Udhëtimi treditor në Bosnjë mes dhembshurisë dhe krenarisë
05 Maj 2014
Aarburg, Zvicër
„Shqiptarët e Zvicrës solidarizohen me popullatën boshnjake të goditur nga përmbysjet e ujit “ , ishin tituj kryesor të shtypit ditor të 4 Majit 2014 në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Pas apelit të Unionit të Imamëve Shqiptarë të Zvicrës, që 23 Maji 2014, përkatësisht dita e premte të shpallet ditë solidarizimi për Bosnjën, 28 Qendra islame dhe Xhami iu janë përgjigjur pozitivisht kësaj iniciative sensibilizuese me ç’rast arritën të grumbullojnë 60 000 franga zvicerane.
Delegacioni i Unionit të Imamëve Shqiptarë të Zvicrës më 2 Qershor udhëtoi për në Sarajevë me ç’rast në agjendën e Unionit ishin të aranzhuar disa takime zyrtare me personalitete të larta të jetës fetare dhe publike të Bosnjës.
Më 3 Qershor, delegacioni i Unionit zhvilloi një takim të rëndësishëm me Drejtorin e Vakëfit për Bosnjë dhe Hercegovinë, dr. Senad Zajmovic, me ç’rast u njoftuan për së afërmi me ecurinë dhe dinamizmin e rikthimit të vakëfeve dhe restaurimin e objekteve fetare të shkatërruara gjatë luftës.
Po në të njëjtën ditë, në selinë e Meshihatit të Bosnjës në Sarajevë, delegacioni shqiptarë nga Zvicra, në të cilin ishin përfshirë Kryetari i Unionit, Nehat ef. Ismaili, nënkryetari i Unionit, Bekim ef. Alimi, anëtari i këshillit mbikëqyrës Nebi ef. Rexhepi,si dhe haxhi Ademi nga Cyrihu, u prit nga zv. Reis Ulemaja i Bosnjës Husein ef. Smajiç dhe shefi i Kabinetit të reis ulemasë Rasim ef. Çoliç të cilët e falënderuan delegacionin shqiptarë nga Zvicra për ndihmën dhe donacionin dhe i njoftuan mbi përmasat e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e ujit si dhe nevojat emergjente të zonave të prekura nga kjo situatë e krijuar.
Mjetet e grumbulluara në prani të mediumeve iu dorëzuan personalisht zv. Reis Ulemasë Husein ef. Smajiç nga ana e kryetarit të Unionit të Imamëve të Zvicrës, Nehat ef. Ismailit. Gjatë bisedës është potencuar bashkëpunimi i mirë dhe i kënaqshëm i përfaqësuesve fetarë shqiptarë dhe boshnjak të Zvicrës dhe është potencuar nevoja e vazhdimit të bashkëpunimit edhe në fusha tjera në interes të përbashkët të dy komuniteteve muslimane në Zvicër.
Delegacioni shqiptarë nga Zvicra, e njoftoi zv. Reis Ulemanë e Bosnjës për jetën fetare dhe zhvillimin e proceseve të ndryshme në Zvicër duke kërkuar që Bashkësitë Islame të shteteve ballkanike të bëjnë unifikimin e qëndrimeve të tyre për organizimin sa më të suksesshëm të festave fetare në tërë Evropën.
Pas namazit të drekës, përkatësisht më 3 Qershor 2014, delegacioni shqiptarë u nis për të vizituar rajonet më të prekura nga vërshimet e ujit që të njihet për së afërmi me përmasat e dëmeve të shkaktuara. Fillimisht arritëm në Sheriçi një fshat malor me diku 150 shtëpi, me ç’rast në xhaminë e fshatit falën ikindinë dhe zhvilluam një takim me përfaqësuesit lokal të fshatit në fjalë.
Në sytë e tyre vërehej frika e përjetuar nga shkarja e kodrave që kishte lënë gjurmë të pashlyeshme për banorët lokal të fshatit. Në këtë fshat ishin dëmtuar dhjetëra shtëpi dhe dukshëm varrezat e fshatit që ishin rrëzë kodrës.
