Muaji i agjërimit
Falënderimi i takon Allahut, Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe mëshirë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Krijuesi prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona të liga. Më i lartësuari është Allahu që agjërimin na ka bërë obligim dhe përmes tij të synojmë devocionin (takvallëkun). Kë e udhëzon Allahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç Allahut, i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi alejhisselam është rob dhe i dërguar i Tij.
Të dashur vëllezër besimtarë. Është fat i madh që Allahu i Plotfuqishëm na bëri të mundur të takohemi përsëri me muajin e bekuar, muajin e mëshirës, bereqetit dhe sakrificës, muajin e faljeve te mëkateve, muajin në të cilin zbritën librat e shenjtë, Tevrati, Ingjili, Zeburi, fletushkat e tjerë, si dhe Kur’ani Famëmadh.[1] Ky është muaji në të cilin u zhvillua Lufta e Bedrit, muaj në të cilin ndërruan jetë axha i Muhammedit alejhisselam dhe gruaja e tij, Hadixheja radijallahu anha, gjithashtu edhe Mekka u çlirua gjatë muajit të agjërimit. Sa te lumtur që përsëri arritëm të takohemi me muajin e veçantë, të cilin Allahu Fuqiplotë e dalloi me natën e Kadrit, muaj që nuk mund të krahasohet me asnjë muaj nga muajt e tjerë të vitit.
Vërtet që Allahu i ka falur ata të cilët malli i ka marrë për te bërë vepra të mira, dhe mjerë për ata që kanë mbetur në mëshirën e fatit, në detin e injorancës, në sofrën e mëkateve. Ejani vëllezër, ta falënderojmë Allahun e Plotfuqishëm për begatitë që na ka dhuruar, për muajin e bekuar që na ka bërë të mundur për ta takuar; ta përkujtojmë në të Krijuesin e të gjitha krijesave, Mëshiruesin e të gjitha botëve, atyre që shohim dhe nuk i shohim, të përfitojmë nga ky muaj atë që kemi lënë mangët në vitet e kaluara, të veprojmë vepra të mira, gjithnjë me qëllime të mira, të shfrytëzojmë rastin që gjatë këtij muaji të japim maksimumin si në vepra, po ashtu edhe në punë te mira, të bashkohemi, të vizitohemi me të afërmit, të përgatisim ushqime për të varfrit, t’i ndihmojmë bonjakët, t’i vizitojmë invalidët e luftës, t’i pastrojmë zemrat tona nga ndryshku i xhelozisë, inatit dhe koprracisë, t’i falim ata që na kanë dëmtuar, t’i ftojmë të varfrit në iftare, t’i mëshirojmë të moshuarit, t’i edukojmë të vegjlit. Ejani vëllezër të lexojmë Kur’anin, të falim namazet së bashku me xhemat. Ejani të nderuar besimtarë, ta falënderojmë të Gjithmëshirshmin për këtë muaj të agjërimit si dhe për begatitë e tij të pa numërta.
Vëllezër besimtar,
Përpiqu që gjatë këtij muaji t’i kryesh obligimet, e veçmas agjërimin, mundohu që t’i japësh hakun aq sa ke mundësi. Allahu i Madhëruar na ka urdhëruar në suren el-Bekareh, ku thotë:“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.”[2]
Vëllezër besimtarë, kjo është mirësia që Allahu e dëshiron për mbarë njerëzimin. Ramazani na trajnon që gjithherë të veprojmë mirë; na mëson se si të tregohemi dashamirës ndaj të tjerëve, njëherazi na përkujton fushatën e rritjes se imanit dhe forcon anën shpirtërore të njeriut. Pra, ky është qëllimi kryesor i agjërimit. Ne nuk agjërojmë thjesht që t’i rezistojmë etjes dhe urisë. Muaji i agjërimit nuk është vetëm të falim namazin e teravive, apo namazin e natës. Ajo që kërkohet nga ne është se, në çdo adhurim që kryejmë përgjatë këtij muaji, duhet shikuar përtej anës së jashtme së kryerjes së ritualeve. I Dërguari i Allahut, paqja e Allahut qoftë mbi të, thotë: “Kush fal namazin në Ramazan, me besim dhe shpresë, i falen mëkatet që i ka bërë më herët. “
Po ashtu, duhet kushtuar kujdes të veçantë se, adhurimet e kryera duhet të na ndërtojnë ne në një musliman të gjallë, dinamik, musliman me plot kuptimin e fjalës; musliman me plot iman; të jemi shembullorë dhe individ energjik. Agjërimi nuk duhet kuptuar si një muaj i vetëm për ta adhuruar Allahun, siç ndodhë me shumë muslimanë, ku gjatë muajit të agjërimit bëjnë vepra te mira, dhe më të kaluar të këtij muaji, kthehen përsëri në mëkate dhe vazhdojnë jetën e tyre të mëparshme në mëkate dhe armiqësi. Agjërimi posedon qëllimet e veta. Muslimani duhet ta kuptojë se agjërimi forcon besimin dhe ndërton frikë-respektin ndaj Krijuesit; ndërton karakterin dhe sjell forcë dhe fuqi për t’i anashkaluar sfidat të cilat e përcjellin muslimanin gjatë jetës se tij.
