Lypësi dhe burri axhami – një rrëfim
Bujari e shikoi shtrembër një burrë që e kishte shtrirë dorën drejt tij dhe po lypte…
Burri që dukej të kishte 50 vjet, nuk dukej si lypsarët e tjerë me tesha të vjetra e të leckosura. Teshat që kishte ishin përnjëmend të vjetra, por të pastra. Fytyrë e duar të pastra e me shëndet të plotë. Bujari tha vetë më vete: “Një njeri tamam i shëndoshë e ka shtrirë dorën të lypë, në vend që të shkojë të punojë. Kush e di, ndoshta është më i pasur se unë.”
Ky, edhe ashtu i zemëruar dhe i shqetësuar shumë, me një zë tallës i drejtohet lypësit:
– Po lyp para për bukë, apo për diçka tjetër?
Ai iu përgjigj:
– Jo, kam nevojë për pak para të blej një çokollatë.
Zemërimi i Bujarit u kthye në habi. Mendoi vetë më vete, shakatë e një lypësi duhet të jenë interesante dhe i tha lypësit:
– Pse ju kur nuk gjeni bukë hani çokollata?
Lypësi iu përgjigj:
– Jo, kur nuk gjejmë bukë hamë një oriz të zier e nëse edhe këtë nuk e gjejmë shkojmë të flemë pa ngrënë gjë.
Bujari nuk e kuptoi mirë, nëse lypësi e kishte me gjithë mend apo po tallej me të, andaj i tha:
– Sot si duket e paske ngopur barkun dhe po të heqka shpirti edhe për një ëmbëlsirë përsipër, ha?
Lypësi i tha:
– Ku ka fukaraja shpirt që të kërkojë ëmbëlsirë, zotëri.
Bujari:
– Mos është kjo një kurdisje apo ti je një palaço i mbetur pa punë?
Lypësi:
– Asnjëra. Unë jam vetëm një fukara i thjeshtë. Gruaja ime sot e ka ditëlindjen, prandaj desha t’ia dhuroj një çokollatë.
Bujari:
– Me sa e di unë, për ditëlindje blihet torte, e jo çokollatë?!
Lypësi:
– Ajo s’është për ne; zengjinët blejnë torte. Qe tridhjetë vjet sa jemi të martuar, asnjëherë nuk kam mund t’i blej torte gruas sime. Ama, për çdo herë kur ajo e ka ditëlindjen asaj ia kam dhuruar nga një çokollatë. I ka shumë merak ato.
Këto fjalë ia tërhoqën vëmendjen Bujarit, i cili kësaj mbrëmjeje ishte zënë me gruan e vet, e kishte plasur derën dhe kishte dalë në rrugë të ecë pa ndonjë cak. Madje nuk e kishte marrë as veturën, ashtu në këmbë kishte ecur deri në breg të detit. Bile edhe shikimi në det nuk e kishte rehatuar atë. Ndërkaq herëve të tjera nga shikimi në det gjithnjë kishte gjetur qetësinë. Valët sikur po ia merrnin sikletin dhe e humbnin në det. Kurse sot jo. Me siguri e dinte se gruaja po i qante në shtëpi, andaj edhe nuk rehatohej dot.
Duke folur me lypësin, sikur iu lehtësua koka: “A thua ky njeri flet drejtë apo është duke trilluar”, mendoi në vetvete dhe vazhdoi t’i flasë:
– D.m.th. ti tani nuk ke asnjë para në xhep për t’ia blerë së shoqes një çokollatë, hë?
Pas kësaj pyetjeje të Bujarit lypësi i zbrazi xhepat dhe nuk doli gjë prej tyre përpos një kulete. I tha Bujarit:
– Unë nuk jam lypës, por punë nuk gjej dot. Kur gjej punë, çfarëdo që të jetë ajo, punoj me mëditje. Sot gjithë ditën kërkova, s’gjeta dot.
Bujari, i ulur në bankë buzë rrugës, ia bëri me shenjë që edhe ai të ulej:
– Mbasi qenka ashtu, ulu pak të qajmë dert.
