Të nderuar vëllezër dhe motra, ju njoftojmë se, sipas Takvimit tonë, të përgatitur nga Unioni i imamëve shqiptarë në Zvicër, dita e nesërme, e mërkurë, 10 maj 2017, me namazin e akshamit fillon edhe nata e madhe e Beratit, nata e 15-të e muajit Sha’ban.
Kjo natë është njëra ndër netët e mëdha në kalendarin islam dhe se, në viset tona, shënohet dhe përkujtohet duke shënuar aktivitete dhe programe të veçanta.
Nata e bekuar e Beratit përjetohet si një lajmërues i ardhjes së Ramazanit, muajit të bekuar të agjërimit. Po ashtu, sipas transmetimeve të ndryshme, thuhet se në këtë natë, melaqet shkruajnë fatin e njerëzve, të asaj se çfarë do të ndodh brenda një viti. Në traditën tonë, kjo natë njihet edhe si nata e faljes, fatit dhe dëshirave.
Transmetohet se Muhammedi a.s. në një hadith ka thënë: “
“Kur të vijë nata e 15 e muajit Shaban, kalojeni me ibadet dhe itaat Zotit, kurse ditën e 15 kalojeni me agjërim! Sepse atë natë Zoti me rahmetin e vet i shfaqet qiellit të dynjasë dhe thotë: ‘A ka kush pendohet sonte dhe Unë ta fali?, A ka kush kërkon rizk (furnizim e nafakë) sonte dhe Unë t’i jap?, A ka kush që është i sëmurë dhe kërkon prej Meje shërim e Unë t’i jap shëndet?, A ka kush kërkon diçka tjetër sonte e Unë t’i jap?’ Kështu vazhdon deri në agimin e ditës së nesërme”, (Ibni Maxhe, Ikame, 191).
Po ashtu, në një hadith tjetër thotë:
“Kjo natë është nata e pesëmbëdhjetë e muajit Shaban. Në këtë natë Allahu i shpëton njerëzit nga xhehenemi sa numri i qimeve të deleve të fisit Beni Kelb, por nuk shikon fytyrat e atyre të cilët i bëjnë shirk Atij, të atyre që ushqejnë urrejtje dhe armiqësi ndaj myslimanëve, të atyre që shkëpusin marrëdhëniet me të afërmit, të atyre që mburren dhe që janë mëndjemëdhenj, të atyre që nuk u binden nënës dhe babait dhe, të atyre që vazhdojnë pirjen e alkoolit” (Buhari, et-Tergib ve’t-Terhib, II, 118)
Allahu i Madhërishëm qoftë razi me ne dhe veprat tona. Amin!
Përgatiti: Mehas Alija