Mehas Alija
Falënderimi i takon Zotit të gjithë botëve, salavatet dhe selamet i takojnë të Dërguarit të Tij, familjes, shokëve dhe gjithë atyre që e pasojnë për të mirë deri në ditën e gjykimit.
Allahu i Madhërishëm në Kur’anin famëlartë thotë:
“O ju që besuat, hyni në islamizmin e tërësishëm (përqafojeni fenë islame në tërësi), e mos ndiqni rrugën e djallit, sepse ai është armik juaji i hapët.” (Bekare, 208).
Muhammedi a.s. thotë:
“Muhaxhir i vërtetë është ai i cili e braktis mëkatin vetëm për hirë të Allahut xh.sh.” (Buhariu, Muslimi)
I dashur xhemat
Sot, dëshirova përsëri t’i them disa fjalë të fundit për hixhretin tonë të madh. Hixhret që ka filluar që 1438 vite më parë dhe që, edhe sot e kësaj dite, kush e kupton drejt çështjen e tij, i jep mësimin e duhur.
Te hixhreti ka një detaj, që ne zakonisht e shpërfillim dhe nuk mendojmë gjatë për të. Çështja është këtu: Çfarë lanë në Meke muslimanët dhe çfarë fituan në Medine?
Muslimanët në Meke kishin shtëpitë e tyre, prindërit, kishin familjet dhe miqtë, kishin tokat dhe pasuritë e tyre. Ata kishin vatanin, sido që të ishte ai, i hidhur apo i këndshëm. Por, ata nuk kishin namazin, agjërimin, zeqatin, haxhin, xhihadin, xhaminë, shkollën, etj. Ata në Mekke nuk kishin ensarët, e as kushtetutën. Atyre ju mungonte liria e të shprehurit, të vepruarit dhe të besuarit.
Nga ana tjetër, në Medine nuk patën shtëpitë e tyre, familjet, e as tokat dhe pasuritë. Atyre ju mungonte vendi i lindjes, përroskat dhe shkëmbinjtë e qytetit, rrugët me gjëmba dhe me gurrëz, kodrat e larta plotë krenari, por përsëri e lanë me lot në sy. Këtë e bënë vetëm për hir të Allahut xh.sh.
Tani le të kthehemi te fillimi. Pra, me një fjalë, ne Medine ju mungonte Mekeja e bekuar. Por, vallë, çfarë në vërtetë fituan në Medine?
Në qytetin e ri fituan namazin, agjërimin, zeqatin, haxhin, xhihadin, xhaminë, shoqërinë, vëllazërinë, qytet-shtetin. Fituan shkollën dhe lirinë. Fituan epitetin e të qenit shoqëri organizative dhe faktorizuese.
Në Medine, nuk fituan vetëm as’habët, së bashku me Muhammedin a.s., por prej saj fitoi e tërë bota, madje edhe ne sot, që e kujtojmë Hixhretin, falë Medines, jemi muslimanë, flasim për Allahun dhe vazhdojmë më tutje ta prezantojmë idenë dhe mësimin islam.
Vëllezër dhe motra të nderuara
Ku qëndron poenta e mësimit dhe porosisë me këtë që përmendëm? Me këtë që potencova dua ta them këtë: Shoqëria muslimane ndryshoi dhe morri forcën kur i zbritën adhurimet dhe kur gjetën terrenin e duhur për zabitmin e tyre. Sot, nëse ne si Ummet e duam ndryshimin, duhet të fillojmë nga adhurimet, respektivisht ibadetet. Nuk do të mund të jemi ata që duhet me qenë, nëse ibadetet tona nuk janë të gjalla midis nesh, nëse familjet tona nuk janë të gjalla me ibadetet tona.
Nëse shoqëria jonë e fillon ditën me një kafe dhe nuk e fillon me namazin e sabahut, ajo shoqëri nuk mund të jetë udhëheqësja e botës. Ne duam ta udhëheqim botën, jo pse duam të fitojmë pasuri të shumta, apo të nënshtrojmë popuj, por duam ta udhëheqim botën, pasi duam që bota të jetojë në paqe, pa luftëra, pa keqpërdorime, pa skandale, pa prostitucion, pa korrupsion, pa fitne. Një botë që më shume investon për paqen, se sa për dhunën. Ne duam që njerëzit të jetojnë dinjitetshëm, me moral, me besim, me dije të shëndosha, me liri dhe drejtësi.
Andaj, i dashur xhemat, hz. Omer r.a. falte namaz shiu dhe i ftonte njerëzit të bëjnë istigfarë sa herë të kaplonte ndonjë krizë. Pra, ai i fokusonte njerëzit te adhurimi për t’i kapërcyer krizat, jo se dëshironte ta largonte vëmendjen e qytetarëve, siç bëjnë sot shumë kryetarë shtetësh kur përfshihen nëpër skandale, porse besonte fuqishëm se te adhurimi i sinqertë ndaj Allahut xh.sh. fshihet sekreti i sukseseve dhe i arritjeve të mëdha.
Për fund, porosia është e shkurtër dhe e thjeshtë: Kurrë mos u mërzit vëlla nëse të largojnë nga puna për shkak të fesë. Mos u mërzit nëse të urren shoqëria dhe familja për shkak të besimit. Ti vazhdo në adhurimin e Allahut, se gjendja jote do të ndryshoje shpejt, në favorin tënd, inshallah.
(Hutbeja e xhumasë, 14.10.2016, El-Hidaje, St. Gallen, Zvicër)