte kaluar ai. Por, më pas, Allahu i Madhërishëm i tregoi argumente për ta eliminuar këtë dilemë. I Lartmadhërishmi ka thënë: “Ose (nuk je i njohur) me shembullin e atij që kaloi pranë një fshati që ishte rrënuar në kulmet e tij, e tha: “Si e ngjallë Allahu këtë pas shkatërrimit të tij?” e Allahu e bëri të vdekur atë (pyetësin – Uzejrin) njëqind vjet, pastaj e ringjalli dhe i tha: “Sa qëndrove (i vdekur)?” Ai tha: “Një ditë, ose një pjesë të ditës!” Ai (Allahu) Tha:”Jo, por ke ndenjur (i vdekur) njëqind vjet, shikoje ushqimin dhe pijen tënde si nuk është prishur, e shikoje edhe gomarin tënd (si i janë shkapërderdhur eshtrat). E për të bërë ty argument për njerëzit (bëmë këtë sprovë), shiko se si i kombinojmë eshtrat e pastaj i veshim me mish. E kur iu bë e qartë atij tha: “U binda se me të vërtetë Allahu ka mundësi për çdo send!” ”.[8]
Krahas këtyre dy shembujve, ka edhe shumë shembuj tjerë të paraqitjes së dilemave dhe kundërshtimeve të palëve tjera, fjala vjen si rasti i Musait a.s. me Faraonin, apo akuzat dhe fyerjeve që ia bënin Muhamedit s.a.v.s. idhujtarët kurejshit, etj.
Vetë thirrja e Islamit për debat me palët, nënkupton se është e palogjikshme të ndalohet të prezantohet mendimi ndryshe apo dilemat e kundërshtimet e tjerëve ndaj çështjeve fetare.
Së këtejmi, ajo që e ndalon Islami nuk është dilema dhe kundërshtimi, ngase ai ka përgjigje për gjërat e tilla, por forma nënçmuese dhe fyese e mospajtimit me diçka, siç është rast me karikaturat fyese apo me filmat fyes ndaj të dërguarit të Allahut, Muhamedit s.a.v.s. Nuk ka pengesë që dikush të kërkon sqarime për atë se a ka qenë Muhamedi s.a.v.s. i dërguar i paqes apo luftës, dhe pse është martuar me disa gra, por ajo që irriton në gjithë këtë është forma fyese dhe nënçmuese e paraqitjes, e jo vetë kundërshtimi për gjëra të caktuara.
Nga kjo që u tha, besoj se çdo njeri i matur dhe objektiv e kupton se Islami nuk e kufizon lirinë e shprehjes dhe të mendimit, dhe as që ndalon të parashtrohen dilema nga palë të ndryshme për çështje të caktuara të mësimeve të tij, por ajo që nuk pranon ai është forma nënçmuese dhe fyese, e cila nuk e tejkalon talljen dhe ngjalljen e urrejtjes dhe mostolerancën në mes komuniteteve të ndryshme, dhe nuk sjell asgjë produktive.
Në këtë kontekst, e shoh të arsyeshme ti përmendi edhe fjalët e sociologut të njohur Entoni Gidens (Anthony Giddens), i cili pohon se edhe përskaj asaj se liria e shprehjes është princip fundamental në demokraci, nuk mund të mos jetë i kufizuar kur është në pyetje integriteti i tjetrit. Dhe kjo, nuk ka të bëjë vetëm me muslimanët, por edhe gjëra që u referohen popujve tjerë e kufizojnë lirinë e shprehjes. Kështu, Entoni Gidens thotë:”Liria e fjalës është një nga parakushtet e shoqërisë së lire, por në asnjë rast nuk është parakushti i vetëm. Kjo nuk është, dhe nuk mund të jetë parim absolute. Liria e fjalës, në të gjitha shoqëritë demokratike është plotësuar me definime shtesë dhe vazhdimisht zhvillohen debate se ku janë kufijtë e saj të vërtetë. Ekzistojnë ligje që kanë të bëjnë me shpifjen, nënçmimin, mbrojtjen e pakicave, blasfeminë dhe, në kohën më të re, edhe me ligjërimin e urrejtjes. Në disa vende evropiane ekzistojnë ligje të cilat e ndalojnë mohimin e holokaustit dhe deklaratat