Vëllezër besimtarë
Ejani ta shfrytëzojmë çdo orë të këtij muaji, ta forcojmë besimin tonë, t’i kryejmë obligimet ashtu siç ka porositur Allahu i Madhërishëm. Të fillojmë me vetën tonë, t’i kushtojmë rëndësi anës së jashtme në përgjithësi dhe asaj shpirtërore në veçanti. Të ruhemi nga çdo e metë, të kemi kujdes se si të veprojmë me gjymtyrët tona, ku shkojmë, çfarë hamë, çfarë flasim, dëgjojmë, shikojmë, shkelim, të gjitha këto hynë në llogari ditën e gjykimit. Ajo që na duhet gjatë këtij muaji është ndryshimi i vetes sonë, e me pas t’i këshillojmë të tjerët.
Fillimisht, jemi të obliguar që para se të fillojmë një punë, të posedojmë nijetin e pastër; të jemi të sinqertë në atë që themi dhe veprojmë. Në këtë muaj të mëshirës, të nxitojmë drejt kryerjes se adhurimeve, ibadeteve me sinqeritet. T’i kryejmë të gjitha për hir të Allahut, e jo për qëllime fitimprurëse, apo për t’u shtirë si besimtarë. Vetëm me sinqeritet mund te arrihet suksesi, andaj me zemër të çiltër dhe qëllim të pastër, jemi të obliguar që të veprojmë vetëm vepra të mira. Në lidhje me këtë, Allahu xh.sh në suren El-Bejineh thotë:
“E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin All-llahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë, ta falin namazin, të japin zeqatin, se ajo është feja e drejtë.”[3]
Gjatë këtij muaji duhet të luftojmë që gjithsesi në mendjet tona të zë vend morali dhe sjelljet e mira. Ta marrim si shembull Pejgamberin e fundit Muhammedin [alejhisselam], i cili gjithmonë ishte dhe mbeti shembull për gjeneratat që erdhën pas tij. Ai na tregoi se si duhet të jetë morali i muslimanit. Pejgamberi alejhisselam gjatë këtij muaji ishte më bujar. Ishte më afër shokëve të tij dhe gjatë këtij muaji e shtonte edhe ibadetin. Kjo është diçka e pamohueshme dhe nuk ka pikë dyshimi në të. A ka diç më të mirë në këtë botë kur të lavdëron Krijuesi i Gjithësisë? Vërtet që po mos të ishte shembull për të mirë, Allahu i Pltofuqishëm, nuk do ta kishte përmendur këtë lëvdatë mbi moralin e Muhammedit [alejhisselam], Ai në Librin e Tij famëlartë thotë:
“Juve ju erdhi i dërguar nga lloji juaj, atij i vjen rëndë për vuajtjet tuaja, sepse është lakmues i rrugës së drejtë për ju, është i ndijshëm dhe i mëshirshëm për besimtarët.”[4]
A keni menduar ndonjëherë, përse Islami na nxit të mobilizohemi me moral të mirë? A kemi pyetur veten ndonjëherë se çfarë do te kishte ndodh me atë person, i cili nuk posedon moral dhe karakter të mirë? Si do të ishte halli i tij? Çfarë do të flitej për të? Jam i bindur se morali dhe karakteri i mirë janë tejet të rëndësishme për ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë. Pa dyshim se askush nuk do të pajtohej të jetonte dhe të ndërtonte jetën në një vend apo shoqëri të degjeneruar. Vëllezër besimtarë, tashmë kuptuam se çfarë vlere ka morali, për këtë edhe themi se feja islame është fe që njeriut i sjell të mira, bereqet dhe lumturi në jetë, prandaj ta ndërtojmë një shoqëri me baza të shëndosha, duke filluar themelet e saj në këtë muaj të rëndësishëm.
