Rinia dhe ndjenja e varësisë dhe dështimit
Bashkim Aliu
Rinia islame, krahas krizave tjera të rrezikshme, ballafaqohet edhe me një krizë e cila reflekton negativisht në realitetin tonë, gjegjësisht fjala është për humbjen e shpresave për mundësinë e përmirësimit të statusit politik, ekonomik, shkencor, social etj, të umetit islam, si rezultat i dominimit industrial, teknologjik, ekonomik, shkencor dhe medial të tjerëve.
Edhe pse armiqtë e këtij umeti bëjnë çmos që ta ngulfatin botën islame duke i mbështetur ushtarakisht dhe ekonomikisht armiqtë tanë të drejtpërdrejtë, përsëri umeti islam dhe rinia islame në veçanti, nuk duhet të pasivizohet, të dëshprohet dhe të qëndrojë në vend pa mos parë mundësi për veprim në dobi të muslimanëve dhe përmirësimit të realitetit të hidhur të muslimanëve.
Është e vërtetë se armiqt e Islamit përdorin metoda më të sofistikuara për nënshtrimin e umetit islam dhe vazhdimin e margjinalizimit të rolit të tij në shkrimin e historisë bashkëkohore njerëzore, rinia islame nuk guxon të fundoset në oqeanin e pesimizmit dhe të mendojë se nuk ka asnji mundësi për veprim. Rinia islame duhet të bëjë çmos që ta nisë punën për rikthimin e lavdisë së humbur nga pasiviteti dhe largimi jonë nga të vërtetat islame.
Besimtari duhet ta ketë parasyshë se pesimizmi dhe humbja e shpresës për të bërë diçka, nuk është veçori e besimtarit, por Kur’ani famëlartë tregon se pesimizmi është veçori e mosbesimtarëve. Allahu xh.sh. thotë:<<…e mos e humbni shpresën nga mëshira e Allahut, pse vetëm populli jobesimtar e humb shpresën në Allahun>>[1].Poashtu, në një ajet tjetër, Allahu xh.sh. thotë:<<Tha:”Askush nuk e humb shpresën në mëshirën e Zotit të vet, përveç atyre që janë të humbur>>[2].
Pra, këto dhe shumë ajete tjera, e obligojnë muslimanin që mos i humb shpresat, mos e mbjell në shpirtin e tij pesimizmin, por e nxit që të lëvizë dhe të punojë për të mirën e popullit të vet. Për këtë, disa që thonë:Nuk kemi fuqi, mbaruam, s’kemi çka bëjmë, ata na mundin, njerëzit e këtillë duhet të tejkalohen dhe mos iu varet veshi, sepse këta e bëjnë muslimanin pesimist dhe i ndihmojnë armikut që të vazhdojë ta ushtrojë ndikimin e vet edhe ma tepër mbi muslimanët.
Po, është e vërtetë se muslimanët në këtë kohë janë të dobët në disa aspekte, por kjo nuk nënkupton paralizimin e plotë dhe mos avansimin e aspekteve në të cilat jemi të fortë si dhe punën e palodhshme për përmirësimin e pozitës sonë në aspektet të cilat sot janë simbol i dobësisë sonë.Poashtu, duhet të kihet parasyshë çdo herë fakti se në Islam kërkohet puna, ndërkaq ndryshimi nuk është përgjegjësi e njeriut, sepse shumë njerëz mund të punojnë por mos kenë rezultate. Njëkohësisht, prej nesh kërkohet të punojmë në kufij të mundësive tona, sepse Allahu xh.sh. nuk e ngarkon njeriun përtej mundësive të veta.Por, nëse nuk punohet aspak, por mjaftojmë me fjalët se s’mund të bëjmë gjë, tjerët janë më të fortë e ne mbaruam, atëherë kemi bërë mëkat sepse nuk kemi bërë aspak përpjekje dhe nuk kemi dhënë mund t’i lëvizim gjërat përpara, bile edhe nëse është pak.
Kjo vlenë edhe për aspektin da’vetit-veprimtarisë misionare islame, sepse përhapja e shumë dukurive negative në shoqëri bën që shumë vetë të thonë:Ne s’mund të ndrrojmë kurgjë, të këqijt dominojnë, për atë sot ma mirë është që ta mbrosh veten, largohu nga njerëzit dhe shiqoe vetëm veten tënde.
Kjo është logjikë e gabuar, sepse me pasivitetin dhe izolimin tënd ndihmon të trashet ende e keqja, por çdo një duhet të mundohet sa ka mundësi të punojë për të mirën e shoqërisë, e nëse nuk arrinë rezultate, mjafton që e ka kryer obligimin e tij para Allahut dhe i ka dalë borxhit popullit të vet.
Në këtë kontekst, është me rëndësi të përmendet se një mesazh optimizmi për brezat e ardhshëm dhe rininë e umetit në veçanti, ka edhe Israja dhe Miraxhi. Ky udhëtim, i dha vullnet të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe i bëri me dije se Allahu i Madhërishëm nuk e ka lëshuar prej dore, edhe përskaj rrethanave ekistuese dhe përskeqjes së marrëdhënieve me idhujtarët dhe dhunës që ata ushtronin mbi të dhe mbi ithtarët e tij pas vdekjes së Ebu Talibit në veçanti. Në këtë drejtim, mendimtari i shquar islam i shekullit XX, Muhamed Gazali ka thënë:”Kjo ngjarje ishte një balsam për vuajtjet e së shkuarës dhe mbjellja e farave të suksesit për të ardhmen…Allahu përgatiti këtë udhëtim qiellor, për ta ngushëlluar zemrën e profetit a.s. Me anë të kësaj, Zoti e informonte se Ai kishte qenë duke e vëzhguar, që nga dita kur Profeti (a.s) kishte deklaruar njësimin dhe adhurimin e Tij dhe qysh kur filloi t’ua mësonte këtë edhe njerëzve”.[3]
Kur jemi te konteksti historik i ndodhisë së Israsë dhe Miraxhit, duhet të ndalemi edhe në reflektimin e kësaj ndodhie në jetën e umetit në drejtim të mbjelljes së optimizmit dhe nxitjes së dëshirës për veprim për realizimin e qëllimeve, pa marrë parasyshë rrethanat ekzistuese.
