Xhamitë shqiptare në Zvicër dhe roli i tyre
Rejhan Neziri
Depërtimi i Islamit në Zvicër shënohet të ketë ndodhur qysh para 1000 viteve, përmes maurëve berberë – muslimanë të Andaluzisë, të cilët zviceranët dhe historianët e tjerë i kanë quajtur “saracenë”. Në vitin 936 raportohet për pushtimin e dioqezës së Kurit (Chur), me ç’rast duhet të jetë shkatërruar selia e ipeshkvisë dhe një pjesë e Graubindes të ketë rënë nën sundimin e saracenëve. Edhe në Wallis saracenët qysh herët paraqiten në skenë. Në vitin 940 është plaçkitur abacia Saint-Maurice në luginën Rhone. Flitet edhe për pushtimin e Gjenevës në perëndim dhe të Pontresinës afër St. Gallenit në lindje të Zvicrës.[1]
Më pas, në shek. XVIII Zvicra përsëri na paraqitet në kontekst me Islamin, në të vërtetë me personalitetin e Johann Ludwig Burckhardt-it, i cili rrjedh nga një familje e vjetër dhe e njohur fisnike e Baselit dhe i cili në vitet 1809-1816 me emrin ‘Shejh Ibrahim’ dhe me porosi të Shoqatës Londinezo-Afrikane ndërmerr një ekspeditë kërkimore-shkencore në Siri, Arabi, Egjipt dhe Nubi.
Kah fundi i viteve 1940 në Zvicër vijnë turqit e parë. Këtu bëhet fjalë para së gjithash për elitën e atëhershme të cilët u shkolluan nëpër shkolla të larta të këtushme, pjesërisht me përkrahje shtetërore. Pas përfundimit të studimeve shumica prej tyre u kthyen përsëri në Turqi, shumë pak mbetën këtu. [2]
Në fillim të viteve ’60 deri kah mesi i të 70-tave ndodh ardhja e parë kryesisht e ‘gastarbeiterëve’ (punëtorëve mysafirë) turq, shqiptarë, boshnjakë, arabë etj., të cilët pasi i tërheqin me vete edhe familjet e tyre, vendosen në Zvicër për një kohë më të gjatë. Edhe pse shumica prej tyre në fillim planifikonin të qëndronin këtu vetëm 2-3 vjet, mirëpo tani në ndërkohë janë bërë, jo rrallë, edhe nga 30 vjet.
Me vendosjen e përkohshme të muslimanëve në Zvicër fillon edhe hapja e mesxhideve (faltoreve më të vogla se xhamitë) të para. Nuk dimë saktësisht se kur janë hapur mesxhidet e para, por ajo që e dimë me siguri, është fakti se turqit dhe mbase edhe arabët janë të parët që hapin faltoret e para islame në Zvicër, kurse aty kah vitet ’90 hapen edhe faltoret e para shqiptare. Shumica e këtyre mesxhideve janë hapur nëpër bodrume dhe vende të fshehura si magazina, stalla etj. dhe zakonisht larg qendrës së qytetit, diku në periferi. Tejet-tejet i vogël është numri i mesxhideve apo xhamive që janë hapur në ndonjë fshat, pra ato kryekëput ndodhen nëpër qytete. Si mesxhid i parë shqiptar në Zvicër është ai në Cyrih, xhemati i të cilit fillimisht janë falur bashkë me muslimanët turq atje, e më pas shkëputen dhe krijojnë xhematin dhe mesxhidin e tyre shqiptar. Kjo ka ndodhur në vitin 1987. Si imam i parë në këtë xhami ka qenë Usame ef. Xhemaili, momentalisht i punësuar në Bibliotekën “Isa Beu” në Shkup.
Më pas vijojnë hapjet e mesxhideve të reja si në Wil, në Kreuzlingen, Romanshorn etj. me përpjekjet e imamëve Taxhedin ef. Misimi, Alivebi ef. Mediu, Sami ef. Misimi, Shaban ef. Sulejmani, Mustafë ef. Memeti, Nebi ef. Rexhepi etj.
