Problemi i metodologjisë në të kuptuarit dhe në interpretimin e sunnetit dhe hadithit
Besojmë se nuk ka ndonjë personalitet tjetër në faqen e tokës përveç pejgamberit të Islamit, që i janë shënuar e përmbledhur në libra deri në hollësi të gjitha fjalët dhe sjelljet. Përsëri besojmë se nuk ka ndonjë ummet tjetër në faqen e tokës përveç ummetit islam, i cili fjalët e urta të derdhura nga goja e pejgamberit dhe sjelljet e qëndrimet mostër të tij të shprehura në praktikë, ua ka përcjellë brezave të mëvonshëm dhe për ta bërë këtë ka përpiluar një literaturë të bujshme mijëra vëllimesh. Akoma më e rëndësishme se këto është të kuptuarit e drejtë e këtyre fjalëve plot urtësi nga ana e ummetit të tij si dhe vazhdimi i pashterur i ndriçimit të jetës sonë nga ana e sjelljeve dhe qëndrimeve shembullore të tij.
Veprat e llojit sijer dhe megazi si dhe burimet historike që flasin për jetën shembullore dhe veprat e tij që njerëzimit ia tregojnë rrugën e udhëzimit, pastaj veprat e llojit të musnedeve, suneneve, xhami’ve, mu’xhemëve, musannefëve si dhe punimet e rixhalëve, tabakatëve dhe xherh e ta’dil që janë shkruar për të vërtetuar saktësinë e transmetimeve në veprat paraprake, pastaj veprat e llojit delail dhe shemail që përshkruajnë vetitë fizike dhe morale të tij, përfundimisht veprat e llojit na’at, mevlud, hilje e shumë lloje të tjera që nuk mund t’i përmendim këtu dhe që e shprehin ashkun dhe dashurinë tonë ndaj tij, të gjitha këto janë burime që na rrëfejnë për të, na përcjellin hadithet si dhe sunnetin e mesazhin e tij deri te ne në ditët tona.
Madhësia e kësaj trashëgimie që është formuar me kulturën e shkruar e të folur si dhe shumësia e transmetimeve që e përbëjnë këtë trashëgimi, ndonjëherë mund të shkaktojë edhe keqkuptimin, mjegullimin madje edhe humbjen e mesazhit bazë. Nuk mund të thuhet se disa njohuri të gabuara që janë përzier qoftë në veprat që na rrëfejnë për jetën e tij qoftë në përmbledhjet e haditheve që përbëjnë burimin e shkruar e të folur të sunnetit, apo se edhe të metat dhe dobësitë e transmetuesve që na përcjellin njohuritë që kanë të bëjnë me të, kanë shkaktuar shmangien dhe zhdukjen e plotë të mesazhit të tij. Jo. Mirëpo, krahas mangësive që i ka sjellë me vete faktori njeri, si në përcjelljen gojore ashtu edhe në fazën e shënimit të këtyre transmetimeve, edhe problemet metodologjike po madje ndonjëherë edhe metodat e gabuara që janë përdorur me rastin e vlerësimit të këtij thesari të madh të njohurive, herë-herë kanë qenë pengesë për kuptimin e drejtë të mesazhit.
Ajo çka duket qartë është fakti se këto burime sot e kësaj dite akoma qëndrojnë përpara nesh si vepra që na flasin për udhërrëfimin dhe shëmbëlltyrën e tij dhe se njerëzit vazhdojnë t’i referohen këtij korpusi të madh për ta identifikuar këtë forcë udhëzuese dhe fytyrën e tij të kthyer nga ata. Edhe pse burimet e hadithit që i zotërojmë dhe veprat kolosale që janë shkruar për t’i komentuar këto burime, çdo niveli të njerëzve u ofrojnë mundësi të rëndësishme, prapëseprapë ata që u referohen këtyre veprave për ta kuptuar forcën udhëzuese të tij, herë pas here mbyten në turmën e njohurive e transmetimeve të shumta dhe kanë vështirësi ta arrijnë qëllimin bazë. Përballë kësaj situate disa thonë se nuk është mirë të lexohen veprat e përmbledhjeve të haditheve; se ajo që duhet bërë është kapja pas veprave të fikhut e të ilmihaleve të cilat janë përpiluar duke iu referuar përmbledhjeve të haditheve, disa të tjerë me metodë prej farmacisti nisen ta identifikojnë forcën udhëzuese të Pejgamberit a.s. duke u mbështetur drejtpërdrejt në përmbledhjet e haditheve, kështu që na paraqiten pothuajse aq praktika të ndryshme sa ka edhe transmetime. Ndërkaq, ta respektosh Pejgamberin a.s., ta ndjekësh, ta marrësh si udhërrëfyes e shembull atë, nuk do të thotë “ta marrësh cilindo burim të haditheve dhe t’i zbatosh fjalë për fjale ato që thuhen aty”. Të gjitha këto na tregojnë se ne akoma sot e kësaj dite ndeshemi me problemin e metodologjisë së kuptimit dhe interpretimit të sunnetit dhe hadithit.
