Shqiptarët e Zvicrës dhe Islami
Vlerat e islamit nuk bien ndesh me laicizmin evropian
Në intervistën për Albinfo.ch, kryetari i UISHZ, (Unioni i Imamëve Shqiptarë të Zvicrës), imam Nehat Ismaili flet për çështjet që preokupojnë besimtarët e tij, opinionin e këtushëm dhe vetë asociacionin që drejton, për pozicionin e shqiptarëve të besimit islam në shoqërinë zvicerane, për reflektimin e radikalizmit të islamit në imazhin e shqiptarëve në Zvicër etj.
Virtyt Gacaferi, albinfo.ch
albinfo.ch: Imamët shqiptarë janë të ndarë në shoqata të ndryshme, pse ndodhë kjo a duhet të bëhet një unifikim?
Imam N. Ismaili: Nuk ka shumë shoqata, ka vetëm dy trupa që i përfshijnë imamët dhe që në mes vete nuk janë të armiqësuar por thjesht ka qenë ndarje e natyrës administrative të organizimit të formacionit përkatës konform ligjeve në konstelacionin konstitucional zviceran dhe ne punojm që të kemi një trup të përbashkët përfaqësues.
albinfo.ch: Në mediet zvicerane është raportuar për predikime radikale nëpër xhami. A keni infomacione dhe a keni ndonje strategji per ta ulur radikalizimin?
Imam N. Ismaili: Po, kemi dëgjuar nga mediet, gjithashtu flitet edhe brenda kuluareve të teologëve myslimanë se ka raste të predikimeve me një gjuhë më të ashpër dhe agresive sesa ajo që ishte zakon më herët. Mendoj që bëhet fjalë për raste të izoluara dhe platforma të cilën e aplikon UISHZ është edukimi dhe arsimimi i mëtutjeshëm i imamëve, që studimet e masterit të kanalizohen edhe në rrafshin e fushës së feve komparative, dialogut interreligjioz, studimin e shkencave humane, njohjen e diversitetit kulturor, fetar dhe etnik, njohjen e historisë dhe kulturës europiane ne përgjithësi, që ta bëjnë më të lehtë prezantimin e mesazheve të islamit në saje të argumenteve logjike dhe shkencore dhe në përputhshmëri me kërkesat reale të shoqërisë.
Mbaj mend deri para disa viteve, të gjithë imamët që kanë ardhur në Zvicër nga vendlindja, qoftë për një muaj apo tre muaj apo me afat njëvjetor, fillimisht janë dekretuar nga bashkësitë islame të vendlindjes, gjë e cila me liberalizimin e vizave si duket nuk funksionon më, dhe prandaj është e pamundur të kontrollohet kush vjen dhe çka ligjëron. Po të vihej në funksion ky ligj do të ishte në dobi të xhamive, xhemateve shqiptare, Bashkësive Islame të vendlindjes si dhe për vetë sigurinë e shtetit zviceran.
UISHZ këtyre viteve ka organizuar disa seminare për imamët shqiptarë në Zvicër me profesorë eminentë të fushave në fjalë, botohen broshura, organizohen tribuna dhe kohëve të fundit kemi ndërmarrë hapin për unifikimin e planprogramit mësimor për të gjitha shkollat fetare që funksionojnë në kuadër të xhamive shqiptare në Zvicër, dhe së fundmi përpilimin e një rregulloreje të unifikuar për të gjitha qendrat islame shqiptare etj.
Imamët shqiptarë anashkalohen sepse “shumica e qetë nuk përbën atraktivitet për mediet”
albinfo.ch: Në një tekst të botuar rishtazi për myslimanët në Zvicër fliste një mysliman i konvertuar, një person nga lindja e mesme dhe një shqiptare e cila më shumë është aktiviste se sa një imam i shkolluar. Pse imamët nga Ballkani janë të lënë anash në përfaqësimin e islamit kur pjesën më të madhe të besimtarëve e bëjnë shqiptarët dhe boshnjakët?
