Imami shqiptar e bekon tunelin historik të Gotthardit në Zvicër
Publikuar më: 5 qershor 2016
Mr. Rejhan Neziri
Sot më 1 qershor 2016 Zvicra shënon edhe një datë tjetër historike të arritjeve të saj të shumta në rrafshin politik, social, arsimor, fetar, por edhe teknologjik. Pas plotë 17 vitesh punë intensive të mbi 2400 punëtorëve – sigurisht edhe të shumë punëtorëve shqiptarë, me ç’rast nëntë prej numrit të përgjithshëm e kanë humbur jetën aksidentalisht gjatë viteve, me një kosto prej 12.2 miliardë frangash zvicerane, sot kurorëzohet fillimisht me lutje e bekime fetare tuneli hekurudhor prej 57 km, tuneli më i gjatë në botë.
Lutjet dhe bekimet e tyre i shprehën përfaqësuesit e tri feve të mëdha monoteiste në Zvicër. Përveç rabinit z. Marcel Yair Ebel, priftit katolik z. Martin Werlen, priftëreshës evangjeliste znj. Simona Rauch, në këtë ceremoni mori pjesë edhe imami shqiptar nga Wili, z. Bekim ef. Alimi, njëherësh kryetar i DIGO-s (Organizata e Bashkësive Islame në Zvicrën Lindore), nënkryetar i FIDS-it (Federatës së organizatave islame në Zvicër) si dhe bashkëthemelues i UISHZ-së (Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër). Pjesëmarrja e një imami në këtë ceremoni është kërkuar nga organizatorët e këtij manifestimi, respektivisht nga federata helvetike dhe pikërisht hoxha Bekimi është propozuar nga FIDS-i, si një organizatë që mbledh rreth vetes shumicën absolute të qendrave dhe organizatave të ndryshme islame në vend.
E gjithë kjo ceremoni bekimi ndodhi para syve të qindra gazetarëve nga mbarë bota, para syve të udhëheqësve të shteteve perëndimore, para syve të politikanëve dhe përgjegjësve më të lartë shtetërorë të Zvicrës. Me pjesëmarrjen e imamit shqiptar në këtë ceremoni inaugurimi, është dhënë shenja e fuqishme për trajtimin e barabartë dhe për njohjen zyrtare juridike edhe të komunitetit musliman në vend, që duhet të ndodhë në një të ardhme të afërt.
Imami dhe kolegu ynë mr. Bekim ef. Alimi është i njohur për angazhimin e tij për një jetë paqësore dhe plot harmoni fillimisht midis komunitetit brenda-musliman, por edhe për bashkëjetesën dhe bashkëveprimin ndërfetar, për çka janë të bindur dhe dëshmitarë edhe pjesëtarët e feve të ndryshme, me të cilët vite të tëra është në kontakt të vazhdueshëm për krijimin e një jete më të lehtë, më tolerante dhe më kuptimplote në vend. Për shqiptarët në përgjithësi, por për shqiptarët muslimanë në veçanti, ky ishte një rast krenarie dhe mburrjeje fetare dhe kombëtare, pasi një imam shqiptar në këtë eveniment i përfaqëson të gjithë muslimanët e vendit.
Në lutjet dhe bekimet e tij, hoxha Bekim ef. Alimi, iu lut Zotit për mbarësi të vendit dhe për mbarëvajtje të funksionimit të këtij tuneli sipas synimit fisnik të paraparë, në rend të parë për funksionin e tij ndërlidhës midis njerëzve të feve, gjuhëve, kulturave e përkatësive të ndryshme. Në lutjet e tij, ndër të tjera ai veçoi:
Në emër të Allahut, Mëshirëfalësit, Mëshirëplotit. “Falënderuar qoftë Ai (Zoti) që i nënshtroi këto për ne, sepse ne nuk do të kishim mundësi ta bënim këtë. Dhe ne me siguri do të kthehemi te Zoti ynë!” (Kur’ani 43:13-14)
O Allah! Të lutem për mirësinë dhe begatinë Tënde në këtë vend! Të lutem për siguri dhe vëllazëri! Mbështetem te Ti nga çdo e keqe!
O Allah! Na mundëso tejkalimin e të gjitha brengave dhe na bëj të thjeshtë atë që për ne është e vështirë! Na jep më tepër të mira se sa që mendojmë se meritojmë! Largo çdo të keqe nga ne, që rrezikon shëndetin dhe njerëzinë tonë, o Mëshirues!