Ndërkaq si xhami me minare në Zvicër ekzistojnë vetëm tri: Xhamia Mahmud (Mahmud Moschee) në Cyrih, e hapur në vitin 1963 nga xhemati ahmedijj; Xhamia e Fondacionit Kulturor Islam (Mosquée et Fondation Culturelle Islamique) në Gjenevë e ndërtuar nga Mbretëria e Arabisë Saudite dhe e inauguruar në vitin 1978 si dhe Xhamia turke në Wangen bei Olten afër Bernës e hapur fillimisht si mesxhid e që në janarin e vitit 2009 t’i ngrihet edhe një minare e montuar. Vlen të theksohet se kërkimi i lejes për ndërtimin e kësaj minareje u mor si bazë për nisjen e diskutimeve të ashpra si dhe të një referendumi nga ana e partisë SVP (Schweizerische Volkspartei – Partia Popullore Zvicerane), çka rezultoi me ndalimin e tërësishëm me kushtetutë të minareve në Zvicër në referendumin e mbajtur më 29 nëntor 2009. Ekziston edhe një xhami e katërt me minare, por e cila mund të cilësohet më tepër si një minare simbolike sesa minare e vërtetë. Është fjala për xhaminë shqiptare në Winterthur dhe minaren e saj të inauguruar me leje të qytetit në vitin 2005.
B. Analizë statistikore e xhamive
Momentalisht në Zvicër ekzistojnë afro 180 xhami, mesxhide e qendra islame. Shumicën prej tyre e përbëjnë qendrat dhe mesxhidet shqiptare: 63, pastaj vijnë turqit me afro 60, boshnjakët me 14 dhe të tjerat u takojnë muslimanëve të kombësive të tjera.
Siç mund të vërehet, këto xhami kryesisht ndahen sipas gjuhës së xhematit shumicë të tyre dhe gjuhës së predikimit në to, andaj kemi edhe xhami shqiptare, turke, arabe, boshnjake, pakistaneze etj.
Ato ndahen edhe sipas ideologjisë apo përkatësisë sektare, për çka kemi xhami sunnite, të cilat e përbëjnë shumicën, pastaj xhami shiite, ahmedite etj.
Ekzistojnë xhami që janë hapur nga lëvizje që në vendlindje kanë një aktivitet më të bujshëm fetar, arsimor po edhe politik, siç janë p.sh. xhamitë turke të Dijanetit (Bashkësisë Fetare të Turqisë – diyanet.ch), xhamitë turke të lëvizjes “Milli Görüş”, lëvizje që ka qëndruar pas veprimtarisë së partisë politike të ish-kryeministrit turk Necmettin Erbakan, por e cila kohëve të fundit, e sidomos në Zvicër, ka pësuar një transformim veprimtarie me çka më së shumti angazhohet në arsim, aktivitete humanitare etj. (sig-net.ch); pastaj kemi xhami turke të grupit të ashtuquajtur “sulejmanxhi”, i cili grup dallohet me përkatësinë ndaj tarikatit (rrymës mistike islame) nakshibendi (tunahan.org).
Rolin e faltoreve apo mesxhideve e luajnë në masë të konsiderueshme edhe teqetë e tarikateve të ndryshme mevlevijje, nakshibendijje, tixhanijje etj. si dhe xhemevet e alevijve (iabf.ch).
Juridikisht shumica e këtyre qendrave apo mesxhideve kanë status shoqate (Verein) ose fondacioni (Stiftung). Kohëve të fundit është shtuar numri i mesxhideve apo xhamive që tanimë kanë objektet e tyre private të blera ose të ndërtuara nga ana e anëtarëve të xhamive gjegjëse. Ky numër shtohet dita-ditës.
Sa u takon mesxhideve shqiptare, ato pothuajse janë kompakte dhe unike sa i takon përkatësisë së medh’hebit (shkollës juridike), të gjitha pa përjashtim janë të shkollës hanefite, kurse në çështje të besimit ndjekin shkollën maturidijje të Ehli-Sunnetit.
Në Zvicër jeton edhe një numër i vogël muslimanëve shqiptarë të tarikatit bektashi, rufaij dhe sadijj, mirëpo nuk kemi njohuri nëse ata kanë ndonjë teqe të tyren këtu.