Plaku, kokën varur për toke, ulet pranë Bujarit.
Bujari:
– A nuk ke miq e shokë, apo edhe ndonjë të afërm, që të huazosh prej tyre?
Plaku:
– Fukaraja edhe miqtë e të afërmit i ka fukarenj, zotëri. Kur gjejnë diçka, ata së pari e ushqejnë vetveten.
Bujari:
– A aq shumë e dashuron gruan tënde, sa edhe je pajtuar të shtrish dorën për të?!
Plaku:
– E dashuroj bile edhe shumë. Ajo m’i ka ndritur tridhjetë vitet e mia që i kemi kaluar bashkë.
Bujari:
– Hëmmm! Dashuri, bile një dashuri që zgjat tridhjetë vjet. Për habi! Njerëzit thonë se dashuria zgjat vetëm tre vjet, e ti po flet për tridhjetë vjet?!
Plaku:
– Po. Bile vitet e kaluara jo që ma kanë pakësuar, po ma kanë shtuar dashurinë për të.
Bujari:
– Pa më thuaj ç’është sekreti i lumturisë në martesë? Sipas asaj që thua, ti e paske gjetur formulën e lumturisë?!
Plaku:
– Unë nuk e kam mbaruar as shkollën fillore, prandaj nuk e di për çfarë formule e ke fjalën?
Bujari:
– Sigurisht që nuk të pyes për formula të kimisë apo fizikës… Edhe unë jam i martuar qe gjashtë vjet, madje me një vajzë që e kam dashur… Vazhdimisht po zihemi. Pak më parë, ia plasa derën dhe u hodha në rrugë… Kemi para, veturë, punë, fuqi.., kemi gjithçka, ama s’kemi lumturi. Ti nuk ke asgjë, ama je i lumtur. A thua janë paratë ato që na vjedhin lumturinë?
Plaku:
– Unë nuk paskam asgjë?! Jo, unë kam gjithçka. Gruaja ime është gjithçka për mua: dashnore, grua, shoqe, bashkudhëtare jete… Çka mund të ketë më të rëndësishme dhe më të vlefshme në botë se sa njeriu me të cilin e ndaj jetën? Ato që thua se i keni ju: shtëpi, para, veturë…, në fakt s’janë gjë.
Bujari:
– Mos thuaj ashtu, midis gjithë kësaj pasurie që e kemi, gruaja ime ankohet për çdo gjë. Po sikur të isha i varfër, çfarë do të kishte ndodhur?
Plaku:
– Ena e artë nuk i bën dobi atij që vjell gjak, zotëri. Ti nuk e paske kuptuar fare shpirtin e gruas. Asnjë grua nuk bëhet e lumtur pse jeton në një shtëpi luksoze, ose pse për çdo ditë ha ushqime nga më të ndryshmet. Gruaja bëhet e lumtur atëherë kur ta kuptojë se burri i saj për të është gjithçka.
Bujari:
– A kjo është fshehtësia e lumturisë suaj?
Plaku:
– Ka mundësi. Unë nuk mund t’i blej gruas sime gjëra me vlerë, mirëpo ia bëj të kuptojë se sa e vlefshme për mua është vetë ajo. Prandaj, ajo edhe e ndien veten të lumtur.
Bujari:
– Po si bëhet kjo, që gruaja të kuptojë se sa e vlefshme është?
Plaku:
– Duke e dashuruar vajzën e vogël.
Bujari:
– Vajzën e vogël?! Cilën vajzë të vogël?
Plaku:
– Në cilëndo moshë që të jetë, secila grua ka në vetvete një vajzë të vogël që nuk rritet kurrë. Sa më shumë që ta duash, sa më shumë që ta bësh të lumtur këtë vajzë të vogël në të, aq më të lumtur do ta bësh gruan vetë.
Bujari:
– Hëë? Si the?!