antisemitiste. Ata të cilët i shkelin këto ligje, i pret dënim me burg. Në debatin për publikimin e karikaturave daneze dhe kundër tyre…ka pasur shumë komente. Muslimanët kanë pyetur se pse shakat apo tallja me holokaustin janë të ndaluara me ligj. Cili është dallimi ndërmjet kësaj tallje dhe talljes me disa nga simbolet më të shenjta të Islamit? Dallimi është i vogël dhe na çdo herë na shpie ne te raporti i komplikuar it ë drejtave dhe obligimeve…Për këtë, mendoj se publikimi i karikaturave dhe përsëritja e tyre, nuk ka qenë gjest i mençur dhe as që ka qenë i justifikuar nga aspekti i mbrojtjes së parimit”.[9]
Nuk bën pa u zënë në gojë edhe ajo se komuniteti musliman nuk është i befasuar nga sulmet e këtilla, ngase nga historia e di se që me paraqitjen e profetit Islam, kanë nisur edhe sulmet ndaj fesë dhe personalitetit të tij. Këto sulme disa here e kanë marrë edhe formën e talljes. Me të dale në shesh e vërteta dhe me t’u publikuar thirrja islame, që në momentet e para, para auditoriumit kurejshit, shumë prej tyre iu përgjigjën me tallje duke mos e zënë gjë. Bile, kjo qe shkak që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. të etiketohet si njeri i sëmurë psikikisht, i çmendur, etj. Ja si e përshkruan këtë Kur’ani: “E kur të shohin ty, nuk të çmojnë ndryshe, por vetëm në tallje e thonë: “A ky është ai që Allahu e dërgoi pejgamber?” (41) “Sikur ne të mos ishim të qëndrueshëm ndaj tyre, ai gati na pat zmbrapsur prej zotave tanë!” e më vonë, kur ta shohin qartazi dënimin, do ta kuptojnë se kush ishte më larg nga e vërteta (42)”.[10] Këtë rrugë disa e vazhdojnë edhe në kohën tonë, bile duke i dhënë karakter edhe më masiv, ngase për këtë qëllim i përdorin mjetet e informimit.
Pretendimi për kufizimin e lirisë në raport me besimin: Në fund, nëse e analizojmë mirë çështjen e lirisë së shprehjes dhe mendimit sipas botëkuptimit të proveniencës perëndimore dhe sloganin e moskufizimit të lirisë së njeriut që mbahet ngritur lartë nga po këto qarqe, do të shohim se kjo çështje e prek edhe bazën e bazave të fesë, gjegjësisht besimin. Sipas tyre, besimi është diçka që e kufizon dhe rëndon njeriun, dhe besimi është sajuar e shpikur nga njerëzit, për trembur njeriun që mos bëjë disa veprime. Nisur nga kjo, në perëndim është zgjedhur modeli laik, gjegjësisht i ndarjes së fesë nga shteti dhe i shndërrimit të fesë dhe besimit në të drejtë individuale, pa fuqi veprimi në shoqëri si institucion. Bile edhe kur flitet për të drejtat e njeriut, në veçanti në kushtetutat e shteteve evropiane, nuk përmendet se këto janë të drejta që njeriut ia jep vetë Zoti, por në vend të Zotit përmendet natyra. E gjithë kjo për ta larguar njeriun nga ndjenja e përgjegjësisë para Krijuesit dhe nga përgjegjësia për veprimet e bëra para Krijuesit të tij dhe të gjithë asaj që ekziston në gjithësi. Thënë shkurt e qartë, edhe besimi shihet si formë e kufizimit të lirisë së njeriut.
Mirëpo, besimi në botëkuptimin islam është mbrojtje e dinjitetit të njeriut dhe fuqi e cila e mban brenda misionit për të cilin edhe është krijuar. Besimi është përgjigje për pyetje të rëndësishme dhe fundamentale për jetën e njeriut, si: Kush jam unë? Nga kam ardhur? Pse kam ardhur? Cili është misioni im në këtë jetë? Dhe ku është fundi im?