Prej të gjitha 63 mesxhideve shqiptare vetëm 23 janë me imam të rregullt, 16 prej tyre kanë të punësuar imam vetëm për të premten (të xhumanë) dhe për fundjavë, ndërkaq 23 syresh nuk kanë imam as të rregullt e as për fundjavë. Këto ftojnë nga një imam nga vendlindja vetëm për muajin Ramazan, ndërkaq për namazin e xhumasë angazhojnë ndonjë prej xhematëve që kanë pak njohuri rreth rregullave të namazit të xhumasë dhe të hutbes (predikimit të së premtes në minber). Vetëm tani kohëve të fundit, pas heqjes së vizave për qytetarët e Republikës së Maqedonisë, disa xhami që kanë sadopak buxhet ftojnë nga një teolog nga vendlindja për të shërbyer si imam për një periudhë tremujore, mirëpo kjo bëhet fshehurazi ngase bie ndesh me ligjet e këtij vendi, pasi imamët e këtillë duhet të posedojnë vizë pune nga organet qeveritare zvicerane si dhe dekret nga Bashkësitë Islame të vendlindjes.
C.Rolet apo funksionet e xhamive shqiptare në Zvicër
Pozita gjeografike e Zvicrës si një shtet me hapësirë të vogël e me popullsi të dendur, sistemi demokratik e liberal i shtetit kur është në pyetje çështja e lirisë së shprehjes, e mendimit dhe e besimit (përjashtuar ndalimin me kushtetutë të minareve në referendumin e vitit të kaluar), infrastruktura e mirë e shtetit etj., janë disa nga faktorët që e lehtësojnë si hapjen e xhamive ashtu edhe mbajtjen gjallë të tyre si nga aspekti financiar ashtu edhe nga aspekte të tjera që i japin xhamisë rolin e një qendre tërheqëse dhe lëvizëse fetare, arsimore, sociale, humanitare, kombëtare, kulturore dhe herë-herë pse jo edhe politike.
Andaj, ne në vazhdim do të themi disa fjalë rreth këtyre roleve apo funksioneve që i luajnë xhamitë shqiptare këtu në Zvicër dhe në fund vërtet do të arrijmë të kuptojmë se ç’gamë të madhe detyrash kanë xhamitë dhe ç’forcë lëvizëse janë ato veçanërisht këtu në Zvicër.
1. Roli fetar e arsimor i xhamive
Ndër funksionet parësore të xhamisë, si kudo tjetër, ashtu edhe në Zvicër, janë: a. falja e namazit me xhemat, b. ligjëratat javore, c. mësimi fetar, ç. manifestimet e ndryshme fetare e arsimore në xhami dhe jashtë saj, si dhe d. bibliotekat, libraritë e mjetet e ndryshme tëinformimit.
a. Falja e pesë kohëve me xhemat ndodh vetëm në xhamitë që kanë të punësuar imam të rregullt. (Është dëshpërues fakti kur dëgjojmë se edhe përkundër imamit të rregullt që ka ndonjë xhami, aty nuk falet namazi i sabahut. Edhe pse këto raste janë shumë të rralla, mirëpo janë zhgënjyese). Përpos namazeve ditore, me gjallëri të madhe falen edhe namazet e xhumasë – me gjithë kohën e ngushtë punëtorët gjejnë hapësirë për ta falur këtë namaz dhe për ta dëgjuar ligjëratën e së premtes -, pastaj namazet e teravive në Ramazan – pleqtë mbajnë mend dhe me mallëngjim flasin për namazet e teravive që i kanë falur në Cyrih duke kaluar rrugë të gjatë qindra kilometërshe – , pastaj namazet e bajrameve, të cilat një pjesë e xhamive i falin nëpër salla sporti, për shkak të hapësirës së ngushtë të xhamive që kanë.
b. Një rol të madh në edukimin dhe mbajtjen gjallë të ndjenjave fetare të muslimanëve të këtushëm luajnë edhe ligjëratat e së premtes si dhe të së dielës, diku të së shtunës. Pra te xhamitë me imam të rregullt ligjëratat në xhami mbahen dy herë në javë. Kjo ndodh kështu me qëllim që të përfitojnë nga ligjëratat fetare edhe ata muslimanë që kanë dashur por nuk kanë mundur të marrin pjesë në namazin e xhumasë për shkak të angazhimit me punë. Pastaj duhen përmendur ligjëratat e bajrameve si dhe ligjëratat e përçdonatshme të Ramazanit.