O Allah! Në këtë udhëtim dhe në këtë mjet udhëtimi të lutemi për përkushtim dhe përkujdesje! Të lutemi për drejtësi dhe mëshirë mes nesh!
Lehtësojua rrugën atyre që këtë udhëtim tonin na e kanë lehtësuar dhe na mundëso që edhe ne t’ua lehtësojmë të tjerëve udhëtimin e tyre!
O Allah! Të lutem mu ashtu siç të është lutur pejgamberi Ibrahim: “Zoti im, bëje këtë vend të sigurt dhe banorët e tij furnizoji me lloje të ndryshme të frutave dhe ushqimeve!”
Amin!
Lutja islame e bërë në gjuhën gjermane bart mesazhin e vërtetë paqësor që ne muslimanët, në veçanti ne muslimanët shqiptarë, e bartim nga vendlindja, të kultivuar me fanatizëm dhe me krenari të veçantë. Ky mesazh jetohet, përjetohet e reflektohet kudo dhe kurdo. Andaj, nuk është e rastësishme që në këtë ceremoni inaugurimi të një projekti shekullor për Zvicrën, muslimanët e Zvicrës t’i përfaqësojë në imam shqiptar. Ne shqiptarët ky gjest i mirë i njohjes dhe i mirënjohjes njëkohësisht që na bëhet, na mbush zemrat me krenari dhe njëkohësisht na shton vetëdijen për përgjegjësinë e rolit që ne e luajmë dhe që pritet ta luajmë në ndërtimin e kësaj shoqërie.
As politikanëve të huaj e as atyre vendas nuk u pengoi as çallma, as xhybja e as tespihet e imamit shqiptar; nuk u pengoi përmendja e emrit Allah në lutjet e tij, nuk u pengoi prezenca e tij, nuk u pengoi feja dhe përfaqësimi i tij, nuk u pengoi të qenët e tij musliman dhe njëkohësisht hoxhë. Nuk e quajtën shëmtim dhe përdhosje të tokës krishtere helvetike. Nuk e quajtën arabizim apo islamizim të vendit të tyre. Nuk e panë veten të rrezikuar nga prezenca e imamit, sepse ata janë të bindur dhe të sigurt në të veten, në vlerat dhe bindjet që kanë. Nuk e ndien veten ngushtë, të kërcënuar, sepse ata e dinë se vlerat dhe virtytet e mirëfillta si respekti, mirëkuptimi, toleranca, njohja e ndërsjellë etj. nuk harxhohen kur ndahen me të tjerët, porse shtohen akoma.
E gjithë kjo, siç thash, ndodhi, ndër të tjera, edhe para syve të kryetarit të federatës zvicerane z. Johann Schneider-Ammann, i cili në këtë rast ndër të tjera u shpreh: “Sot është një ditë historike, në të cilën e përmbyllim një vepër të madhe shekullore… Tuneli bazik i Gotthardit është më shumë se një lidhje transporti, ai është në radhë të parë një simbol. Me këtë ne e forcojmë kohezionin në Zvicër dhe Evropë, e forcojmë hapësirën tonë të përbashkët ekonomike… Vetëm shpirti pionier i Zvicrës e ka mundësuar këtë tunel dhe vetëm ky shpirt do ta bartë Zvicrën në një të ardhme edhe më të ndritur…”
“Është shumë impresionuese të dish se mbi kokë ke mbi 2000 metër gur e shkëmb tek sapo e kalon këtë tunel … Gotthardi është zemra e Evropës, por të cilës i mungon aorta”, është shprehur kencelarja gjermane znj. Angela Merkel.
Për presidentin francez z. François Hollande “Tuneli i Gotthardit është një vepër fantastike, një aventurë e madhe evropiane”. Ngjashëm është shprehur edhe kryeministri italian z. Matteo Renzi.
Epo, çka të shtojmë më tepër, përveçse Zvicrës t’ia urojmë këtë vepër madhështore që është rezultat i angazhimit, i qëndresës, i dashurisë ndaj punës … Ky është patriotizmi i vërtetë. Kjo është atdhedashuria e mirëfilltë. Kështu duhet atdheu… Gjithçka tjetër është farsë, është gënjeshtër.
Shpresojmë që ky projekt të shërbejë si shembull për së mbari për politikanët dhe udhëheqësit tanë në tokat shqiptare.
Urime Zvicër, urime kolegu im i çmuar, Bekim Alimi!
Kreuzlingen, 1 qershor 2016