Duhet thënë edhe këtë se, përkundër jehonës së diskursit orientalist që po vazhdon qe dy shekuj, përgjatë historisë ne kurrë nuk kemi pasur problem me vlerën dhe fuqinë apo karakterin argumentues të sunnetit dhe të hadithit. Ummeti islam kurrë nuk ka dyshuar se sunneti dhe hadithi jo vetëm që janë burimi i dytë i njohjes në Islam, porse në të njëjtën kohë ato përbëjnë edhe një tërësi vlerash që e kanë ngritur kulturën dhe qytetërimin islam; se ato nuk janë vetëm një stil jete që Kur’anin e kanë shndërruar në jetë praktike, porse në të njëjtën kohë ato janë edhe një udhërrëfyes për reflektimin e besimit tonë në jetën individuale dhe sociale, një burim morali, një përmbledhje vlerash që i ndërtojnë ibadetet tona, praktikat tona, botën tonë të simboleve e të kuptimeve. Mirëpo ne gjithherë kemi pasur problem me të kuptuarit e haditheve. Madje siç thonë shpesh disa ne kurrë nuk kemi pasur problem me hadithe mevdu’ (të trilluara) të shkallës që do ta linin Kur’anin në hije. Mirëpo është e vërtetë se ne kemi vështirësi për ta kuptuar të vërtetën që e solli Kur’anin, të vërtetën që thotë se Kur’ani është i vërtetë. Nuk është problem vetëm zgjatja e hapësirës kohore midis Pejgamberit a.s. dhe nesh, kalimi i shekujve të tërë nga koha e tij. Por ne nuk duhet ta harrojmë as edhe pjesën e problemit të hapësirës që ne e kemi krijuar midis nesh dhe Pejgamberit të mëshirës.
Problemi i të kuptuarit të haditheve nuk buron as vetëm nga gjuha e shumëllojshme e hadithit, po as edhe vetëm nga të kuptuarit e mangët të teshbihut, mexhazit dhe isti’ares ose nga shndërrimi i mexhazit në jetën reale tonën. Po kështu, problemi ynë i të kuptuarit të hadithit nuk buron as vetëm nga madhësia e korpusit të transmetimeve, nga mungesa e fuqisë për t’i bashkuar në tablonë e sunnetit kutitë e fotografive të transmetimeve, po as edhe vetëm nga ajo që, në këtë libër shpeshherë thuhet, pamundësia e ripërtëritjes së metodologjisë së të kuptuarit dhe shfaqjes gjithherë të re ndaj aftësisë sonë të të kuptuarit. Krahas të gjitha këtyre, nuk duhet harruar as edhe atë nëse sytë e të kuptuarit i kemi të hapur ose jo. Me fjalë të tjera, nuk duhet ta harrojmë as edhe pjesën e kuptimeve të gabuara dhe të paragjykimeve që i janë shfaqur aftësisë sonë të të kuptuarit si përgjatë historisë ashtu edhe në ditët e sotme.
Po ashtu ne nuk e kemi vetëm problemin e të kuptuarit të haditheve. Të njëjtin problem, po madje edhe më thellë, jemi duke e përjetuar edhe në të kuptuarit e botës së sunnetit që na sjellin hadithet, në të kuptuarit e sjelljeve shembullore të Pejgamberit a.s.. Ka të ngjarë që ne t’i kemi vënë në pozitën e praktikës sonë disa sunnete që shprehin lëvizjet trupore, mirëpo kush mund të na thotë se pa asnjë problem i kemi bartur në zemrat tona edhe sunnetet e zemrës që ai i ka përjetuar si pranues i shpalljes (vahjit)? Ka të ngjarë që disa lëvizje të tij, edhe pse nga aspekti juridik nuk kanë asnjë veti detyruese, por që duke i konsideruar si sunnet, t’i kemi bartur në jetën tonë praktike. Mirëpo kush mund të pohojë se ia kemi arritur që sunnetet e botës së mendimit të Pejgamberit a.s. t’i kemi bartur në botën tonë të mendimeve? Siç thotë Shah Velijjullah Dehleviu, ne mund të themi se ia kemi arritur t’i bartim në jetën tonë sunnetet vetëm për nga forma. Mirëpo a mund të themi me siguri se ia kemi arritur që frymën mbi-shekullore të sunnetit ta kemi bartur në shekujt tanë? A nuk kemi nevojë të mendojmë sërish nga e para në mënyrë që, siç thotë Imam Gazzaliu, të mos e ngatërrojmë përngjasimin me Pejgamberin me marrjen shembull të tij, taklidin (imitimin) me ittibanë (ndjekjen)? Ka mundësi të kemi qenë të suksesshëm duke pandehur si sunnete disa sjellje e lëvizje që ai nuk i ka bërë për t’u marrë shembull. Mirëpo a mund të themi se kemi qenë të suksesshëm edhe në bartjen e sunneteve të rrugës së tij në rrugët tona, të sunneteve të sokakëve të tij në sokakët tanë, të sunneteve të mëhallës së tij në mëhallët tona? Akoma më tepër, kush mund të pohojë se sunnetet, që fshatin Jethrib e bënë Medine, me sukses i kemi bartur në qytetet, metropolet dhe megapolet tona?