Në këtë kontekst duhet përmendur ligjëratat që në disa xhami mbahen thuajse çdo javë, e në disa prej tyre në dy apo në katër javë nga një, dedikuar drejtpërdrejtë të rinjve e të rejave muslimane. Këto zakonisht mbahet të shtunave në mbrëmje.
Të këtij lloji duhet përmendur edhe ligjëratat e mbajtura enkas për gra nga teologe të diplomuara ose vetëm me medrese gjatë Ramazanit, kurse kohëve të fundit edhe jashtë tij, çka kanë zgjuar një interesim të madh te femrat muslimane, të cilat për arsye të ndryshme nuk mund të marrin pjesë në ligjëratat e rregullta që mbahen në xhami nga imami i vendit.
Këtu bëjnë pjesë edhe ligjëratat ose tribunat fetare të mbajtura kryesisht në Ramazan, kurse tani me afrimin e Ramazanit drejt verës dhe shkurtimit të natës, këto tribuna preferohet të mbahen edhe jashtë Ramazanit në forma më të organizuara, madje duke ftuar ligjërues edhe nga vendlindja e gjetiu. Këto tribuna e manifestime zakonisht përzgjidhen të mbahen me rastin e ndonjë feste apo ditë a nate të madhe islame, si mevludi (ditëlindja e Muhammedti a.s.), nata e Israsë dhe Mi’raxhit etj.
c. Si komponentë e tretë kryesore e xhamive është mësimi fetar islam për fëmijë dhe të rinj e të rritur. Te xhamitë me imamë të rregullt mësimi fetar zhvillohet për të tria këto gjenerata: për fëmijët, për të rinjtë dhe për të rriturit.
c.1.Mësimi fetar për fëmijët e shkollës fillore kryesisht zhvillohet tri herë, diku vetëm dy herë në javë: të mërkurave pas dite dhe të shtunave e të dielave para dite. Metoda e mësimit është tradicionale, duke filluar me kushtet e fesë, me duatë e namazit, me namazin në mënyrë praktike, me alfabetin arab dhe përfundon me leximin e plotë të Kur’anit në gjuhën arabe, respektivisht me hatmen, me ç’rast organizohet edhe ceremoni e veçantë për ta shënuar këtë ngjarje e për t’i uruar nxënësit për suksesin.
Në disa vende në Zvicër mësimi fetar islam për fëmijët e moshës shkollore zhvillohet edhe në shkollat publike në gjuhën gjermane. Ky proces arsimor zhvillohet në Wil qe disa vite, pastaj në Luzern, në Aargau, ndërsa vitin e ardhshëm shkollor i njëjti do të zhvillohet edhe në Kreuzlingen.
c.2. Mësimi fetar për të rinj dhe të rritur kryesisht ka të bëjë me mësimin e alfabetit arab dhe të këndimit të Kur’anit në gjuhën arabe, aty-këtu mësohet edhe shkenca e texhvidit (e leximit të drejtë dhe bukur të Kur’anit) si dhe rregullat e muezinllëkut, kurse në disa xhami madje janë zhvilluar edhe kurse më serioze e më të thelluara me të rinj e të rritur, si: kurse të kelamit (apologjetikës islame) dhe të fikhut (të së drejtës islame).
ç.Manifestimet e ndryshme fetare e arsimore që mbahen nëpër xhami ose në raste më të organizuara edhe nëpër salla të ndryshme të qytetit, kontribuojnë po ashtu dukshëm në ngritjen e ndjenjave fetare dhe të arsimimit fetar. Manifestime të këtilla mund të përmendim: Maidetu’l-Kur’an (Sofra e Kur’anit) me ç’rast lexues të njohur të Kur’anit nga bota islame ftohen për të kënduar bukur pjesë nga Kur’ani. Këto fitojnë një kuptim të madh nga vetë fakti se tanimë muslimanët e këtushëm kanë mundësinë të takohen drejtpërdrejtë, sy më sy me lexues e këndues të famshëm të Kur’anit. Pastaj janë të ashtuquajturat “koncerte islame” të mbajtura edhe këto nëpër salla të mëdha, ku këndohen pjesë nga Kur’ani, ilahije, kaside e herë-herë ngjishen edhe me nga ndonjë ligjëratë rasti. Të këtij karakteri janë edhe garat e diturisë apo kuizet islame, të zhvilluara nëpër xhami apo edhe nëpër salla më të mëdha të qytetit. Këto ndikojnë drejtpërdrejt në shtimin e njohurive fetare islame si dhe në nxitjen e fëmijëve e të rriturve për të nxënë njohuri më të mëdha e më të thella islame e shkencore.