Imam N. Ismaili: Po, imamët tanë pjesërisht anashkalohen nga mediet në nivel nacional dhe lokal sepse përbëjnë shumicën e qetë e cila nuk paraqet ndonjë atraktivitet për mediet, të cilat, për fat të keq, po vërehet se më shumë janë të interesuara t’u japin hapësirë mediatike organizatave që përfaqësojnë një minoritet të madh në mesin e myslimanëve të këtushëm e që janë më të zhurmshme, sesa mainstreamit që thërret në maturi, pjekuri e respektim të rendit.
albinfo.ch: Pjesa më e madhe e shqiptarëve në Zvicër janë myslimanë, gjenerata e dytë por edhe e treta, gjatë rritjes në shtetin helvetik kalon në një fazë të kërkimit të identitetit. Ata janë të përballur me tri identitete, atë qytetar zviceran, identitetin etnik shqiptar dhe atë fetar, mysliman. Sa janë vlerat që barten nga feja islame kompatibile me integrimin në një rend juridik dhe shoqëror laik dhe sekular në Zvicër, ku popullata autoktone është e krishterë?
Imam N. Ismaili: Vlerat qe bart islami nuk bien ndesh me laicizmin, i cili në thelb e respekton identitetin qytetar, fetar, nacional e kulturor të komuniteteve të ndryshme. Ju përkujtojmë se Kushtetuta zvicerane në nenin 2, paragrafi 2 e garanton dhe e mbështet shumëllojshmërinë kulturore në vend. Po ashtu në nenin 15 të kësaj kushtetute garantohet liria e ushtrimit të besimit në nivel individual dhe në atë të bashkësisë. Pjesëtarët e krishterë dhe rendi laik nuk janë pengesë në një shoqëri ku kushtetuta i respekton të drejtat fetare të të tjerëve, dhe vlerat që islami i bart në shoqëri nuk thyhen me këto ligje.
albinfo.ch: Ka pasur raste kur një person ka refuzuar mjekun mashkull për të kontrolluar bashkëshorten, dhe burri ka folur në emër të gruas. Gjëra të cilat në shoqërinë moderne zvicerane dhe evropiane në përgjithësi janë si të papranushme. Çka i udhëzoni ju besimatarët të bëjnë në raste tëtilla? Sa është e përshtatshme qasja hanefite për ta jetuar apo praktikuar fenë islame nëZvicër? Raste te ngjashme mund të kemi edhe në shkolla kur shkohet në orë të notit dhe kërkohet ndarja e femrave prej meshkujve. A mund të integrohet gjenerata e dytë apo e tretë në shoqërinë zvicerane nëse gjërat e këtilla bëhen çështje?
Imam N. Ismaili: Shoqëria moderne zvicerane dhe evropiane në përgjithësi nuk mund të jetë e tillë, pra moderne dhe kozmopolite, nëse nuk e respekton multikulturalizmin i cili apriori nënkupton respektimin e veçorive kulturore të të gjitha komuniteteve fetare dhe konform me kushtetutën dhe vlerat evropiane, myslimanët kanë plotësisht të drejtë të kërkojnë të respektohen në institucione veçoritë e tyre kulturore të cilat lidhen me besimin. Kjo e drejtë u garantohet dhe nuk është asgjë e çuditshme për vlerat evropiane të kërkosh një mjeke grua për gruan dhe të kërkosh note të përfaqësuesve të të njëjtës gjini. Vetë evropianët i kanë të ndara wc-të për meshkuj dhe femra, dhe askush nuk thotë se kjo është diskriminim dhe kundër frymës evropiane. Këto janë veçori tona dhe ne në përputhje me vlerat dhe ligjet evropiane dhe zvicerane, kërkojmë të na mundësohet zbatimi i tyre. Nëse nuk hasim mbështetje në një periudhë kohore, i udhëzojmë myslimanët të veprojnë konform asaj që është e lejuar ligjërisht për momentin.
