Tribunë fetare në xhaminë shqiptare të Reinach-ut
Komunikatë e UISHZ përkitazi me iniciativën e fundit të njohur si “Iniciativa e dëbimit, gjegjësisht “dëbimin e të huajve kriminel”
Publikuar me: 27 Shkurt, 2016
Komunikatë e UISHZ përkitazi me iniciativën e fundit të njohur si “Iniciativa e dëbimit, gjegjësisht “dëbimin e të huajve kriminel”
Unioni i Imamëvce Shqiptarë në Zvicër, duke u nisur nga parimet bazë të Islamit të cilat janë tharmi i tolerancës, mirëkuptimit, bashkëpunimit, angazhimit produktiv në shoqëri, emancipimit dhe avansimit të proceseve pozitive në shoqëri, si dhe duke u nisur nga përgjegjësia që ia dikton statuti dhe programi i tij si organizatë, si dhe duke u nisur nga përgjegjësia kombëtare, shoqërore, integruese, evropiane dhe humane, e lëshon këtë komunikatë në lidhje me iniciativën e fundit të ngritur në Zvicër përkitazi me “dëbimin e të huajve”:
- UISHZ e vlerëson si të arritur të madhe njerëzore dhe politike shprehjen e lirë të qytetarëve në referendum, dhe njëherit ka konsideratë të lartë për zbatimin e këtij akti të lartë që paraqet postulat fundamental dhe një nga më të ndritshmit të demokracisë, të drejtave të njeriut në përgjithësi, dhe të drejtave politike në veçanti, dhe me theks të veçantë të lirisë së mendimit dhe të shprehjes.
- UISHZ konform parimeve bazë të fesë Islame dhe të statutit të tij, si dhe të misionit të tij human e progresiv për ngritjen e shoqërisë në stadet më të larta të kohezionit të brendshëm dhe eliminimit të dukurive negative, pohon se është në anën e atyre që punojnë për ta ndaluar krimin e të gjitha llojeve, dhe kërkon që organet përkatëse të jenë të përkushtuara plotësisht, siç kanë qenë deri më tash, në luftimin e krimit dhe ndëshkimin e kriminelëve konform ligjeve pozitive në Zvicër.
- UISHZ duke u nisur nga respektimi i shprehjes së vullnetit të lirë të qytetarëve në njërën anë, dhe nga domosdoshmëria e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të vlerave të demokracisë, si dhe kultivimit të mirëkuptimit, tolerancës dhe kohezionit shoqëror në Zvicër, si dhe duke i ndejkur të njejtat linja me shumë forca progresive politike dhe të shoqërisë civile në Zvicër, mban qëndrimin se iniciativa e fundit e ngritur në Zvicër, e quajtur “Përjashtimi i të huajve kriminelë”, nuk i kontribuon vlerave demokratike dhe evropiane, që me zell dhe përkushtim të madh i kultivon Zvicra në historinë e saj të bujshme, që nga lindja e saj si konfederatë e deri më sot. Me këtë rast, UISHZ i thërret anëtart dhe simpatizantët e vet, po edhe të gjithë qytetarët, që ta analizojnë mirë këtë iniciativë në të gjitha dimensionet e saj, në veçanti atë juridik, human dhe shoqëror, dhe mendon se kësaj iniciative duhet thënë JO, për arsyet vijuese:
- 1-Përmbajtja e iniciativës është ambivalente, konfuze dhe jo e qartë në artikulimin e qëllimit të ngritjes së saj, dhe në realizimin e synimeve dhe rezultateve e pritshmërive në shoqërinë zvicerane nga një iniciativë e këtillë, në veçanti kur kihet parasyshë se ligjet në Konfederatën Zvicerane janë ashpërsuar veç më kundër atyre të cilët bëjnë shkelje, dhe iniciativa e këtillë duket e paarsyeshme, dhe si e tillë, gjykojmë se do ta dëmtonte mazhin e Zvicrës në botë.
- 2-Iniciativa e formuluar në këtë mënyrë, dhe me një përmbajtje jo të kristaltë, bën përshtypje se nji pjesë e qytetarëve klasifikohen si qytetarët të dorës së dytë, marrë parasysh se veç më në Zvicër kemi brezin e dytë dhe të tretë të migrantëve dhe punëtorëve të përkohshëm, të cilët janë shtetas të këtij vendi dhe prej ditëve të para të jetës së tyre, janë edukuar konform sistemit arsimor zviceran dhe në frymën e vlerave dhe mentalitetit që i kultivon shoqëria zvicerane.
- 3-Kjo iniciativë, nuk shohim se bën një ndarje të qartë në mes të kundërvajtjeve, për çka ligjet kanë masa të definuara sanksionuese, fjala vjen si vjedhja e një biçiklete, dhe krimeve të natyrave të ndryshme, që të gjithë ne jemi kundër dhe e mbështesim me pa rezervë luftimin e krimit.
- 4-Kjo iniciativë duket se i barazon dhe i vë në të njejtën pozitë kriminelët të cilët për një kohë të shkurtër gjinden në Zvicër, dhe qytetarët të cilët me vite jetojnë në Zvicër dhe kanë dhënë një kontribut të çmuar për shtetin dhe shoqërinë, si dhe janë integruar me sukses. Me këtë iniciativë, me automatizëm do të dëbohen shokët e shkollës, kolegët e punës, punëtorët e arsimit dhe të profileve tjera, sportistët, tatimpaguesit, fqinjët dhe struktura tjera të dobishme për shoqërinë, bile edhe me kundërvajtjen e thjeshtë që nuk bie në grupin e krimit.
- 5-Miratimi i kësaj iniciative, nuk garanton se nuk lëndohet shteti ligjor dhe qëndrueshmëria e institucioneve të sistemit, si dhe vetë demokracia. Aq më tepër, nuk jep garancë se nuk do të paraqesë edhe një pengesë në rrugën edhe ashtu të vështirë të bisedimeve të Zvicrës me Bashkimin Evropian.
- 6-Në vijë të njejtë me të shqetësuarit për kohezionin shoqëror dhe mirëqenien e qytetarëve në Zvicër, u bëjmë me dije që të ndani mendje për JO për këtë iniciativë, duke i menduar edhe reperkusionet ekonomike për shtetin dhe qytetarët.
- 7-Miratimi i kësaj iniciative, do t’i privonte shumë njerëz të përfitojnë nga programet dhe masat përmirësuese dhe rehabilituese për shkelësit, që janë mjaft të përparuara në Zvicër, dhe shteti zviceran meriton çdo lëvdatë për miratimin dhe implementimin e këtyre masave.
Nehat Ismaili
Kryetar, UISHZ
Artikujt relevant