d. Bibliotekat, libraritë dhemediet, që një numër i madh i xhamive i kanë ngulitur që moti dhe kanë krijuar një traditë të gjallë në këtë drejtim, kanë ndikim të pamohueshëm në arsimimin e brezave, informimin e drejtë të tyre me Islamin si dhe në kultivimin e fetarisë në familjet islame që jetojnë në Zvicër. Librat kryesisht sillen nga vendlindja, një pjesë në formë broshurash botohen edhe këtu, kurse një pjesë e konsiderueshme e librave në gjuhën gjermane blihen në Zvicër, të sjella kryesisht nga Gjermania e nga vende të tjera. Kur është fjala për mediet, duhet përmendur botimin e herëpashershëm të disa revistave, të disa broshurave, hapjen e faqeve të internetit e të pjesëve të saj përcjellëse për komunikim, si: forumet, ditarët (blogs) etj., si dhe radiot e internetit dhe dhomat në Paltalk. Të gjitha këto të realizuara nga ana e xhamive në Zvicër, ku edhe e gjejnë mbështetjen financiare.
2. Roli social e humanitar i xhamive
Për dallim prej xhamive të vendlindjes, pothuajse të gjitha xhamitë në Zvicër kanë nga një kafene, e disa madje edhe restorante. Me këtë sa i ndihmohet financiarisht xhamisë apo qendrës islame, po aq shërbejnë edhe si pikëtakime të muslimanëve, ku bëhet socializimi (shoqërorizimi) i brezave të rinj dhe zhvillohen biseda të ngrohta të pleqve dhe të moshave të tjera dhe ku ata në fakt çmallen duke e përjetuar një pjesë të atdheut në to. Ndeja në këto lokale bëhet zakonisht para dhe pas namazeve e në masë më të madhe në mbrëmje e në fundjavë.
Po thuajse nuk kalon javë në ndonjë xhami dhe imami i saj në fund të ligjëratës së xhumasë apo të së dielës pas dreke të mos i drejtohet xhematit për kërkim ndihme humanitare për: skamnorë, rrugëtarë, njerëz të sëmurë që kërkojnë shërim jashtë vendlindjes, blerje apo ndërtim xhamie këtu në Zvicër, në Gjermani apo në vendlindje, ndërtim shtëpie e vendbanimi për disa familje të lodhura nga skamja etj. Dhe xhemati është ai që gjithnjë kanë dhënë, japin dhe do të japin edhe në të ardhmen, pavarësisht se prej tyre nuk kërkohen vetëm këto të dhëna, porse aty hynë edhe pagesa e anëtarësisë së xhamisë, pagesa e zekatit, e sadakatu’l-fitrit dhe e kurbaneve që janë obligime bazë fetare, pastaj kujdesi për anëtarët e shtëpisë këtu dhe të atyre në vendlindje, kujdesi për punët dhe aktivitetet e ndryshme që bëhen në fshatin apo qytetin e lindjes, angazhimi për çështjet madhore të kombit tonë me dy luftërat e zhvilluara në Kosovë e Maqedoni dhe me ndihmat që janë dashur të tubohen këtu në diasporë e që pastaj të derdhen në vendet e caktuara shqiptare etj.
