Namazi dhe agjërimi në vendet polare
VENDIMET E SESIONIT TË PESTË, I MBAJTUR PREJ 8 DERI MË 16 REBIU-L-AHIR 1402H
VENDIMI I TRETË
PËRKITAZI ME KOHËT E NAMAZEVE DHE AGJËRIMIN NË VENDET E POLEVE
Falënderimi i takon Allahut, përveç të Cilit nuk ka tjetër, bekimi dhe paqa qofshin mbi atë pas të cilit nuk ka pejgamber tjetër, zotëriun dhe të dërguarin tonë, Muhamedin s.a.v.s.
Këshilli i Akademisë së Fikhut Islam, në seancën e tretë, në mëngjes të ditës së Enjte 10/04/1402 që përputhet me datën 4/2/1982, e shqyrtoi vendimin e konferencës së Brukselit të mbajtur në vitin 1400h/1980, dhe vendimin nr. 61 të Shoqatës së Dijetarëve të mëdhej në Mbretërinë e Arabisë Saudite me datë 12/4/1398h, përkitazi me kohët e namazeve dhe me agjërimin në vendet ku nata është shumë e shkurtër në një periudhë të vitit, dhe dita është shkumë e shkurtër në një periudhë tjetër të vitit, apo në vendet ku gjashtë muaj nuk perëndon dielli dhe gjashtë muaj nuk lind dielli.
Pas konsultimit të shkrimeve të juristëve islamë në të kaluarën dhe në kohën më të re, përkitazi me çështjen në fjalë, Këshilli vendosi si vijon:
Vendet e polit ndahen në tre grupe:
I – Vende ku dita apo nata zgjat njëzetekatër orë dhe më tepër, varësisht prej stinës së vitit. Në vendet e këtilla, në këto raste, përllogariten kohët e namazit, agjërimit dhe adhurimeve tjera në bazë të vendeve më të afërta, ku nata dhe dita dallohen brenda njëzetekatër orëve.
II – Vende ku nuk humb skuqja e mbrëmjes pas perëndimit të diellit derisa të agojë dita, ashtu që nuk dallohet muzgu i mbrëmjes prej muzgut të mëngjesit, koha e jacisë së fundit dhe imsakut për agjërim, si dhe koha e namazit të sabahut në bazë të periudhës së fundit kur këto dy drita dallohen.
III – Vende ku ka ditë dhe natë gjatë njëzetekatër orëve, dhe kohët dallohen. Mirëpo, në këto vende, në disa periudha të vitit, nata zgjatë shumë, dhe në disa periudha tjera të vitit, dita zgjatë shumë.
Ata që banojnë në vendet ku dallohet nata prej ditës me agim të ditës dhe perëndim të diellit, por që dita është shumë e gjatë në verë dhe shumë e shkurtë në dimër, është i obliguar që t’i falë pesë namazet në kohët e përcaktuara fetarisht, bazuar në kuptimin e përgjithshëm të ajetit:<<Fale namazin kur zbret (nga zeniti) dielli, e deri në errësirën e natës dhe bërë lutjen (namazin) e agimit. Vërtet, lutja e agimit është e përcjellur (78)>>[El-Israë: 78], dhe të ajetit:<<…pse namazi është obligim (për kohë) i caktuar për besimtarët>>[En-Nisaë: 103].
Poashtu, ky konstatim bazohet edhe në hadithin e Burejdes r.a. se një person e ka pyetur të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. për kohën e namazit. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i ka thënë:”Falu me ne këto dy ditë”, dhe kur e ka kaluar dielli zenitin, e ka urdhëruar Bilalin dhe e ka thirrur ezanin. Pastaj e ka urdhëruar dhe e ka bërë ikametin për ta falur namazin e drekës. Pastaj e ka urdhëruar dhe e ka bërë ikametin për ta falur iqindinë kur dielli ka qenë i ngritur në qiell, i bardhë i pastër. Pastaj e ka urdhëruar dhe e ka bërë ikametin për ta falur akshamin kur ka perënduar dielli. Pastaj e ka urdhëruar për ta bërë ikametin për ta falur jacinë kur ka humbur skuqja e mbrëmjes (muzgu). Pastaj e ka urdhëruar ta bëjë ikametin për ta falur sabahun kur ka aguar dita. Ditën e dytë, e urdhëroi që iakemtin për faljen e drekës ta bëjë pasi të freskohet dhe të kalojë pak vapa e madhe në mesditë, dhe ai veproi si i tha, dhe preferonte ta falë pasi të freskohet vapa e madhe e mesditës . E fali iqindinë kur dielli ishte i ngritur më shumë se që kishte qenë. E fali akshamin para se të humbasë skuqja e mbrëmjes (muzgu), kurse e fali jacinë pasi kaloi një e treta e natës. Sabahun e fali kur u zbardh, pastaj tha:”Ku është ai që pyeti për kohën e namazit?” Personi tha:”Unë jam, o i Dërguar i Allahut.” I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha:”Koha e namazit është ndërmjet intervaleve që i patë”. Hadithin e ka shënuar Muslimi.