Ajo që na bëri përshtypje të madhe ishte ruajtja e traditave islame por që vërehej dukshëm se janë besimtarë të devotshëm .Rrallë e për të mos thënë fare hiç, nuk vëreje vajza dhe gra të fshatit që nuk ishin me hixhab ndërsa burrat e fshatit gati shumica e tyre ishin praktikues të synetit të Pejgamberit a.s. me mjekra të bukura përplot iman dhe besim në Zotin e Lavdishëm, ndërsa fëmijët e fshatit ishin pothuajse të gjithë nxënës të mektebit të xhamisë që na përshëndesnin me selam dhe na falënderonin për vizitën dhe ndihmat që u shkonin atyre. U nisëm nga ky fshat duke i lënë të mërzitshëm banorët lokal mes vuajtjes dhe shpresës që asnjëherë të mos u përsëritet në të ardhmen ky fenomen natyror.
Aty kah ora 19 : 30 pas një udhëtimi të vështirë nëpër rrugët lokale dukshëm të dëmtuara nga vërshimet e ujit që me vete kishte sjellë shkëmbinj të mëdhenj, lisa të gjatë dhe trungje të gjëra të shkulura nga toka, baltë dhe mbeturina tjera, gati e pamundësonte lëvizjen tonë me vetura, mezi arrimë në fshatin „ Zheljezno polje“, por fjalët janë të pakta në krahasim me atë që përjetoi delegacioni ynë, por Allahu vepron me vullnetin e Tij. Vërehej qartë se tërë pozita e fshatit kishte ndryshuar, shtëpi të zhvendosura nga 200 metra e më tepër, uji tek disa shtëpi kishte arritur deri në katin e dytë, të dëmtuara tërësisht dhe të pa banueshme njëherë e përgjithmonë.
Xhamia e fshatit pa minare e mbushur tërësisht me ujë që shihej vetëm çatia e xhamisë, duke tentuar që të afrohemi sa më tepër por toka e butë na pamundësonte një dëshirë të tillë ta realizojmë.
Aty takuam një plak në moshë, i mërzitur, i cili shtëpinë e kishte rrëzë kodrës por që vërshimet ia kishin zhvendosur shtëpinë për 100 metra dhe e tëra ishte në brendësi të tokës që mezi shihej shtëpia e tij dhe çdo gjë kishte humbur nga pasuria dhe malli.
Me lot në sy na rrëfente për ankthin dhe trishtimin e përjetuar duke theksuar si një besimtarë i devotshëm se kjo ndodhi është isharet nga Zoti Lavdiplotë.
Në vendin e ngjarjes arriti një delegacion nga Katari, të cilët kishin ardhur zyrtarisht në Bosnjë për të vlerësuar dëmet e shkaktuara dhe për t’ju dalë në ndihmë banorëve lokal.
Udhëtimi ynë vazhdoi duke u ngjitur fshatrave malor diku deri në 500 metra lartësi mbidetare, me ç’rast për delegacionin tonë bashkësia lokale kishte siguruar veturë „ Xhip“ ngaqë vështirë se mund të ngjitej ndokush shkaku i rrëshqitjeve të shtresave të kodrës dhe lisave të shkulura e të përplasura për tokë. Delegacionit tonë iu bashkëngjit z. Sait Pepiç, një boshnjak me vendbanim në Cyrih, si dhe kryetari i xhematit boshnjak në Luzern z. Vehbija Efendiç, i lindur në Zheljezno Polje komuna e Zhepçës.
Rrugës së vështirë malore i parapriu nënkryetari i Unionit të Imamëve të Zvicrës, Bekim ef. Alimi i cili mori përgjegjësinë mbi supet e veta që në ato rrugë malore të pa kaluara, me „ xhip“ të na shpijë në maje të kodrës në të cilën kishte ndodhur krateri dhe më pas rrëshqitja e dheut. Elhamdulilah , ia arritëm qëllimit, arritëm atje ku kishim planifikuar.
Mbetëm të mahnitur me atë peizazh të bukur që e ka krijuar Madhëria e Allahut, por çdo herë duke vëzhguar me vëmendje kraterin e madh i cili për pasojë kishte shkaktuar dëme të mëdha.