Karakteri social e humanitar i xhamive vihet re edhe me rastin e ceremonive të ndryshme fetare që një pjesë prej tyre kryhen në xhami, kurse një pjesë tjetër paksa më e madhe nëpër shtëpitë apo banesat e muslimanëve që tanimë jetojnë bashkë me anëtarët e familjes më të ngushtë këtu në Zvicër. Të këtilla manifestime e raste ndër të tjera janë: Hatmeja (këndimi komplet i Kur’anit në gjuhën arabe), mevludi (poemë kushtuar lindjes së Muhammedit a.s.), shkuarja dhe përcjellja për në haxh, sunnetimi i fëmijëve meshkuj, lidhja e kurorës fetare të dy të rinjve muslimanë, rastet e sëmundjes po edhe të vdekjes së ndonjë muslimani a muslimaneje e me këtë rast përgatitja e kufomës, falja e namazit të saj, ngushëllimet ndaj familjarëve të të vdekurit etj.
Kur jemi te kufomat, vlen të theksohet edhe krijimi i fondeve të posaçme për përgatitjen e dokumenteve, larjen, mbështjelljen, faljen si dhe transportimin e kufomave për në vendlindje. Këto janë fonde solidarizimi që në rast të vdekjes së ndonjë anëtari të familjes, të gjallët të gjejnë përkrahje si financiare ashtu dhe morale. Edhe pse, me sa kemi njohuri ne, një pjesë e madhe e xhamive janë anëtarësuar në agjenci të veçanta shqiptare e turke që merren me shërbime funerale, duke u mbështetur nga përvoja e xhamisë sonë, lirisht mund të them se një pjesë e konsiderueshme e xhamive që kanë relativisht numër të madh anëtarësh, mund të krijojnë fondet e tyre personale për shërbime transporti e varrimi të kufomave, me çka do ta kishin penguar derdhjen e mjeteve të konsiderueshme të anëtarëve të tyre te persona apo agjenci private. Ne si xhami e Kreuzlingenit, ku unë shërbej si imam, shprehim gatishmërinë e plotë t’i ndihmojmë me këshilla e dokumente secilës xhami shqiptare që ka interesim të krijojë një fond të këtillë për anëtarët e saj.
3. Roli i xhamive në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës e të traditës kombëtare
Arsyeja e vetme e ndarjes apo e shkëputjes së muslimanëve shqiptarë prej xhematëve dhe xhamive turke, boshnjake e arabe, ka qenë faktori gjuhë. Sidomos kur janë në pyetje xhematet turke e boshnjake, me të cilët muslimanët shqiptarë në fillim kanë qenë bashkë, sepse kanë të përbashkët shumëçka: medh’hebin apo shkollën e besimit, të së drejtës (fikhut), pjesë të kulturës e traditës etj., gjuha e zakonet shqiptare janë faktori determinues në hapjen e xhamive apo qendrave islame shqiptare.
Përveç namazit i cili kudo në botë kryhet me lutjet në gjuhën arabe, pothuajse gjithçka tjetër në xhami dhe në jetën fetare të muslimanit zhvillohet në gjuhën amtare. Andaj, muslimanët shqiptarë të Zvicrës kanë arritur ta ruajnë e ta kultivojnë gjuhën e kulturën shqipe ndër të tjera edhe në saje të fesë islame, konkretisht në saje të gjuhës së ligjërimit apo predikimit shqip, gjuhës së zhvillimit të mësimit fetar shqip, gjuhës së tribunave fetare të zhvilluara shqip, të medieve të shkruara e vizuale shqip, të gjuhës së bisedave në kafene dhe nëpër shtëpi me rastin e ceremonive që i përmendëm më lart, gjithnjë shqip.
Në këtë drejtim nuk duhet të harrojmë as edhe qëndrimin pozitiv, mbështetjen financiare dhe morale, që xhamitë u kanë dhënë institucioneve e organizatave të ndryshme arsimore e kulturore shqipe. Një pjesë e madhe e xhamive kanë raporte të ngushta me LAPSH-in (Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë – www.lapsh-ch.com), për çka besoj që ka shumë imamë e udhëheqës xhamish të cilët aktivisht me ligjërata e në forma të tjera janë munduar të motivojnë prindërit për dërgimin e fëmijëve në kursin e gjuhës shqipe. Raporte të këtilla xhamitë kanë edhe me organizata të tjera kulturore shqiptare, të valleve e të klubeve të ndryshme sportive. Nuk ka munguar as edhe organizimi i festave të ndryshme kombëtare drejtpërdrejtë nga ana e xhamive ose së paku pjesëmarrja aktive në të njëjtat të organizuara nga të tjerët.
