
“Ne, imamë dhe kryesi xhamish pranë UISHZ-së, shprehemi të indinjuar që disa media dhe disa qarqe të caktuara këtu në Zvicër, përmes etiketimeve dhe mos verifikimit të drejtë të fakteve tentojnë ta njollosin imazhin e imamit dhe të xhamisë shqiptare në Zvicër dhe ta lënë në hije kontributin e tyre të pakrahasueshëm në integrimin e muslimanëve në këtë shoqëri, duke i lidhur këto xhami me persona a organizata kinse radikale që financojnë xhamitë shqiptare në Zvicër.
Ne jetojmë akoma në një shtet të së drejtës në të cilin akuzat, sidomos ato të rëndat, duhet të vërtetohen me prova. Barra e sjelljes së provave nuk mund thjesht të kthehet së mbrapshti. Akuzuesi është ai që duhet të sjellë provat (necessitas probandi incumbit ei qui agit) e jo i akuzuari.
Megjithëkëtë, ne deklarojmë preras se ne nuk mbështetemi financiarisht nga asnjë organizatë islame e vendit apo e huaj. Ne as nuk dëshirojmë dhe as që kemi nevojë të kemi mbështetje financiare nga organizata të vendit ose të huaja që dyshohet se mund të merren me veprimtari të dyshimtë dhe jo transparente.
Këto etiketime janë lëndim shumë i thellë shpirtëror për anëtarët e xhamive tona të cilët me mundin e tyre maksimal kontribuojnë në blerjen, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e këtyre xhamive.
Secila xhami vazhdimisht i publikon haptas në lokalet e veta të dhënat për kontributet financiare të anëtarëve dhe të dhuruesve të tjerë.
Secila xhami e jona ka së paku arkëtarin e vet, shumica edhe një kontabilist, për menaxhimin më efikas të financave, dhe secila xhami është e gatshme t’i dëshmojë secilit autoritet zviceran deri në frangun e fundit për të gjitha të hyrat dhe të dalat financiare të xhamive tona.
Ne deklarojmë se financimi për blerjen, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e xhamive tona bëhet kryesisht nga anëtarët tanë. Ata, përveç anëtarësisë vjetore, në raste kur këtë e lyp nevoja, e mbështesin xhaminë edhe me donacione shtesë si dhe me punë fizike, duke e marrë parasysh se shumica e anëtarëve tanë ushtrojnë me vite të tëra nga një profesion që ka të bëjë me ndërtimtarinë.
Mbështetja e vetme jashtë xhamive tona na vjen nga aksionet donatore të xhamive tjera të Zvicrës, edhe këto kryesisht xhami shqiptare. Ndërsa mbështetjen më të madhe e kemi nga bankat zvicerane në formë të hipotekave dhe kredive për ndërtim. Këto kredi përbëjnë përqindjen më të lartë të financimit për blerjen, ndërtimin dhe meremetimin e xhamive tona.
Ne dëshirojmë që të gjithë faktorët relevantë, si mediat ashtu edhe autoritetet tjera, ta shohin, ta njohin dhe ta çmojnë përkushtimin dhe kontributin e xhamive tona në drejtim të integrimit dhe të bashkëveprimit në ndërtimin e përbashkët të shoqërisë ku jetojmë.
Ne shpresojmë që xhamitë tona shqiptare këtu në Zvicër të shihen dhe të trajtohen si partnere serioze bashkëpunimi për parandalimin dhe amortizimin e tendencave radikale me të cilat mund të ndikohen të rinjtë tanë. Kjo nga arsyeja se radikalizmi dhe ekstremizmi në radhë të parë na dëmtojnë vetë ne muslimanëve.”
Regensdorf, 20.11.2016
*Deklarata është lexuar gjatë takimit që patën imamët dhe kryetarët e xhamivë, më 20.11.2016, në Regensdorf. Deklaratën në gjuhën shqipe e lexoi kryetari i UISHZ-së, Mr. Nehat Ismaili.