Raporti i islamit me shoqërinë zvicerane
albinfo.ch: Nëse këto gjëra fillojnë të zënë vend në mediet zvicerane, a mendon se populli vendas që është me shumicë i krishterë dhe me një numër mjaft të madh ateistësh, mund të ndjehet se po i rrezikohet kultura, dhe në këtë shoqëri po bëhen ndasi qysh në shkollën fillore? Në kontekstin e pyetjeve të fundit si e shihni integrimin e shqiptarëve besimtarë myslimanë që presin udhëzime nga ju për të bërë jetë në këtë shoqëri?
Imam N. Ismaili: Shoqëria zvicerane në kontekst të përgjithshëm evropian është shoqëri respekti ndaj tjetrit dhe kulturës së tjetrit. Për atë kërkesa e një komuniteti për respektimin e veçorive të veta kulturore në një shoqëri që ngrihet mbi parimin e respektimit të vlerave nuk do të duhej ta frikësojë askënd ngase është në përputhje me frymën e demokracisë dhe vlerat perëndimore. Të kërkosh respekt për tënden, nuk është rrezik për askënd.
Albinfo.ch: A ekziston fjalori i dyfishtë i imamëve në Zvicër tjetër për media dhe tjetër për besimtarë në xhami?
Kryetari i UISHZ, Imam Nehat Ismaili: Gjuha e imamëve është e njëjtë në të gjitha rrafshet, por ngandonjëherë mundet gabimisht të interpretohet, ose të kuptohet ose të barten në kontekst të gabuar fjalët e tij dhe kjo të shkaktojë huti. Për atë duhet të konsultohet imami personalisht e jo të jepen vlerësime për fjalët e i imamit në bazë të përcjelljeve anonime
Islami global, shqiptarët dhe reflektimi i tij në jetën e përditshme këtu
Në Francë, një revistë që ka shitur një numër të parëndësishëm kopjesh (60 mijë në 60 milion banorë) ka bërë disa karikatura, prej të cilave disa myslimanë janë ndier të fyer, është shkaktuar vrasje dhe radikalizim i qëndrimeve në mes të francezëve me prejardhje të ndryshme etnike dhe fetare. Pse këto çështje nuk i lihen Allahut t’i shqyrtojë në amshim? Vet Muhamedi ka porositur se me ata që e përqeshin nuk duhet të shoqërohemi, por nuk ka thirrur në vrasje apo dënim, më shumë injorim? Pse të bëhen çështje disa vizatime dhe jo të injorohen?
Imam N. Ismaili: Islami nuk thërret në vrasje, e as që e justifikon një veprim të tillë. Por tallja mund të nxisë provokime që mund të çojnë në veprime radikale që as ne si teologë nuk mund t`i kontrollojmë. Pastaj këto çështje në të shumtën e rasteve politizohen për të shkaktuar reagime emocionale të turmave të mëdha protestuesish të cilët do të vandalizojnë nëpër rrugë në shenjë revolte e sigurisht që ndonjë grup përfiton nga kjo situatë. Apo ndonjë revistë satirike që me muaj të tërë nuk shitet e as që i bie ndërmend ndokujt për të, e bën pazarin duke fyer rëndë vlerat e një besimi, dhe këtu është përfitimi material i ca individëve.
albinfo.ch: Shpesh është kërkuar që islami si fe të mbrohet me ligj, kërkesat bazohen në disa ligje, kryesisht në Gjermani për “mohimin e ekzistimit të holokaustit, jo për mbrojtjen e fesë hebreje. Në shumicën e vendeve evropiane nuk ka ligje të tilla, e as në Zvicër. A ka arsye që kjo të bëhet për Islamin në Zvicër?
Imam N. Ismaili: Gabimisht i qasen problemit, nuk kërkohet të mbrohet islami si fe që dikush mos pajtohet apo ta kundërshtojë, por kërkohet të mbrohen personalitetet dhe shenjtëritë që nderohen nga pjesëtarët e një besimi nga tallja dhe nëpërkëmbja e dinjitetit, jo nga mospajtimi me to.