Mesazhi i Kryetarit te UAIS per Kurban Bajramin
Aarburg, Zvicer
Publikuar me: 23 Shtator 2015
Në emër të Unionit të Imamëve Shqiptarë të Zvicrës dhe në emrin tim personal, të gjithë besimtarëve muslimanë, shfrytezojmë nga rasti të ua urojmë festën e Kurban Bajramit.
Festa e Kurban Bajramit është ndër festat më të rëndësishme në islam, e cila karakterizohet me sakrificën (therrjen e kurbanit), qëndrimin e haxhilerëve në luginën e Arafatit, rrotullimin rreth Qabes, ecjen mes dy kodrinave në Safa dhe Merva, veprime që kërkojnë angazhim dhe përpjekje për të fituar mëshirën e Zotit, Krijuesit te Universit.
Është ditë në të cilën vijnë në shprehje ngrohtësia shpirtërore, zemërgjerësia, bujaria dhe shpirti fisnik. Sot më tepër se kurrë, duhet të ndihmohen skamnorët, medresetë islame, jetimët dhe të sëmurët.
Forcimi i lidhjeve familjare, mbizotërimi i ndjenjave të humanizmit, dashurisë dhe altruizmit duhet të jenë më të theksuara gjatë këtyre ditëve duke u lutur gjithmonë që ndër shqiptarët të dominojë dashuria, respekti, paqa dhe harmonia.
Të duam fenë dhe kombin, të respektojmë të tjerët, të ndihmojme refugjatet, janë këto vyrtite që i posedojnë popujt e suksesshem dhe bujar.
Lusim Allahun e Plotfuqishem që t‘ju dhurojë mirësi, paqë dhe dashuri.
Urime dhe me fat festa e Kurban Bajramit
Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër
Kryetar, Nehat Ismaili