4.Roli i xhamisë në ruajtjen e marrëdhënieve me fetë tjera
Ka disa imamë që kultivojnë marrëdhënie të mira me klerikë të feve të tjera, kryesisht me priftërinj katolikë e evangjelistë. Këmbejnë vizita të ndërsjella, angazhohen për dialog ndërfetar, marrin pjesë aktive në organizimin e projekteve e programeve të ndryshme ndërfetare siç është p.sh. “Java e feve” (Woche der Religionen), organizojnë ceremoni të përbashkëta fetare, bashkërisht luajnë rolin e përkujdesësit shpirtëror (Seelsorger) etj.
Vlen të theksohet angazhimi dhe kontributi që disa priftërinj katolikë e evangjelistë e japin në drejtim të integrimit të bashkësive fetare islame në procese të ndryshme shoqërore e arsimore, siç është futja e mësimit fetar islam nëpër shkollat zyrtare në disa vende në Zvicër.
Kontaktet më intensive dhe dialogu ndërfetar më me bujë u zhvillua vitin e kaluar me rastin e referendumit për ndalimin e ndërtimit të minareve dhe i njëjti vazhdon me një tempo të shtuar të zhvillohet edhe ditëve të sotme. Mirëpo, si një pengesë e madhe në këtë proces na del mosnjohja e gjuhëve vendëse nga ana e imamëve dhe kjo domosdo krijon një zbrazëtirë dhe një indiferencë të madhe te këta për t’u angazhuar më intensivisht në këto rrjedha.
Në këtë kontekst meriton të theksohet edhe organizimi i të ashtuquajturave “ditë të dyerve të hapura” (Tag der offenen Tür), me çka u jepet rasti vendasve t’i vizitojnë xhamitë, të jenë të pranishëm gjatë kohës së namazit dhe të këmbejnë mendime e ide rreth fesë islame dhe feve të tjera. Këto shihen si shumë të nevojshme dhe kanë një rëndësi të veçantë sa i takon shembjes dhe rrënimit të paragjykimeve ndaj Islamit dhe muslimanëve që ekzistojnë te një pjesë e vendasve.
5.Roli i xhamisë në integrimin e muslimanëve në shoqërinë vendase
Nuk ka dyshim se xhamitë kohëve të fundit kanë qenë tempujt më të frekuentuar e më të përfolur nga ana e politikanëve zviceranë, si pasojë e debatit para dhe pas referendumit për minaret. Kjo e ka shtuar peshën e xhamisë si institucion dhe ka filluar të merret seriozisht nga ana e udhëheqësve vendorë dhe strukturave politike. Sidomos bie në sy interesimi dhe afërsia që e tregojnë disa prej këtyre organeve ndaj xhamisë, Islamit dhe muslimanëve për ta zbutur shokun apo tronditjen e krijuar nga rezultati zhgënjyes i referendumit të nëntorit 2009.
Sigurisht që ky relacion i xhamisë me autoritetet vendore nuk ka nisur me referendumin, në këtë kohë vetëm sa ka fituar në peshë, mirëpo ky relacion është zhvilluar në forma e nivele të tjera edhe shumë kohë më parë.
E këtillë është lidhja administrative me autoritetet vendore që nga fillimi i hapjes së xhamisë apo qendrës islame, me ç’rast shtrohet kërkesa, përgatitet statuti si një akt juridik, shqyrtohet në instanca të ndryshme, jepet pëlqimi, bëhet hapja solemne në prani edhe të udhëheqësve më të lartë të qytetit apo rajonit ku ndodhet xhamia, pastaj në mënyrë të rregullt e pa probleme rrjedhin edhe shërbimet komunale ndaj xhamisë, për çka pason edhe pagesa e rregullt e tyre dhe e tatimeve të tjera nga ana e xhamive.
Pjesëmarrja e të rinjve tanë nëpër klube të ndryshme sporti, në aktivitete të ndryshme me karakter shoqëror, ekonomik, ambiental etj. që organizohen nga institucione të ndryshme vendore, flasin edhe një herë për shkallën e integrimit të muslimanëve dhe të qendrës së tyre islame në shoqërinë ku jetojnë.
