Promovimi i librit “Shkronjat arabe”
Takimi u mbajt në lokalet e xhamisë shqiptare të Bülachut (ZH) në Engelwisstr. 8.
Pas faljes së namazit të jacisë takimi nisi me këndim Kur’ani nga Festim ef. Miftari, imam në Affoltern am Albis (ZH). Më pas të pranishmit i përshëndeti imami i përkohshëm nikoqir Nebi ef. nga Kumanova. Moderimin e programit e bëri Mr. Nehat ef. Ismaili, imam në Aarburg (AG) njëherësh edhe nënkryetar i Unionit, i cili foli rreth veprimtarisë botuese të imamëve tanë dhe të Unionit, rreth teksteve që janë në përgatitje e sipër dhe rreth planeve në të ardhmen që i ka përcaktuar Unioni.
Më pas fjalën e mori kryetari i Unionit Mr. Rejhan ef. Neziri, imam në Kreuzlingen (TG), i cili foli për rëndësinë e mësimit fetar islam nëpër mektebet e xhamive tona, rreth rëndësisë së mësimit të leximit të Kur’anit në gjuhën arabe dhe se kjo në fakt përbën njërën prej shtyllave kryesore të mësimit islam nëpër këto mektebe. Ai foli për nevojën e madhe që ekziston në lidhje me përpilimin e teksteve të njësuara mësimore për mektebet tona këtu, andaj edhe shprehu kënaqësinë dhe gëzimin që libri i parë në këtë drejtim të ishte pikërisht një doracak për mësimin e Kur’anit edhe atë në dy gjuhë: shqip dhe gjermanisht, duke e falënderuar autorin e librit, redaktorin Nehat ef. Ismaili, korrektorin hafiz Nebi ef. Rexhepi dhe të gjithë imamlerët e tjerë që në çfarfëdo mënyre qoftë kishin kontribuar që ky tekst ta shihte dritën e botimit dhe të ishte në shërbim të fëmijëve dhe të rriturve muslimanë shqiptarë në vendet ku flitet gjermanisht.
Ai po ashtu falënderoi edhe agjencionin turistik “Durmo Tours”, i cili kishte bërë transportimin e teksteve nga Maqedonia për në Zvicër; si dhe imamin dhe kryesinë e xhamisë nikoqire të Bülachut për mikrpitjen e ngrohtë dhe vëllazërore.
Më pas autori Mr. Bekim ef. Alimi bëri një njoftim të thuktë e preciz rreth tekstit të përcjellë edhe me CD, rreth mënyrës së përgatitjes si dhe rreth mënyrës së punimit me to pastaj nëpër mektebet tona. Ai të pranishmëve u dha edhe shumë ide e këshilla të tjera se si të përdorej më dobishëm dhe më suksesshëm ky tekst.
Takimi përfundoi me leximin e disa pjesëve të Kur’anit nga Letifullah ef. Baki, imam në Lenzburg (AG).
I gjithë ky tykim kaloi i përcjellë me ëmbëlsirat e përgatitura nga xhamia nikoqire, për çka i falënderojmë përzemërsisht.
Pas këtij takimi, Unioni kishte paraparë edhe një turnir të vogël futbolli, ku do të luanin imamlerët kundër kryetarëve të xhamive. Organizimin e sallës së futbollit dhe përgatitjet tjera tanimë i kishte bërë kryesia e xhamisë nikoqire, me në krye haxhi Aqif Hanin. Për afër dy orë resht në këtë sallë u argëtuan mjaft shumë imamlerët e pranishëm dhe anëtarë të kryesive të xhamive shqiptare…
Pas këtij turniri xhamia nikoqire i habiti të pranishmit edhe me ofrimin e nga një byreku të ngrohtë në lokalet e xhamisë, të përgatitura (bashkë edhe me ëmbëlsirat) nga mjeshtri Sherif Neziri nga fshati Çegran i Gostivarit.
Unioni i falënderon të gjithë për pjesëmarrjen e në veçanti kryesinë dhe xhematin e xhamisë së Bülachut. All-llahu xh.sh. ju nderoftë me të mira në të dyja botët.
Më poshtë keni disa foto nga ky takim…