Sunnetet që e ndërtuan qytetërimin islam, që i endën fije për fije raportet ndër-njerëzore, pse nuk vazhdojnë të reflektohen në sjelljet tona? Pse nuk jemi aq të suksesshëm në bartjen e hushusë, ihlasit e sinqeritetit që e përbëjnë shpirtin e ibadeteve tona, sa jemi të suksesshëm në bartjen e ibadeteve muekkede, gajri muekkede dhe nafile? Pse nuk po kapemi siç duhet pas udhëzimit të suneni-hudasë aq sa merremi me të tepërtat e suneni-zevaidit?
Shumë vite më parë, në cilësi të një studenti të hadithit që pretendoja të futesha në jetën akademike, kur shfletoja e lexoja libra të këtij lëmi, vërejta se ummeti islam po përjeton një problem të madh në të kuptuarit e trashëgimisë së hadithit, që besoja fort se vjen nga Pejgamberi i nderuar dhe se përbënte një thesar të çmuar urtësie. Më duhet ta pranoj se nuk kisha fuqi shkencore, po as guxim qytetar, që çdo të vërtetë e të drejtë ta vendosja në vendin e vet. Mirëpo kur gjeta fuqinë ta kuptoja të gabuarën, kur arrita ta kuptoja gabimin e së gabuarës, atëherë nisa ta përgatisja si punim doktorature veprën që e keni në dorë. Pas një studimi e hulumtimi relativisht të gjatë që zgjati pesë vjet, në vitin 1995 e përfundova tezën time të doktoraturës. Më pas, kur nga ana e disa fakulteteve teologjike në Turqi vepra ime u zgjodh si tekst mësimor në lëndën e “Problemeve të hadithit”, më nxiti që këtë punim edhe ta botoja për publikun. Kështu, në vitin 1997 vepra e përjetoi botimin e parë, kurse në vitin 2000 edhe botimin e dytë. Lidhur me këtë vepër në ndërkohë u shkruan disa kritika e vlerësime. Meqë për një periudhë prej dhjetë vjetësh nuk u botua më, edhe kërkesat për një botim të ri sa vinin e shtoheshin.
Në ndërkohë kur, i shtyrë edhe nga detyra që e kam marrë përsipër, fillova të vëzhgoja mënyrën e jetesës së popujve muslimanë, vërejta se shumë gabime, keqkuptime e keqinterpretime të hasura nëpër libra vazhdonin të jetonin nëpër shtëpitë, rrugët dhe qytetet tona. Problemet që i identifikova duke lexuar mes reshtësh të librave, duke shëtitur nëpër komentet e transmetimeve, i gjeta për fat të keq edhe nëpër sokakët e Kajros, nëpër xhamitë e Karaçit si dhe nëpër rrugët e Mekkes e të Medines. Po ashtu, edhe kërkesat dhe interesimi i lexuesve ndaj librit, na tregon se kjo vepër, përkundër të gjitha mangësive që mund t’i ketë, me tezat që i përmban ajo e ruan akoma të gjallë aktualitetin e saj. Andaj, duke i marrë parasysh edhe disa kritika e vlerësime që i janë bërë asaj më parë, pata rastin që atë ta rishikoja edhe një herë. Prandaj, besoj se botimi i tretë i kësaj vepre do të sjellë dobinë e mëtuar. Me këtë rast e falënderoj çdokënd që ka kontribuar në botimin e tretë të saj.
Mundi është i yni, kurse suksesi nga All-llahu xh.sh.
Nga turqishtja:
Mr. Rejhan Neziri
* Autori është kryetar aktual i Diyanetit të Turqisë, përndryshe prof. i Hadithit. Lirbi është duke u përkthyer në gjuhën shqipe…
Nga arabishtja: mr. Rejhan Nezir