Shpesh këto angazhime e përpjekje për integrim nuk shihen dhe nuk vërehen nga ana e muslimanëve dhe e një pjese të madhe të vendorëve, mirëpo pa dyshim se reklamimi apo plasimi i tyre nëpër medie të ndryshme do të kontribuojë që këto angazhime e përpjekje të kuptohen më seriozisht dhe të çmohen ashtu siç meritojnë. Një pjesë e madhe e përgjegjësisë për këtë bie mbi xhaminë si institucion si dhe mbi kuadrin fetar islam dhe muslimanët në tërësi.
Ç. Përmbyllje me disa propozime
Megjithëse gjurmë të Islamit në tokat zvicerane hasen shumë më herët, prania e madhe e muslimanëve këtu paraqitet si pasojë e ardhjes së punëtorëve muslimanë të krahut të punës në 30-40 vitet e fundit. Hapja e xhamive shqiptare ndërkaq do të ndodhë më vonë, kryesisht në kohën kur muslimanët filluan t’i sjellin edhe familjet e tyre në Zvicër. Xhamia e parë shqiptare në Cyrih para dy-tri vitesh festoi 20 vjetorin e hapjes së saj.
Nga sa u pa më lart, vërehet një gamë e madhe e aktiviteteve, funksioneve e roleve që i luan xhamia apo qendra islame këtu në Zvicër, qoftë të jetë fjala për funksionet parësore të saj që i ka si çdo xhami tjetër në botë, qoftë të jetë fjala për disa funksione e role specifike që i ka ajo këtu, të determinuara nga rrethanat dhe kushtet e veçanta që mbisundojnë këtu.
Edhe përkundër asaj gjallërie e gërshetimi të funksioneve të xhamisë që i pamë më lart, sërish duhet të vëmë gishtin në disa pika që mendojmë se mbase mund xhamisë, Islamit dhe muslimanëve këtu t’u japin një përgjegjësi më të madhe e me ketë edhe një pozitë më të lartë në shoqërinë ku jetojmë. Fjala është për disa elemente shtesë nga ç’u tha më lart, të cilat duhen realizuar për të arritur një shkallë më të kënaqshme të pritur nga institucioni xhami.
Si angazhime e përpjekje të mangëta në këtë drejtim mund të përmendim:
1. Kurset e seminaret e ndryshme për imamët, kur është në pyetje profesionalizimi i tyre si predikues dhe mësues fetar për në kushte tjera nga ato në vendlindje,
2. Përpilimi i plan-programeve të profesionalizuara për mësimin fetar që zhvillohet nëpër mektebet e xhamive,
3. Mësimi i gjuhës vendëse nga ana e imamëve me mbështetje financiare të xhamive,
4. Mësimi i funksionimit të sistemit shtetëror si dhe e kulturës e mendësisë zvicerane nga ana e imamëve,
5. Krijimi dhe kultivimi i marrëdhënieve të mira me fqinjët e xhamive,
6. Avancimi i marrëdhënieve të mira me bashkësitë tjera fetare si dhe me autoritetet vendore, duke krijuar një besueshmëri të plotë të këtij institucioni te individët dhe shoqëria zvicerane,
7. Angazhimi më i madh në drejtim të afirmimit të aktiviteteve e potencialit që kanë xhamitë, përmes mjeteve të informimit publik, në veçanti do të kisha përmendur hapjen e ueb faqeve për secilën xhami edhe atë në dy gjuhë, amtare dhe vendore.
8. Rritja e bashkëpunimit të xhamive shqiptare me njëra-tjetrën si dhe me xhamitë e kombësive të tjera që ndodhen në të njëjtin vendbanim,
9. Krijimi i një strukture për veprim të përbashkët, sidomos të xhamive e xhemateve shqiptare, duke qenë se kjo bie në përgjegjësinë e plotë të imamëve të punësuar këtu në Zvicër, pastaj të udhëheqësve të Bashkësive Islame të vendlindjes dhe të udhëheqësve faktikë të xhamive.
[1]Jean-Pierre Sandoz, Die Sarazenen durchqueren die Alpen, Th. Gut & Co. Verlag, Stäfa 1993, sipas Dr. Hamit Duran, „Muslime in der Schweiz“, www.islam.ch.
[2] Dr. Hamit Duran, po aty.