Besimi e kthen njeriun në natyrën e tij të vërtetë, e bën të përgjegjshëm dhe me kompetencë, e mbron nga devalvimi i tij me nënshtrimin ndaj epshit dhe dëshirave të tij shtazarake dhe ia ndriçon rrugën e jetës së lumtur në të dyja botët. Lirimi nga autoriteti i besimit, ia nënshtron njeriun epshit dhe dëshirave, ngase njeriu për nga natyra e tij nuk mund të jetë i panënshtruar ndaj asaj që beson dhe pa i bërë robërim atij që është mbi të e që i drejtohet në jetën e tij. Por, pyetja është se a do t’i bëjë robërim Allahut, apo epshit. Nënshtrimi ndaj epshit sjell pasoja për jetën e njeriut, e bën mos i vlerësoj gjërat drejtë, ta mohojë dhe ta urrejë jetën e ardhshme, të jenë aventurist, dhe para së gjithash ta kuptojnë jetën si anarki. Këto mund të evitohen vetëm me një besim të fortë. Në këtë drejtim flasin ajetet vijuese: “A e ke parë ti (Muhamed) atë që duke e ditur, dëshirën e vet e respekton si zot të vetin, atë Allahu e ka humbur, ia ka mbyllur të dëgjuarit dhe zemrën e tij, i ka vënë perde mbi të parit e tij, më thuaj, pos Allahut, kush mund ta udhëzojë atë? A nuk merrni mësim? (23) Ata edhe thanë: “Nuk ka tjetër, vetëm se kjo jetë jona në këtë botë, po vdesim dhe po lindemi dhe asgjë nuk na shkatërron tjetër pos kohës. Ata për këtë nuk dinë asgjë, ata vetëm fantazojnë (24)”.[11]
Besimi është rruga që e shpie njeriun në fushën e urdhrave, qofshin këta urdhra për të kryer veprime të caktuara, apo për t’u ndalur nga gjëra të caktuara. Këto urdhra kanë impaktin e vet në stabilitetin e individit dhe të shoqërisë.
Në Kur’an, besimtarë të denjë të Zotit cilësohen ata që u përmbahen këtyre urdhrave, qoftë në kuptim të veprimit apo të ndalimit. Në një nga kaptinat kur’anore, besimtarët të cilët u përmbahen urdhrave të Allahut të Madhërishëm dhe largohen nga ndalesat e Tij, janë cilësuar si robër të Mëshiruesit të Përgjithshëm, që realisht është lavdërim për ata. I Lartmadhërishmi ka thënë: “E robërit e Zotit janë ata që ecin nëpër tokë të qetë, e kur atyre me fjalë u drejtohen injorantët, ata thonë: “Paqe!” (63) Dhe që për hir të Zotit të tyre natën e kalojnë duke i bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë (falen) (64) Edhe ata që thonë: “Zoti ynë, largoje prej nesh vuajtjen e Xhehenemit, e s’ka dyshim se vuajtja në të është gjëja më e rëndë” (65) Ai, vërtet është vendqëndrim dhe vendbanim i keq (66) Edhe ata që kur shpenzojnë nuk e teprojnë e as nuk janë dorështrënguar, por mbajnë mesataren e janë të matur (67) Edhe ata që pos Allahut, nuk lusin ndonjë zot tjetër dhe nuk mbysin njeriun që e ka ndaluar Allahu, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë, dhe që nuk bëjnë kurvëri, ndërsa kush i punon këto, ai gjen ndëshkimin (68)”.[12]
Po, besimi e kufizon njeriun në disa çështje, ngase shkuarja e njeriut përtej atyre kufijve, do të thotë kalim në anarki.
Së këndejmi, nuk duhet menduar se çdo gjë që vjen prej sistemeve dhe filozofisë së proveniencës perëndimore duhet miratuar apriori, marrë parasysh zhvillimin e tyre teknologjik dhe mirëqenien ekonomike. Këtu duhet pasur kujdes ngase në të shumtën e rasteve gjërat e këtilla bien ndesh me sistemin e vlerave islame dhe me parimet e tij fundamentale. Po ashtu, gjërat e këtilla, duke i tejkaluar kufijtë fetarë dhe moral e tradicional, nuk janë sinonim i lirisë, por kalojnë në anarki.
[1] Dr.Margarita Shijakova, Evropskata konvencija za osnovnite çovekovi prava i fundamentalni slobodi i kanonskoto pravo, f. 161, Shkup, 2004.
[2] El-Bekare: 256.
[3] El-Kehf: 29.
[4] Hadithin e kanë shënuar Buhariu dhe Muslimi.
[5] El-Huxhurat: 11.
[6] El-Bekare: 285.
[7] El-Bekare: 258.
[8] El-Bekare: 259.
[9] Entoni Gidens, Evropa u globalnom dobu, f. 167-168.
[10] El-Furkan: 41-42.
[11] El-Xhathije: 23-24.
[12] El-Furkan: 63-68.