Java e solidaritetit me Malësinë e Tetovës
Publikuar me: 14 gusht 2015
Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër ditën e premte, përkatësisht me 14 gusht 2015 shpallë javën e solidaritetit me Malësinë e Tetovës, gjegjësisht me fshatrat e prekura nga vërshimet e ujit me moton:
“Duke u ndihmuar të tjerëve të fitojmë kënaqësinë e Zotit dhe të rrisim dashurinë ndaj vëllezërve tanë”.
“Askush prej jush nuk e ka besimin e përkryer përderisa nuk ia dëshiron të mirën vëllait të vet, sikur që ia dëshiron vetvetes”, ka thënë Muhammedi a.s.
Ne jetojmë për të adhuruar Zotin. E adhurojmë Zotin për të fituar kënaqësinë e Tij. Jeta është sakrificë, përpjekje dhe përgjegjësi. Të sakrifikosh jetën për të qenë në shërbim të mirësisë, humanizmit dhe duke manifestuar dashurinë për vëllezërit dhe miqtë tanë, ku do që janë, është njerëzore, humane, vlerë kombetare dhe fetare.
Me këtë rast, duke e shfrytëzuar mundësinë e ditës së xhuma, që paraqet një festë javore e besimtarëve muslimanë, anëtarët e xhamive shqiptare në Zvicër ju jepet një mundësi shumë e mirë për t’i kontribuar humanizmit dhe mirësisë, siç e kanë dëshmuar këtë çdoherë dhe në secilën kohë.
Përmes aktiviteteve të tilla mirësie, për vëllezërit tanë, bashkëveprojmë në shërbim të idealeve të larta, plotësojmë pjesë të përgjegjësisë ndaj kombit shqiptar dhe vlerave universale të Islamit, si dhe e ndihmojmë Unionin e Imamëve Shqiptarë të Zvicrës për përpjekjet humanitare për të prekur të gjitha shtresat e shoqerisë, aty ku edhe e lyp nevoja.
Ky kontribut i çmueshëm, pavarësisht shumës, e cila sado që të jetë simbolike, na ofron mundësinë të ndiejmë lumturinë e lidhjes sonë me vëllezërit dhe motrat tona në Tetovë, Kumanovë, Preshevë, Prishtinë etj., duke rikujtuar që vullneti i Allahut është që ne të jemi në shërbim të Zotit, komunitetit dhe njerëzimit në përgjithësi.
Sot, malësia e Tetovës ka nevojë për mbështetjen tuaj, për lutjet dhe duatë e juaja, sidomos për mjete ushqimore, për furnizim të ujit dhe për mjete të tjera higjienike.
Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër, ditën e xhuma ( 14 gusht 2015), e shpallë si java e solidaritetit me Malësinë e Tetovës të prekura dhe dëmtuara nga vërshimet e shiut.
Allahu u dhuroftë nga mirësitë e Tij!
Kryetar i Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër
Nehat ef. Ismaili