Sot, më 18.02.2018, ditë e diel, në qytetin e Kreuzlingenit u mbajtë koncerti tradicional islam, që, tashmë, disa vite me radhë e organizon xhamia shqiptare „Hena e Re“.
Në këtë eveniment mori pjesë edhe kryesia e Unionit të Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër, me në krye kryetarin, hfz. Mehas Alija.
Kreu i UBISHZ-së më këtë rast pati edhe fjalën e tij përshëndetëse.
Për më tepër, ju sjellim edhe tekstin e plotë të fjalimit të kryetarit të UBISHZ-së:
“Në emrin e Allahut, mëshiruesit, Mëshirëbërësit
I nderuari imam i xhamisë “Hena e Re”, Mr. Rejhan ef. Neziri
Kryesi e nderuar e xhamisë
Ju mysafirë, hoxhallarë dhe aktorë, të ardhur nga Maqedonia, me në krye përfaqësuesin për diasporën pranë BFI-së, Dr. Selver ef. Xhemaili
Imamlerë dhe kryesi të xhamive mysafire nga Zvicra
Vëllezër e motra
Kam nder dhe kënaqësi të veçantë që sot, në këtë tubim të bukur, t’ju përshëndes dhe t’ju them Es-selamu alejkum!
Ky manifestim tradicional i juaji tregon për punën dhe angazhimin tuaj që, fenë dhe jetën, t’i shihni si dy gjëra të përbashkëta. Feja ofron alternativën më të mirë për jetën, por edhe jeta ishte shkak që të shpallet feja.
Feja nuk është vetëm një masë shtrënguese për qenien njerëzore, por ajo di ndonjëherë edhe ta çlirojë atë, ta gëzojë dhe ta argëtojë atë. Në sa e sa vende në Kur’anin famlartë, na thërret Allahu xh.sh. që të pendohemi, të lëmë mërzinë dhe t’i kthehemi shpresës, të kënaqemi dhe të argëtohemi me të mirat e Zotit. Po Muhammedi a.s., a nuk i thoshte Bilallit që ta thërriste Ezanin, dhe kënaqeshin pak me namaz e lutje.
Të dashur vëllezër dhe motra të respektuara
Unioni i Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër nuk është i ri, vetëm emrin e ka të ri, kurse rruga e këtij unioni ka filluar që moti, me levizjet e para të imamëve dhe kryesive të xhamive, duke marrë formë dhe hov në pesë vitet e fundit, me themelimin dhe funksionimin e Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër.
Sot, UBISHZ, është vazhdimësi dhe rezultat i idesë dhe punës së kamotshme e njerëzvë të mirë, me ide përparimtare dhe vizionare. Ne, si udhëheqësi e Unionit, e kemi shumë të lehtë të ecim më tutje, kur me vete e kemi përvojën e të parëve dhe njohuritë e reja të të rinjve.
Unioni i Bashkësive Islame Shqiptare nuk është organizatë vetëm e hoxhallarëve, por edhe xhemateve. Ndoshta është gjëja më e bukur që mund të posedojmë, e që është fakti që brenda strukturës sonë është edhe imami dhe xhemati.
Pa dashur që ta teprojë, ju kërkoj falje për këtë mungesë modestie, do thoja se ne kemi një fat shumë të mirë. UBISHZ i posedon katër komponentë shumë dalluese: Vepron në shtetin më të sigurt në botë, ka me vete xhamitë dhe xhematet më të avancuara, posedon imamët më të dalluar, si dhe ka të rinj të arsimuar që ia garantojnë të ardhmen e mirë.
Kjo na bënë që të themi, se me ndihmën e Zotit, me ndërshmëri, përkushtim dhe guxim, do të ecim përpara, inshallah.
Për fund, ju uroj për këtë shënim. Në emër timin dhe të kryesisë së Unionit, ju dëshirojmë gjithë të mirat dhe qofshi gjithmonë, ashtu siç jeni, modeli i një xhemati përparimtar dhe i dëshiruar për të gjithë!
Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin famëlartë: “Ky është shpërblim juaji, sepse angazhimi juaj ka qenë i pranishëm.” (Insan, 22)
Paqja dhe bekimet e All-llahut qofshin mbi të gjithë ju!”
Në këtë koncert, pos publikut të mrekullueshëm, manifestimin e begatuan paraqitjet e shkëlqyera të nxënësve të xhamisë, këndimit të ilahive, si dhe fjalimëve që mbajtën mysafirë të tjerë të ftuar enkas për këtë evenimet, siç ishin Dr. Selver Xhemaili, drejtor për diasporën pranë BFI-së, Dr. Abas Jahja, Mr. Eljesa Asani, Mr. Bekim Alimi, kryetar i DIGO-s, si dhe Enis Alili, i riu nga Zvicra.
Në këtë koncert nuk munguan as edhe skenat humoristike, të prezantuara nga grupi tetovar “Hallkit”.
Kryetari i UBISHZ-së, hfz. Mehas Alija, ishte i shoqëruar edhe nga dy anëtarët e tjerë të kryesisë, H. Ismail Ademi dhe H. Abdullah Mustafa.