Nxjerrja e të Dërguarit të Allahut nga toka në sferat e larta qiellore, simbolizon aspiratat e larta që duhet t’i ketë muslimani, edhe pse në një periudhë të caktuar historike mund të ballafaqohet me krizë të thellë. Muslimani këtë fuqi dhe optimizëm e merr nga namazi ditor i cili është urdhëruar pikërisht në Miraxh, si dhe nga të menduarit rreth madhështisë së Allahut xh.sh. për të Cilin nuk ka gjë të pamundshme, edhe pse njeriu ndonjiherë ndoshta mund të ketë mendime pesimiste. Muslimani duhet të sheh sa ma larg, nga pozicioni i tij i ngjitjes në piedestale të larta përmes namazit që është miraxh për të. Dijetari i shquar, Muhamed Muteveli Esh-Sha’ravi për këtë aspekt të kësaj ndodhie, ka thënë:”Pejgamberi a.s., sa herë që mundohej nga kurejshitët pabesimtarë, natyrisht që ndihej i thyer shpirtërisht. Prandaj, Allahu xh.sh., deshi t’i tregonte të dashurit të Tij dhe ta siguronte se, sado t’i vështirësohej fushëveprimi në tokë, Qielli do të jetë ai që do ta ndihmojë e do ta mirëpres; dhe se Zoti i tij, i Cili e obligoi me këtë mision të pastër fisnik, me gjithë këto vështirësie mundime, patjetër do ta ndihmojë e do ta bëjë triumfues”.[4]
Nëse kthehemi në histori, do të shohim se gjeneratat më të ndritshme të historisë sonë, kanë qenë njerëz plot elan, energji dhe vullnet për të ec përpara dhe për të triumfuar në arenën ndërkombëtare në të gjitha sferat. Besimi i fortë në Allahun, zbatimi i përpiktë i mesazhit islam dhe vullneti i madh për të kontribuar për këtë fe, qenë ndër faktorët thelbësorë të cilët bënë që ata të mbeten shembull i lartë i suksesit dhe reformave madhore në botë.
Edhe pse muslimanët në kohën e të dërguarit të Allahut ishin pak në numër, ata nuk i prenë shpresat dhe nuk e humbën ymytin se një ditë do të bëhen të parët e botës dhe mësuesit e udhëheqësit e njerëzimit.
Edhe pse në kohën e Ebu Bekrit r.a. muslimanët nuk kishin kushedi çfarë pozicionesh të lakmueshme ushtarake dhe ekonomike, ata nuk shuajtën ndaj tendencave destruktive për coptimin e indit islam dhe nëpërkëmbjen e parimeve fetare.Ebu Bekri me vendosmëri i luftoi renegatët, ata që nuk pranuan ta japin zekatin dhe ithtarët e pejgamberëve të rrejshëm.Po, ishte i vetëdijshëm se ishin në ditët e para të ekzistimit të shtetit islam, ndërkaq armiqët ishin të shumtë dhe të ndryshëm, por kjo nuk i ndali që ti luftojnë ata që tentonin ta dëmtojnë këtë fe dhe shtetin Islam.Kjo tregon se ata kanë qenë njerëz plot energji dhe nuk kanë qenë tipa pesimist.
Poashtu, edhe komandanti legjendar musliman Salahudin El-Ejjubi nuk i humbi shpresat, nuk qëndroi duarkryq se kryqtarët janë të fortë, muslimanët të dobët dhe nuk mund t’i nxjerrin armiqtë e tyre prej Kudsi, por ai vazhdimisht mendonte si ta bëj një gjë të tillë, si t’i largojë ata prej trollit Islam, si të formojë një ushtri të fortë dhe të përgatitur.Në fakt, ai këtë e arriti falë ndihmës së Allahut dhe punës së palodhshme për organizimin e muslimanëve.Në betejën e njohur legjendare të Hitinit, ushtria muslimane e prirë nga ky komandant i madh, arriti t’i mposht kryqtarët dhe ta çliron Kudsin.Pra, pesimizëm nuk duhet të ketë.
“Optimizmi për fitore, oj rini islame, e përgatit fitoren, dhe fuqia morale e umetit, është ajo që i stimulon të rinjtë dhe bijtë tjerë të umetit të realizojnë çdo ditë e ma tepër fitore bindëse në çdo kohë dhe çdo vend.Allahu është në ndihmë të devotshmëve luftëtar, atyre që urdhërojnë për të mirë dhe ndalojnë nga e keqja, atyre që i mbrojnë parimet e Allahut <<E Ne duam t’i lartësojmë ata që u shtypën në tokë, t’i bëjmë udhëheqës dhe t’i bëjmë trashëgues>>[Kaptina El-Kasas, 5].
Për atë, oj rini, juve ju mbetet që ta shporni pesimizmin prej vetes tuaj, t’i përkushtoheni thirrjes islame seriozisht, përpjekjes në rrugë në Allahut nga të gjitha aspektet me shpirt optimist dhe shpresa të gjalla…”[5].