Diaspora e Zvicrës: 60 mijë franga për Malësinë e Tetovës (AlbInfo.ch)
Publikuar me: 9 Shtator 2015
Këte herë ndihmat vijnë nga diaspora e Zvicrës.
60 mijë franga zvicerane janë mbledhur brenda dy jave nga gjithsej 27 qendra grumbullimi nëpër gjithë Zvicrën, nga shqiptarët e diasporës, dedikuar familjeve të cilat pësuan nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës që shkaktuan 5 viktima.
Aksioni ishte organizuar nga Unionin i Imamëve Shqiptarë të Zvicrës, të cilët kanë vizituar këto ditë Tetovën.
Kryetari i Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër, Nehat Ismaili, tha para mediave tetovare se mërgimtarët kanë dëshmuar se dinë të solidarizohen duke iu dalë në ndihmë vëllezërve të tyre kur kanë nevojë.
„Rasti i Tetovës ka mobilizuar mërgimtarët e Zvicrës, të cilët kanë treguar se janë pjesë e këtij vendi”, tha Ismaili.
Nënkryetarit i UISHZ-së, Bekim Alimi, ka thënë se shpërndraja e ndihmave do të bëhet në mënyrë proporcionale për 118 familje të Malësisë së Tetovës.
Aksioni humanitar ishte realizuar me ndihmë dhe bashkëpunim të myftinisë së Tetovës.
Imami i Xhamisë së Madhe të Shipkovicës shprehet mirënjohës për këto ndihma, por thotë se familjet që pësuan nga vërshimet e 3 gushtit kanë nevojë të vazhdueshme për ndihma të këtilla.
Vërshimet e fillimgushtit, që lanë pas vetes pasoja të shumta materiale dhe në njerëz, senzibilizuan opinionin në vend dhe jashtë tij për t’i ndihmuar familjet e goditura nga kjo fatkeqësi natyrore.
Huazuar nga: AlbInfo.ch