
Në mbrëmjen e së shtunës, më 10.12.2016, në qytetin e Frauenfeldit, u mbajt manifestimi kushtuar hapjes së gurrëthemelit të xhamisë së re në këtë qytet. Në këtë mbrëmje festive morën pjesë personalitete të ndryshme fetare nga vendlindja dhe Zvicra. Në këtë eveniment ishte prezent edhe kryetari i Bashkësisë Islame të R. së Maqedonisë, H. Sulejman ef. Rexhepi, i shoqëruar nga myftiu i Gostivarit, Shaqir ef. Fetahu dhe koordinatori për diasporë, Dr. Slever ef. Xhemaili. Nga shteti i Kosovës, ky manifestim u përfaqësua nga koordinatori i diasporës pranë Bashkësisë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica. Imamët e Zvicrës i përfaqësoi Unioni i Imamëve Shqiptarë të Zvicrës, ku fjalën e rastit, në emër të Kryetarit të UISHZ, e mbajti imami nga St. Galleni, Mehas Alija, sekretar i UISHZ-së. Po ashtu, në këtë mbrëmje ishte prezent edhe kryetari i Këshillit të BI në Preshevë, Sevdail ef. Jakupi.
Fjalimi i plotë i sekretarit të UISHZ-zë, Mehas Alijut:
“Të nderuar prijës fetarë,
…
Të nderuar vëllezër dhe motra,
Ju përshëndes me zemër dhe ju them es-selamu alejkum ve rahmetullahi ve berakatuhu.
Me këtë paraqitje timen, dua t’ju përcjell fjalët më të bukura dhe selamet më të ngrohta të kryetarit të Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër, Nehat ef. Ismailit, duke ju uruar kështu këtë nismë të mbarë, këtë xhami të re, këtë dritë të madhe udhëzimi dhe përparimi.
Ne e vlerësojmë lartë këtë nismë tuajën dhe mendojmë se, me xhamitë e reja, të ndërtuara nga themeli, hapim një faqe të re të historisë dhe të institucionalizimit të islamit në këtë vend.
Një Islam me institucione të qëndrueshme, do të jetë më i admiruar, më i pranuar, dhe larg çdo keqpërdorimi apo ekstremizmi. Kjo do të jetë kështu, pasi që është bindja jonë se xhamitë tona në të kaluarën nuk kanë prodhuar dhunë, radikalizëm apo përçarje.
Këto xhami i konsiderojmë si magjet tona – ju lutem kuptojeni këtë si një metaforë – në të cilat gatuajmë brumin tonë, bëjmë bukën tonë, me duart tona, dhe konsumojmë atë që dimë dhe e bëjmë vetë. Andaj, bukës sonë i vjen aromë e duarve tona. Ka shijen e ëmbël dhe na bën shumë mirë.
UISHZ, i sheh xhamitë në Zvicër si ura që lidhin kulturat, fetë dhe besimet e ndryshme, por edhe si kupola që bashkojnë dhe mbrojnë traditën, kulturën dhe zakonet tona shqiptare. Më përpara xhamitë kanë ndërtuar qytete, kanë krijuar infrastruktura urbanistike, kanë rritur ekonominë e banorëve përreth tyre, etj., kurse sot, në këtë vend, duhet të paraqesin modelin e një institucioni për dialog, për zhvillim, për udhëzim dhe përparim të vetë muslimanëve, por edhe të jomuslimanëve.
Të nderuar vëllezër e motra,
Dua me këtë rast t’ju sjellë edhe dy transmetime shumë të bukura, që ndërlidhen me këtë aktivitet.
Në një rast, Enes Ibn Maliku r.a. pati thënë: “Për njeriun që e sjellë në xhami, qoftë edhe një llambë, melaqet dhe Bartësit e Arshit, e lusin Allahun që t’ia falë gjunahet, derisa llamba të bëjë dritë në xhami.”
Kur Muhammedi a.s., na ka njoftuar se Allahu i madhërishëm thotë: “Unë ndonjëherë mendoj t’i dënojë banorët e tokës, (natyrisht për shakak të gjynaheve), mirëpo, kur shoh që n’mes tyre ka nga ta që ngrisin dhe ndërtojnë xhami, dhe që duhen mes veti, si dhe nga ata që ngriten herët në mëngjes dhe kërkojnë që t’i falë, atëherë tërhiqem nga dënimi synuar.” (Bejhekiu)
Pra, dojeni xhaminë, sakrifikoni për të, jepjani zemrën e shpirtin – ajo kam me ua dhenë jetën e mbarë, të ardhmen e sigurt, kënaqësinë e Allahut, shefatin e Muhammedit a.s., dhe shtëpinë në xhennet.
Xhamia është dielli i Allahut që shkëlqen në këtë vend. Le të kënaqemi, pra, nën ngrohtësinë që ofron ky diell, i cili as nuk të djeg, e as nuk të lë në ngricë.
Për fund, ju urojë punë të mbarë, shumë suksese dhe shpresojë se në projektin tuaj do të marrin pjesë të gjithë dashamirët e xhamive dhe të Islamit. Ju faleminderit shumë!”
Ndër të tjera, në këtë mbrëmje morën pjesë edhe recitues të njohur të Kur’anit dhe të ilahive, përfshirë Xhelal Kaloshin, Adem Ramadanin, Xhemail Nuhiun, Vullnet Pishtarin dhe Enis Ismailin.
Manifestimi u moderua nga imami i xhamisë së Wilit, Bekim ef. Alimi.
Ndryshe, në ceremoninë e hapjes së gurrëthemelit, i cili u zhvillua nga mesdita e së shtunës, ishte prezent edhe vetë kryetari i UISHZ-së, Mr. Nehat ef. Ismaili, i cili u paraqit përpara të pranishmëve me një fjalë rasti.