Ndërron jetë Dr. Hisham Maizar
Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër sot ka marrë lajmin e dhimbshëm për
ndërrimin jetë të Dr. Hisham Maizarit, një figure shumë të njohur jo vetëm për muslimanët, por edhe për jomuslimanët që jetojnë në Zvicër.
Dr. Hisham Maizar është lindur në vitin 1940 në regjionin e Jerusalemit në Palestinë. Në vitin 1959, falë një burse të shtetit jugosllav, ai fillon studimet e sllavistikës në Sarajevë të Bosnjës. Me rekomandim të një mentorit të tij, ai i braktis studimet në Sarajevë dhe nis studimet e mjekësisë në Universitetin e Heidelbergut në Gjermani, të cilat i mbaron në Innsbruck të Austrisë. Pas studimeve ai punoi në Kreuzspital të Churit në Zvicër. Si specialist i mjekësisë së përgjithshme në vitin 1980 ai hap ordinancën e tij private në Roggwil të kantonit Thurgau.
Ai ishte themelues dhe kryetar i Lidhjes së Bashkësive Islame në Zvicrën Lindore dhe në Principatën e Liechtenstein-it, shkurt DIGO (Dachverband Islamischer Gemeinden der Ostschweiz und des Fürstentums Liechtenstein), më pas edhe kryetar i Federatës së Lidhjeve Islame në Zvicër, shkurt FIDS (Föderation Islamischer Dachorganisationen Schweiz), në të cilën bëjnë pjesë mbi 150 xhami dhe qendra islame, kryesisht shqiptare, dhe që në dy vitet e fundit të zgjidhet edhe si kryesues i Këshillit Zviceran të Feve (Schweizerischer Rat der Religionen).
Ai njihej si një figurë e fuqishme në mbrojtjen dhe fitimin e të drejtave të muslimanëve në Zvicër dhe i përfaqësoi ata në mënyrë dinjitoze si në medie, ashtu edhe nëpër qarqe të ndryshme politike, qytetare dhe fetare.
Ka qenë i martuar me një austriake nga Tiroli dhe ka lënë pas tre fëmijë.
Largimi i tij nga kjo botë ka shkaktuar një zbrazëtirë të madhe në mesin e muslimanëve të këtushëm.
E lusim Allahun Mëshirëplotë që të ndjerin ta ketë mëshiruar, kurse anëtarëve të familjes së tij dhe të gjithë muslimanëve në Zvicër u dëshirojmë sabër dhe qëndresë për humbjen e këtij burri të madh!
Dëshmojmë, o Zot, për sinqeritetin dhe angazhimin e palodhshëm të tij në Rrugën Tënde të ndritshme!
Atë do ta mbajmë mend me këtë fytyrë të tij gjithmonë të qeshur!
Kryetari i UISHZ
Mr. Nehat ef. Ismaili






