Në pasditen e së enjtes, me datë 15.09.2016, xhaminë El-Hidaje në qytetin e St. Gallenit në Zvicër, e vizitoi një grup pensionistësh prej 30 vetash nga Spitali kantonal i qytetit, vizitë kjo e cila ishte si rezultat i bashkëpunimit të gusht midis Organizatës multinacionale islame – DIGO, Spitalit kantonal dhe xhamisë El-Hidaje.
Me këtë rast mysafirët u pritën nga imami i xhamisë, Hfz. Mehas Alija, nënkryetari i FIDS – Organizatës më të madhe islame në Zvicër, si dhe nga xhematlinj dhe anëtarë të kryesisë së xhamisë.
Qëllimi i vizitës ishte që mysafirët zviceranë, ish-mjekë të Spitalit kantonal, të njoftohen më drejtpërdrejtë me hapësirat dhe karakteristikat e xhamisë, me rolin e saj në shoqëri, si dhe për rolin dhe domethënien e Imamit në xhami dhe në shoqëri. Këtë pjesë të parë e udhëhoqi imami i xhamisë, Mehas Alija. Ndërsa në pjesën e dytë, në lidhje me Islamin dhe besimin islam, respektivisht rreth kushteve të besimit dhe të Islamit, foli mysafiri tjetër, i ftuar në mënyrë të veçantë për këtë takim, zt. Haldun Dia-Eddine, profesor në Univerzitetin e Zyrihut.
Më pas mysafirëve iu dha mundësia për të parashtruar pyetje, të cilat u fokusuan më tepër te çështja e të drejtave të njeriut në Islam, te qasja e Islamit ndaj besimeve dhe kulturave të tjera, u përfol bukur mirë çështja e mbulesës së gruas muslimane, dërgimi apo mos dërgimi i fëmijëve në pishinë, të drejtat e muslimanëve në shtetin Zvicëran, etj.
Më në fund, mysafirët u gostitën edhe me nga një pije dhe kafe, për të bërë një pushim të shkurtër dhe për të pasur mundësi bashkëbisedimi më lirshëm me nikoqirët e xhamisë.
Kënaqësia dhe lumturia e mysafirëve ishte evidente dhe kjo u pa edhe nga falënderimet dhe komentet e tyre që kishin në fund të takimit.
Se xhamia El-Hidaje është bërë një pikë referimi dhe pikëtakimi midis muslimanëve dhe jomuslimanëve, nuk dëshmon vetëm ky rast, por edhe shumë raste dhe takime të tjera që kanë qenë para këtij.
Ia vlen të theksohet edhe kjo se para tre javësh, gjegjësisht me datë 24.08.2016, Xhaminë El-Hidaje e vizitoi edhe një grup tjetër prej 56 vetash, të cilët kryesisht vinin nga institucionet e qytetit, respektivisht nga Departamenti i Sigurisë dhe Drejtësisë, një nga departamentet më të rëndësishme të Kantonit të St. Gallenit.
Edhe këta i priti imami, së bashku me kryetarin e xhamisë, Bekim Berishën, ku prezentë ishin edhe një pjesë e xhematit të xhamisë.
Nga të gjitha vizitat që janë bërë deri më tani, mund të kuptohet se qytetarët zviceranë, gjithnjë e më shumë, janë të interesuar për Islamin dhe muslimanët, si dhe për të pasur mundësinë e kyçjes në dialog, për t’u afruar me njëri tjetrit, ku dhe si rezultat do të ishte njohja e ndërsjellë dhe bashkëjetesa e mirë.