Sipas disa informacioneve jozyrtare, mendohej që banorët e këtij fshati duhet të evakuohen dhe asnjëherë të mos kthehen shkaku i rrezikshmërisë së lartë që të përsëritën sërish rrëshqitjet e tokës. Nënkryetari ynë,i nderuari Bekim ef. Alimi, si një mjeshtër i madh dhe pa fije frike na shpiu te poshtë me veturë dhe arritëm shëndosh e rehat duke falënderuar Allahun për sigurinë tone, duke theksuar se banorët lokalë nuk patën guximin të na shoqërojnë duke respektuar instruksionet e bashkësisë lokale të “ Zheljezno Poljes”.
Në mbrëmje namazin e jacisë arritëm të falim në xhaminë e mbretit Fehd në Sarajevë, një xhami impozante me xhemat të mrekullueshëm. Më 4 Maj 2014, namazin e sabahut e falëm në Bashçarshi në një xhami që datonte që nga viti 1570 dhe më pas u ndalëm në çarshi tek një kafene pronar i një bashkë kombësi ynë me prejardhje nga Gjakova të shpërngulur në Sarajevë para 80 vitesh e me tepër por që me fanatizmin më të madh kishte ruajtur gjuhën shqipe dhe aksentin gjakovar. Ai na rrëfeu për një familje tjetër shqiptare përplot vlera njerëzore, kombëtare dhe mbi të gjitha fetare që e tërë Sarajeva flisnin fjalë miradije dhe në superlativ, familjen e Mitat Fidanit dhe vëllezërve Bahtir dhe Nazim Yseini nga Balindolli i Gostivarit. Z. Mitat Fidani pronar i ëmbëltores “sport” dhe byrektores “ Bosnia” na shoqëroi këtë ditë duke na rrëfyer në detaje për qytetin e bukur të Sarajevës, periudhën e luftës që e kishte përjetuar gjatë rrethimit të Sarajevës. Me veturën e tij na dërgoi tek Muzeu i të madhit patriot Alija Izetbegoviç, tek kalaja që datonte nga periudha osmane, gjithashtu me të shkuam deri tek burimet e ujit që furnizohej e tërë Sarajeva, një vend me një park të bukur dhe peizazh që vështirë të përshkruhet me fjalë “ Vrelo Bosne”në Ilixhe.
Dhe koha po afrohej ndërsa misionit tone po i vinte fundi duke u kthyer për në aeroportin e Sarajevës, duke u përqafuar ngrohtësisht me z.Mitat Sinanin dhe z. Sait Pepiç si dhe kryetarin e xhematit boshnjak në Luzern, të cilët arritën në aeroport për të na falënderuar që shqiptarëve të Zvicrës tua përcjellim selamet dhe falënderimet për ndihmat e grumbulluara, mbi të gjitha mbi aktin patriotik, që njerëzimit ti dilet në ndihmë kur e lyp koha dhe nevoja.
U larguam nga Sarajeva me përjetime nga më të ndryshmet, për tu rikthyer inshallah sërish në të ardhmen e afërt me rininë dhe xhematet e xhamive shqiptare për të vizituar këtë vend të bukur përplot xhami madhështore nga perandoria osmane, Bashçarshinë me frymë orientale islame, muzeun e të madhit Alija Izetbegoviç, si dhe Ilixhen në të cilën ndodhen burimet “ Vrelo Bosne” dhe natyrisht banorët e fshatrave lokalë të prekur nga vërshimet e shiut.
Në emër të kryesisë së Unionit, falënderoj përzemërsisht imamët shqiptarë, kryesitë e xhamive shqiptare, qendrat islame, dhe të gjithë dashamirët që na mbështetën dhe inkurajuan që të shkojmë në vendin e ngjarjes për të vëzhguar për së afërmi situatën në fjalë.
Po ashtu një falënderim të veçantë për mikpritjen bujare të familjes Yseini dhe Fidani, dhe për çdo gjë që bënë për ne si delegacion nga Zvicra që të ndihemi komod dhe rehat në Sarajevë gjatë qëndrimit tone. Një falënderim edhe për z. Sait Pepiç i cili tërë kohën ishte me ne dhe ndihej krenar që është xhemat i xhamisë së Cyrihut.
Allahu i nderoftë në dynja dhe ahiret!
Aarburg, Zvicër
Kryetar i UISHZ-së
Nehat Ismaili