Është transmetuar prej Abdullah ibn Amër ibn El-Asit se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:”Koha e drekës është kur ta kalojë diellëi kupën e qiellit, dhe hija e njeriut është sa lartësia e trupit të tij. Kjo zgjat derisa nuk vjen iqindija. Koha e iqindisë është derisa nuk skuqet (zbehet) dielli. Koha e namazit të akshamit është derisa nuk ka humbur e skuqura e mbrëmjes. Koha e namazit të jacisë është deri në mesnatë. Koha e namazit të sabahut është prej agimit të ditës e deri para lindjes së diellit. Kur të lind dielli, mos u fal, ngase ai lind ndërmjet dy brirëve të Shejtanit”. Hadithin e ka shënuar Muslimi në Sahihun e tij.
Në këtë drejtim flasin edhe shumë hadithe tjera të cilët kanë bërë përcaktimin e pesë kohëve të namazeve, si me fjalë, ashtu edhe me veprat e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Këto hadithe nuk kanë bërë dallim ndërmjet ditës kur është e gjatë dhe e shkurtë, dhe natës kur është e gjatë dhe e shkurtë, derisa kohët e namazeve dallohen me shenjat të cilat i ka sqaruar i Dërguari i Allahut s.a.v.s.
Kjo ishte ppër sa u përket kohëve të pesë namazeve. Ndërkaq, për sa i përket agjërimit të muajit të Ramazanit, ata që e kanë farz agjërimin në këto vende duhet të agjërojnë për çdo ditë prej agimit të ditës e deri në perëndim të diellit në vendin e tyre, nëse dita dallohet prej natës në vendin ku jetojnë, dhe dita dhe nata së bashku zgjatin njëzetekatër orë. Ata mund të hanë, të pinë dhe të kenë marrëdhënie legale intime vetëm gjatë natës, edhe nëse nata është e shkurtë. Kjo, ngase sheriati islam vlen për të gjithë njerëzit, në çdo vend. Allahu i Madhërishëm ka thënë:<<…dhe hani e pini derisa qartë të dallohet peri i bardhë nga peri i zi në agim, e pastaj agjërimin plotësonie deri në mbrëmje…>>[El-Bekare: 187].
E kush nuk ka mundësi të agjërojë për shkak të gjatësisë së ditës, apo e di nga simptomet, apo nga përvoja, apo e lajmëron ndonji mjek i thirrur dhe besnik, apo më tepër ia merr mendja se agjërimi do ta bëjë që të sëmuret rëndë, apo do t’ia shtojë sëmundjen, apo do ta ngadalsojë shërimin, ai nuk agjëron, dhe ditët i mbetura pa i agjëruar do t’i kompenzojë kurdo që të mund ta bëjë këtë. Allahu i Madhërishëm ka thënë:<<E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme…>>[El-Bekare: 185]. Poashtu, Allahu i Madhërishëm ka thënë:<<Allahu nuk e obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij…>>[ El-Bekare: 286].
Allahu mundëson sukses, bekimet dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi krijesën më të mirë të Tij, zotëriun tonë Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij.
KRYETARI I KËSHILLIT TË AKADEMISË SË FIKHUT
Abdullah ibn Humejd (mungoi për shkak sëmundjes)
ZAVENDËSKRYETARI
Muhamed Ali El-Harekan
Pasojnë nënshkrimet e anëtarëve tjerë:
Abdu-l-Aziz Abdullah ibën Baz, Salih ibën Uthejmin, Muhamed Salim Abdu-l-Vedud, Mustafa Ez-Zerka, Muhamed ibn Abdullah Es-Sebil, Muhammed Reshid Kabbani, Muhammed Shadhli En-Nejfer, Muhammed Mahmud Es-Savaf, Ebu-l-Hasen Ali El-Hasenij En-Nedvij (kërkoi ndjesë), Hasenejn Muhamed Mahluf (nuk prezantoi), Abdu-l-Kudus El-Hashimij, Ebu Bekër Xhumi, Muhammed Rushejdij, Muhamed Abdurrahim el-Halid-sekretar i Këshillit të Akademisë së Fikhut Islam.
Prej arabishtes:
Bashkim Aliu