Dje, më 12.05.2017, e premte, dekani i Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup, Dr. Fahrudin Ebibi, së bashku me dr. Abas Jahjën, profesor i lëndës së kiraetit në FSHI dhe dy profesorë të tjerë nga turqia, vizituan xhaminë El-Hidaje në qytetin e St. Gallenit.
Mysafirët u pritën nga imami i xhamisë, hfz. Mehas Alija, me disa anëtarë të tjerë të këshillit të xhamisë. Fillimisht imami u tregoi për historikun dhe hapësirat e xhamisë, ndërsa pak më vonë filloi edhe programi i namazit të xhumasë.
Ligjëratën, para faljes së namazit të xhumasë, nga kursia, e mbajti dekani i FSHI-së, dr. Fahrudin Ebibi, i cili foli për atë se sa i lehtë është Islami dhe si duhet të jetohet ai, duke iu përmbajtur parimeve. Ai i porositi besimtarët musliman që të jenë të kujdesshëm në promovimin e Islamit në këtë vend dhe të bashkëjetojnë mirë me të tjerët.
Nga ana tjetër, hutbenë e namazit të xhumasë e mbajti profesori, Dr. Abas Jahja. Ai foli për dashurinë, mirësinë, mirësjelljen dhe dialogun që duhet ta zhvillojmë me njëri-tjetrin, si muslimanë që jemi, por jo vetëm, duke e pasur parasysh që, në St. Gallen dhe më gjërë, rrethohemi edhe me njerëz të kulturave dhe feve të ndryshme.
Profesori nga Turqia, ekspert i artit dhe kulturës, njëherit edhe këndues i njohur i Ilahive, Dr. Ubejdullah Sezkili, thirri ezanin dhe bëri ikametin e namazit të xhumasë. Me zërin e tij të bukur, kënaqi dhe ngazëlleu zemrat dhe shpirtrat e besimtarëve të pranishëm.
Pas faljes së namazit, Abas ef. dhe Ubejdullah ef., përpara xhematit, paraqitën edhe një program të shkurtësh me ilahije dhe Kur’an.
Përndryshe, mysafirët janë në Zvicër në kuadër të aktivitetit që këto ditë zhvillon Xhamia shqiptare e Wilit, e cila sot, 13.05.2017, bënë edhe hapjen solemne të xhamisë së re, e ndërtuar nga themeli. Delegacioni kryesohet me kryetarin e Bashkësisë Fetare Islame të R. Së Maqedonisë, H. Sulejman ef. Rexhepi.