(Fatwa nr.5) A MUNDET BURRI TA NDALOJË GRUAN MOS E KRYEJ HAXHIN?
Publikuar me: 13 Shtator 2015
PYETJA: Unë jam nji motër muslimane, dhe pyetja ime ka të bëjë me obligimin e haxhit për femra dhe të drejtën e burrit për ta ndaluar gruan nga kryerja e haxhit. Në fakt, unë kam parat e mia, jo nga burri, dhe dua të shkoj në haxh, por burri më ndalon dhe thotë se ti ke të drejtë të shkosh në haxh vetëm nëse të lejoj unë. Pyetja ime është: A ka të drejtë burri të më ndalojë nga kryerja e haxhit, nëse unë i plotësoj kushtet?
BASHKIM ALIU
PËRGJIGJA: Së pari të theksojmë se haxhi është një nga shtyllat e Islamit, dhe është obligim për ata të cilët i plotësojnë kushtet. Allahu i Madhërishëm ka thënë:<<…Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo…>>[Ali Imran: 97]. Po ashtu, edhe në hadithin e njohur, kur Xhibrili a.s. ka ardhur te Muhamedi s.a.v.s., t’ia mësojë fenë, qëndron se haxhi është një nga pesë shtyllat mbi të cilat ngritet Islami. Së këtejmi, haxhi është farz, për ata të cilët i plotësojnë kushtet, pa marrë parasysh a është mashkull apo femër. Femrat nuk dallojnë nga meshkujt në obligimin e tyre me detyrat islame, gjegjësisht farzet vlejnë si për meshkujt ashtu edhe për femrat. Kështu, namazi është farz për të gjithë, si meshkujt ashtu edhe femrat, po edhe agjërimi, zeqati, haxhi dhe të gjitha farzet tjera.
Nisur, nga fakti se haxhi është një nga shtyllat e Islamit, dhe është i obliguar nga Allahu i Madhërishëm për të gjithë ata të cilët i plotësojnë kushtet, qofshin meshkuj apo femra muslimane, burri nuk ka të drejtë ta ndalojë gruan e tij ta kryej haxhin, nëse ka mjete të mjaftueshme për haxh dhe ka nji person të vetin-mahrem, si vëllau, djali, babai, apo ndonji mahrem tjetër, ngase burri nuk ka drejtë ta ndalojë gruan nga kryerja e farzeve të Allahut. Kjo vlen nëse gruaja është vendosur ta kryej haxhin që e ka farz, jo haxh nafile-vullnetar. Askush nuk ka të drejtë ta ndalojë dikend nga kryerja e farzeve të Allahut. Gruaja duhet ta dëgjojë burrin dhe ta respektojë, por, në gjëra të cilat nuk janë mëkat dhe nuk e ndalojnë nji obligim islam. Nëse është fjala për nji farz të Allahut, këtu nuk ka vend për zbatim të fjalës së burrit, nëse bie ndesh me urdhërat e Allahut.
Megjithatë, duke u nisur se kemi të bëjmë me rast familjar, duhet që të bëhet çmos që burrit t’i shpjegohet kjo çështje nga njerëz kompetentë, dhe të ndërmjetësojë ndonji njeri i ditur në fe, që ti tregojë se nuk ka të drejtë ta ndalojë gruan nga kryerja e farzit. Nuk bën që përgjigja e gruas të jetë arrogante, fyese dhe injoruese, edhe pse ka të drejtë në kërkesën e saj, ngase kemi të bëjmë me rast familjar. Por, zbatohet fjala e Allahut duke mos e fyer burrin me fjalë dhe duke e bërë që të mendohet dhe ta kuptojë se gabon.
Ajo që burri nuk ka të drejtë ta ndalojë gruan nga kryerja e haxhit farz për gruan, nëse i plotëson kushtet, është qëndrimi i shkollës juridike Hanefite dhe pjesës dërrmuese të dijetarëve. Mendim ndryshe kanë dhënë disa dijetarë të cilët nisen nga qëndrimi se haxhi është obligim jo i menjëhershëm.
Allahu e di më së miri.