Plaku:
– Pa mendohu një herë, vajzat e vogla çfarë kanë për qejfi, çka u pëlqen atyre?… Ato presin vazhdimisht të pëlqehen, të jenë të pëlqyera nga të tjerët dhe të shohin interesimin e tyre për të. Ato shkrihen kur dëgjojnë se janë të bukura e të hijshme. Presin që me to të sillesh sikur me një princeshë. Vashat e vogla ëndërrojnë vazhdimisht të bëhen princesha. Ato mahniten nga surprizat. Duan të jenë pak të lazdruara. Kanë qejf që vazhdimisht të duhen dhe të dëgjojnë se duhen. Vajzat e vogla nuk ngopen së përkëdheluri. A s’është kështu?
Bujari:
– Ke të drejtë. Unë kam një vajzë katër vjeçe. Për çdo mbrëmje më ngjitet për qafe dhe më pyet: “Babi, sa shumë më do?”. Kur i ndërron të veshurat më vjen vërdallë duke më pyetur: “A dukem e bukur, babi?”. Nuk i mjafton t’i them se është e bukur, porse “Shumë e bukur, dukesh si princeshë, babi”. Më duhet t’i them se është vajza më e bukur në botë.
Plaku:
– Ja pra, gratë duan ta dëgjojnë këtë sa të jen gjallë. Unë kështu sillem me gruan time 50 vjeçe. Nëse jetojmë edhe 80 a 90 vjet, unë do të vazhdoj kështu të sillem me të. E thërras me “e dashura ime” dhe kjo i pëlqen shumë. Kur i them “E dashur, a po ma mbush një çaj?!”, vetëm ta shikosh se si vrapon të ma bëjë çajin.
Bujari:
– Po ju a hiç nuk ziheni?
Plaku:
– Zënkat në martesë janë si kripa për gjellën. Herë-herë edhe ne fjalosemi. Ka një shije të veçantë pajtimi pas zënkave. Gruaja ime është inatçore sa një cjap. Më bën kënaqësi të veçantë kur përpiqem ta pajtoj atë.
Bujari:
– Gruaja ime është shumë serioze. Nuk shoh dot vajzë të vogël në të.
Plaku:
– Vajzat e vogla kur rriten u vjen turp më të lypin dashuri e kujdes. Madje edhe gratë më serioze dhe më plaka e kanë në vetvete atë vashën e vogël. Mjafton të dish ta dashurosh e ta bësh të lumtur atë vashë. Dhe, mos e tradhto kurrë, sepse asnjëherë më nuk do të besojë dhe çfarëdo që të bësh për të, ajo do të të shikojë gjithnjë me dyshim. Vashat e vogla edhe shpejt bëhen të lumtura, po edhe shumë shpejt hidhërohen. Ato janë shumë të prekshme. Nuk i duan duart e vrazhda. Shkrihen nga duart e buta përkëdhelëse…
Bujari:
– Do ta provoj këtë këshillë, mirëpo nuk e di a do të mund ta bëj gjithmonë. Ndonjëherë ka shumë punë dhe kthehem në shtëpi i lodhur.
Plaku:
– Kjo është vetëm një behane (arsyetim). Ta bësh të lumtur atë vashën e vogël është puna më e lehtë në botë. Në të shumtën e herëve mjafton vetëm një fjalë e ëmbël. Kur ta bësh të lumtur atë vashën e vogël, shpërblimin do ta marrësh shumëfish nga ajo. Tanimë ajo do të bëjë çmos që ti të rehatohesh. Nuk mund të jetë i lumtur burri i cili gruan nuk e ka të lumtur. Mashkulli që dëshiron të jetë i lumtur, fillimisht duhet ta bëjë të lumtur gruan e vet. Paramendo, sa gjatë mund të udhëtosh me një njeri të ftohur, jo të lumtur, me një që qahet vazhdimisht?!
Bujari:
– Ke të drejtë, mirëpo edhe unë lodhem duke punuar gjithë ditën për familjen time.
