
Hfz. Mehas Alija
Falënderimi i takon Zotit të botëve, salavatet dhe selamet i takojnë të Dërguarit të Tij, familjes, shokëve dhe gjithë atyre që e pasojnë për të mirë deri në ditën e gjykimit.
“Dhe çdo të mirë që e keni, ajo është prej All-llahut, madje edhe kur ju godet e keqja, ju vetëm te Ai e ngreni zërin (me lutje). (En-Nahl, 53)
Të dashur vëllezër e motra, sot është një ditë e veçantë për ne si shqiptarë, pasi sot e kemi 17 shkurtin, i cili shënon nëntë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Në mediume shohim shumë entuziazëm, shprehje gëzimi e lavdi, si dhe shumë organizime të tjera të llojllojshme.
Rëndësia e këtij përvjetori është se shqiptarët po i gëzohen një shteti tjetër të pavarur shqiptar, i çliruar pas shumë mundimesh, torturash e dhunimesh nga agresioni dhe thundra e një shteti, i cili për shumë vite e mbajti peng ëndrrën e lirisë së një populli liridashës.
Sot, ne i krenohemi rezistencës sonë, vullnetit dhe besimit tonë se vetëm të organizuar dhe të bashkuar do të mund t’ua dalim të gjitha çështjeve, të cilat ndonjëherë duken të pakapërcyeshme.
I nderuari xhemat, populli që e do lirinë, ai atë një ditë ka për ta fituar. Kjo është kështu për shkak se gjithmonë ka qenë që dëshira dhe vullneti ta mund hekurin, grushtin dhe armën.
Sot, vërejmë se aspirata jonë historike, e atyre qe sakrifikuan më të mirën e tyre të jetës për të na dhuruar neve një mirëqenie më të sigurt, nuk është në ujdi me zhvillimet aktuale politike, kombëtare e fetare.
Kushdo që di të lexojë drejtë idealin e dëshmorëve në Kosovë, do të shohim se sot, në masë të madhe, jemi larg synimit dhe ëndrrës së tyre. Ata nuk luftuan, që për ta fituar shtetin, ta mohojnë Zotin. Ata nuk luftuan, që për ta fituar shkollën, ta mohojnë lirinë e mësimit dhe të besimit. Ata nuk luftuan, që për ta ruajtur kombin, ta mohojnë fenë.
Të dashur vëllezër e motra, shikoni se sa bukur na ka bashkuar xhamia. Kështu na ka bashkuar gjuha, kultura, kombi e feja. Sa do të ndarë që të jemi, nëse nuk e humbim vullnetin dhe dëshirën për t’i qëndruar pranë njëri tjetrit, ne këtë do ta arrijmë, inshallah. Lutjet, ëndrrën dhe sakrificën e shehidëve tanë nuk duhet harruar. Të mos kënaqemi me kaq, por të punojmë shumë për të arritur edhe shumë gjëra të tjera që na presin në prag të së nesërmes.
Ne, si brezi i ri, që jemi lindur e rritur në mërgim, duhet të mësojmë se si ruhet e duhet vatani dhe feja; se si mbrohet nderi e familja; se si çmohet vëllai e motra, e se si qëndrohet i palëkundur përballë sfidave të reja të kohës. Nëse ne sot nuk ballafaqohemi me armën e hekurit, dijeni që sot po kërcënohemi nga arma e paditurisë, shfrenimit dhe çoroditjes.
Brezi i ri duhet të mësojë për heroizmin e çiltër të të parëve tanë. Brezi i ri, duhet të di se Adem Jashari nuk u vra se ishte rrugaç, pijanec, e hajdut, porse ai u vra se ishte trim prej trimash. Ai u vra, ndërkohë që ishte agjërueshëm dhe me avdes. Plumbat e tij nuk dilnin me të shara, por me bismilah, sepse ai donte që ky shtet të ngrihej me bismilah, dhe shqiptarët të jetojnë po me bismilah.
Për fund, uroj që në këto përvjetorë, kombi ynë ta ketë kuptuar aspiratën e vërtetë të të parëve tanë dhe se e ardhmja duhet t’i shërbej pikërisht këtij përkushtimi. Ruajtja e amanetit ndaj Allahut dhe lëvizja për t’u afruar sa më pranë njëri tjetrit, do të na bëjë një shoqëri të dobishme, jo vetëm brenda nesh, por edhe në rrafsh më të gjërë ndërkombëtar.
E lus Allahun e Plotfuqishëm që vitet në vijim të jenë të bardha, për ne si shqiptarë, për muslimanët mbarë dhe për tërë njerëzimin. Amin!
(Hutbeja e xhumasë, 17.02.2017, Xhamia El-Hidaje, St. Gallen)