Si ta shtojmë besimin, devotshmërinë dhe sjelljet e mira?
Për ta shtuar besimin dhe devotshmërinë si dhe për t’u pajisur me moral të mirë, duhet që fillimisht të shtojmë edhe njohuritë, njohuri të cilat do t’i sjellin dobi mbarë njerëzimit.
Feja Islame si fe universale, që nga fillimi i saj ka porositur që diturinë ta kërkojmë në mënyrë të vazhdueshme. Kur njeriu kërkon dituri, arrin grada të larta në këtë dhe botën tjetër. Në lidhje me këtë, Allahu xh.sh thotë:
“…..All-llahu i lartëson ata që besuan prej jush, i lartëson në shkallë të lartë ata të cilëve u është dhënë dituri….”[5]
Pasi që gjendemi në muajin e agjërimit dhe leximi i Kur’anit është i domosdoshëm, të mos harrojmë se përveç leximit, rëndësi i duhet kushtuar edhe kuptimit të ajeteve dhe pas arritjes së njohurive, t’i mësojmë të tjerët dhe ta shpërndajmë atë që kemi mësuar. Vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë suksesin e garantuar dhe me këtë gjest do të jemi me afër Kur’anit.
Mos të harrojmë se leximi i Kur’anit ka qenë lindës i ideve, zbulimeve dhe inovacioneve të ndryshme për njerëzimin. Kur’ani është libër i shenjtë dhe nga ai mund të mësojmë çdo ditë gjëra të reja. Sa më shumë që të lexojmë, aq më tepër do t’i kuptojmë kuptimet dhe komentimet e tij. Kur’ani nuk duhet lexuar ashtu sikurse lexohet gazeta. Ai duhet të lexohet dhe duhet të meditohet rreth domethënieve të tij. Kuptimet e tij duhet të studiohen dhe nëse veprojmë kështu, padyshim se agjërimi, Kur’ani, namazi, zeqati, do të formojnë individin dhe do të vërehet se asnjëra pa tjetrën nuk mund të jetojnë. Po që se e studiojmë Kur’anin dhe veprojmë sipas porosive të tij, padyshim se do të kemi avancim në jetën tonë dhe kurrë nuk do të mbetemi prapa, prandaj, duke zbatuar obligimet ashtu siç i ka hije muslimanit, kërkohet edhe durimi, pasi që durimi na shpie deri te arritja e suksesit.
Vëllezër besimtarë, së fundi këshilloj veten, e me pas ata të cilët dëgjojnë dhe e lexojnë këtë temë se, elementi kryesor gjatë këtij muaji është durimi. Vetëm duke bërë sabër, sigurojmë edhe shpërblimet mbi kryerjen e adhurimeve (ibadeteve) tona. Po ashtu, të përpiqemi maksimalisht që gjatë këtij muaji ta përmirësojmë veten tonë, familjen, të afërmit; të përfitojmë nga të mirat që sjell ky muaj. Të mobilizohemi me moral të mirë, pa marrë parasysh vendin ku jetojmë dhe rrethanat. Të jemi të durueshëm. Ta vëzhgojmë anën e jashtme dhe atë të brendshme. Të falemi dhe të punojmë ashtu siç ka porositur Krijuesi i kësaj Gjithësie.
Në fund, lusim Allahun e Plotfuqishëm të na i fal mëkatet tona dhe të na bëjë prej vepërmirëve, durimtarëve dhe të jetë i kënaqur me agjërimin dhe ibadetet tona. Amin.
Përgatiti: Mr. Fehim Dragusha
Imam në Xhaminë El-Hidaje, St. Gallen – Zvicër