Plaku:
– Sërish paraja, sërish arsye të jashtme. Po, paraja është me rëndësi, mirëpo gruaja nuk e do burrin për shkak të parave. Paraja ofron lumturi të përkohshme… Gratë i kanë merak dhuratat. Nëse ke para, natyrisht se do t’i blesh dhurata. Ama mos prit që ajo të bëhet e lumtur me dhurata. Nëse dhuratës nuk ia bashkëngjit edhe dashurinë, asaj s’i mbetet kurrfarë kuptimi. Unë kurrë nuk kam pasur shumë para. Kam fituar për një ditë, jemi ushqyer për një ditë. Ndonjëherë edhe kemi mbetur të uritur… Asnjëherë nuk kam mund t’i vë gruas sime vëth të artë në vesh, mirëpo vazhdimisht i kam pëshpëritur fjalë dashurie. Asnjëherë nuk kam mund t’i ngjit asaj në qafë gjerdan të artë, mirëpo vazhdimisht ia kam dashuruar qafën me të puthura. Asnjëherë nuk kam mund t’i blej tesha të mëndafshta, mirëpo vazhdimisht ia kam mbështjellë butë trupin me trupin tim sikur t’i kisha veshur mëndafsh. Kështu e kam bërë atë të lumtur.
Plaku u ngrit në këmbë dhe i tha Bujarit:
– Unë po ik tani, gruaja do të bëhet merak për mua. Po edhe ti shko në shtëpinë tënde dhe fitoja zemrën asaj vashës së vogël, ndoshta ajo tani qanë e vetmuar në shtëpi.
Edhe Bujari u ngrit dhe ia shtrëngoi plakut dorën fort, duke i thënë:
– Jam i gëzuar që ju njoha.
Ia lëshoi dorën dhe ia futi krahun ndër sqetull duke e çuar në ëmbëltoren karshi:
– Eja t’i marrim shoqes sate një torte me çokollatë.
E morën tortën. Plaku për herë të parë në jetë i kishte blerë shoqes torte. E falënderoi pa masë burrin axhami dhe u nis për në shtëpi. Kurse Bujari ktheu në dyqanin e shitjes së frutave që ndodhej pranë ëmbëltores dhe i bleu shoqes nga pemët që ajo i donte më së shumti.
Kur mbërriti në shtëpi e gjeti atë të ulur në tavolinën e kuzhinës duke pirë ujë me sy të fryrë nga të qarët. Pa folur gjë, Bujari i lau pemët në një pjatë të madhe dhe ia vendosi asaj përpara, duke i thënë:
– Këto janë pemët më me shans në botë.
E shoqja nuk i foli fare.
Bujari:
– Pse nuk po më pyet “pse”?
E shoqja, e zemëruar tej mase:
– Pse, pra?
Bujari, me një ton të qetë e serioz:
– Sepse do të hyjnë në lukthin e gruas më të bukur dhe më të ëmbël në botë.
E shoqja u habit fare. Përnjëherësh në fytyrë iu vërejt zbutja e zemërimit.
Bujari:
– Këto janë pemët që ti i ke merak më së shumti. Për ty i kam blerë.
E shoqja:
– Për çudi! Gjithnjë ke blerë nga pemët që i do ti. Nuk paske harruar se cilat pemë i kam qejf unë. Këtë e kam pritur që moti prej teje, por… Tanimë këto nuk kanë vlerë, ngase jam shumë e zemëruar në ty. Nuk mund të ma blesh zemrën me pemë…
Bujari:
– Kërkoj falje për atë që të kam zemëruar!
Pastaj ai bie në gjunjë përpara saj:
– Pajtohem me çfarëdo dënimi që mendon se e meritoj, por të lutem vetëm për një gjë: “Këtë njeri që të do si i marrë mos e largo nga ti”.
Bujari, i rënë në gjunjë e me kokë për toke, dukej shumë qesharak.
E shoqja, kur e pa Bujarin në këtë pozitë, filloi të qeshë në vete khë-khë-khë… Pastaj iu drejtua Bujarit:
– Nuk është aq lehtë të të fal. Të shohim se cilat dënime je i gatshëm t’i durosh.
Bujari, pikërisht në këtë moment e vërejti te shoqja e vet vashën e vogël, të cilën ajo e mbante të fshehur në vetvete që nga fëmijëria dhe mendoi: “Tani e tutje do të jetë shumë më ndryshe. Të falënderoj shumë, o plak i urtë!”.
Nga turqishtja: Rejhan Neziri