Zvicra shënon ditëlindjen e Pejgamberit s.a.v.s.
Me një program madhështor dhe me një prezencë të madhe nga muslimanë dhe zviceranë të feve tjera, Qendra Kulturore Islamo-Shqiptare e Wetzikonit në Kantonin e Cyrihut në Zvicër, të shtunën me 4 shkurt, e shënoi ditëlindjen e Pejgamberit s.a.v.s.
Në këtë eveniment madhështor tradicional të organizuar nga kjo qendër, morën pjesë edhe shumë hoxhallarë të cilët veprojnë në Zvicër, kryetari dhe përfaqësues të Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër, përfaqësues të jetës publike në Zvicër si dhe përfaqësues të korit diplomatik.
Me rëndësi të veçantë ishte programi i përgatitur nga nxënësit të cilët e ndjekin mësim-besimin pranë kësaj qendre, të cilët përmes një pjese teatrale, shprehën aspiratat e tyre për në të ardhmen. Po ashtu, në këtë eveniment u bë edhe dekorimi i disa personaliteteve. Me këtë rast, u dekorua imam Nebi Rexhepi, imam në Bashkësinë Islame-Shqiptare të Cyrihut, si një nga imamët më të vjetër dhe me një të kaluar të bujshme në zhvillimin e jetës fetare te komuniteti musliman shqiptar në Zvicër, si dhe xhamia e Aarburgut në kantonin Argau, për shembullin e mirë në bashkimin e xhemateve dhe suksesin e treguar në hapjen e kësaj qendre të re për një afat rekord. Qendra ka kushtuar 2 milion franga dhe është një nga qendrat më të mëdha islame të shqiptarëve në Zvicër.
Në këtë eveniment me ligjëratë në gjermanisht u prezantua Mr. Bekim Alimi, imam në Wil, ndërkaq me ligjëratë në shqip u prezantua Nehat ef. Ismaili, imam në xhaminë e Arburgut. Programin e udhëhoqi imami i xhamisë së Wetzikonit, Bashkim Aliu.
Këtë eveniment e përshëndetën shumë personalitete, në mes të cilëve edhe Ramadan Nazifi, ambasador i Maqedonisë në Zvicër.