Të dielën, me datë 18.12.2016, Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër (UISHZ), me rastin e muajit të Mevludit, respektivisht muajit të lindjes së Muhammedit a.s., Rebiul-evvel, organizoi ekspozitën tre ditore për Muhammedit a.s.
Sivjet ekspozita u hap në xhaminë shqiptare në Salmsach, të kantonit Turgau, me ç’rast nga e xhumaja, 16.12.2016, deri të dielën në mbrëmje, 18.12.2016, ishte e hapur për xhematet shqiptare dhe për mektebet e xhamive përreth dhe më gjërë.
Aktiviteti i parë në lidhje me këtë rast ishte tribuna e motrave muslimane, e cila u mbajt të xhumanë, pas faljes së namazit të jacisë. Ligjërata iu kushtua Muhammedit a.s., kurse si ligjëruese ishte mualimja e xhamisë El-Hidaje, Nazlije Memeti.
Të dielën, Bashkësia Islame “El-Hidaje” nga St. Galleni, bëri edhe vizitën e parë me nxënësit e Mektebit të saj, me ç’rast u pritën nga imami, talebet dhe kryesia e xhamisë së Salmsachut. Imami i xhamisë, Taxhedin ef. Misimi, fillimisht i përshëndeti të pranishmit dhe më pas falënderoi organizatorët, respektivisht UISHZ-në, për këtë organizim me vlerë dhe të bukur, sidomos për kohën dhe rrethanat në cilat po kalon shoqëria muslimane.
Imami i xhamisë El-Hidaje, Mehas ef. Alija, i cili në këtë ditë ishte me nxënësit e xhamisë ku ai shërben, foli në emër të UISHZ-së për vlerat që bartë kjo ekspozitë dhe rëndësia e saj në kohën e muajit në të cilin ka lindur Muhammedi a.s. Ai tha se për ta dashur Muhammedin a.s., duhet fillimisht ta njohim atë. Njohja e Muhammedit a.s., do të na ndihmonte edhe më tepër ta njohim edhe vetë Islamin.
Rreth orës 10:30, këtij takimi iu bashkangjit edhe grupi i talebeve nga xhamia shqiptare nga Rorshahu, të cilët, po ashtu, së bashku me hoxhën mysafir, Hazir Selmanin dhe këshillin e xhamisë kishin ardhur me qëllim për të parë ekspozitën e hapur.
Më pas, në grupe, të gjithë nxënësit panë fotografitë dhe hartat, të cilat i dedikoheshin jetës dhe veprimtarisë së Muhammedit a.s.
Në fund, nxënësit e tre xhamive nga St. Galleni, Salmsahu dhe Rorshahu, iu nënshtruan edhe një testi në lidhje me njohurit e fituara nga shpjegimet e hoxhallarëve për Muhammedin a.s.
Në mesditë, ekspozitën e vizitoi edhe grupi i nxënësve nga xhamia e Aarburgut, të cilët kishin ardhur me hoxhën e tyre, Mr. Nehat ef. Ismailin, njëherit edhe kryetari i UISHZ. Ai në fjalën e rastit që pati, falënderoi kryesinë dhe imamin e xhamisë për mundësinë e organizimit të Eskpozitës në xhaminë e Salmsahut. Më pas shtoi se forma e këtillë e përkujtimit të Muhammedit a.s., pikërisht në këtë muaj, është më atraktive dhe më bashkëkohore.
Për të parë ekspozitën, erdhën edhe xhami të tjera, siç ishte ajo e Buchs-it, El-Nur, dhe ajo e Kreuzlingenit, Hëna e Re.
Kjo është hera e dytë që UISHZ organizon një event të tillë, ku vitin e kaluar, kjo ekspozitë, ishte hapur në xhaminë e Aarburgut, me ç’rast u organizua edhe një seminar për imamët dhe kryesitë e xhamive, me profesor specialist në këtë drejtim, dr. Amar Mula, e që kishte ardhur apostafat nga Medineja për këtë organizim.
Po ashtu, me rastin e muajit të Mevludit, xhami që veprojnë në kuadër te Unionit, kanë organizuar edhe tribuna të posaçme kushtuar personalitetit të Muhammedit a.s. dhe veprës së tij të madhe.