Përfitime dhe sfida të pranverës arabe
Bashkim Aliu
Përfitime
Si rezultat i pushteteve të egra të cilat sunduan me dekada në shtetet arabe të cilat u përfshinë nga revolta popullore, si dhe humbjeve të mëdha njerëzore dhe materiale që u shkaktuan nga ndërhyrja e egër e regjimeve, veçanërisht në rastin e Sirisë, janë zhvilluar debate të shumta për atë se çfarë përfitimesh pati nga pranvera arabe, dhe a thua çka ishte më e madhe: dobia apo dëmet?
Që në fillim të përmendim se revolta e popujve nuk pati ngjyrim të theksuar të ndonjë pale të caktuar politike apo fetare, edhe pse nuk mund të mohohet roli i tyre, por kanë qenë revoltë mbarëpopullore, veçanërisht e brezit të ri, gjegjësisht ka shpërthyer mllefi ndaj pushteteve të cilat e ngulfatën lirinë e popullit dhe e monopolizuan shtetin dhe resurset e tij, për një shtresë të caktuar, u zhytën në korrupsion dhe e lanë popullin në pozitat e fundit të çdo statistike të mirëqenies. Për atë, anët pozitive dhe negative analizohen nga institute dhe qendra kërkimore, e në rastin e pranverës arabe, kemi shpërthim të masës popullore.
Në përgjithësi mund të theksohen përfitime në disa fusha:në atë ligjore, politike, sociale, intelektuale, ekonomike, etj. Normalisht, disa nga këto fusha janë zbehur pikërisht si rezultat i pranverës arabe, fjala vjen ekonomia, në veçanti turizmi në Egjipt dhe Tunizi, por kjo zbehje është momentale, shpresohet që me normalizimin e gjendjes, të rimëkëmben edhe më fuqishëm se më parë.
Po ashtu, mund të numërohen edhe nji varg përfitimesh tjera. Kështu, këto revolucione e thyen frikën e cila i ishte futur qytetarit të rëndomtë në palcë nga ana e regjimeve, pamundësuan rrotacione të kurdisura nga vetë regjimet, por mundësuan rrotacione sipas vullnetit të popullit, gjë që do të hasë në vështirësi edhe për një kohë si rezultat i kulturës së ulët demokratike në përgjithësi në vendet arabe nga njëra anë, dhe elementeve të mbetura nga të ish regjimeve, të instaluara në administratën shtetërore dhe në institucionet tjera shoqërore dhe politike, nga ana tjetër.
Përfitim më i dukshëm është përmbysja e regjimeve, dhe në të njëjtën kohë, është një mesazh i qartë për forcat e ardhshme politike që ta respektojnë vullnetin e popullit, të kthehen kah populli dhe mos të kenë vesh të shurdhër ndaj kërkesave të popullit, ngase rrotacionin e bëri populli, e pushteti nuk mund të mbahet me dhunë dhe dredhi në kohën e komunikimeve masive.
Të respektohen liritë e dhe të drejtat e njerëzve, në veçanti liria e mendimit dhe zgjedhjes, gjegjësisht e drejta që njeriu me vullnet të lirë të vendos se kush do ta udhëheq, e jo të privohet nga kjo e drejtë dhe t’i uzurpohet kjo liri. Kjo, ngase populli u pozicionua në anën e atyre që thirrën në liri dhe i ndëshkuan ata të cilët i privuan nga liria. Populli i ndëshkoi ata të cilët abuzuan me vullnetin e lirë të popullit, dhe në emër të tij, ata të cilët me vota të falsifikuara, manipulonin me opinionin se populli ua ka besuar mandatin politik.
Do të mposhten apetitet e palëve të ndryshme për sundim me dhunë, që ndoshta për disa janë diçka e kaluar në këtë shekull, por për rajonin në fjalë kanë qenë realitet i hidhur edhe në fillim të këtij mileniumi.
Pranvera Arabe do të sjell riformulimin e hartës politike dhe partiake në botën arabe.
Sfidat e pranverës arabe për lëvizjet islame
Por, kjo fitore bart me vete edhe shumë sfida, për të cilat është i vetëdijshëm i gjithë establishmenti i lëvizjes islame. Revolucionet, ashtu siç ofrojnë mundësi, venë edhe kufizime dhe rregulla të reja për të gjitha palët, me qëllim që të realizohen objektivat e revolucionit.Pushteti i egër disa dekadësh në të gjitha vendet e përfshira nga Pranvera Arabe, ka instaluar shumë njerëz në institucione të ndryshme shtetërore, të cilët kanë qenë bashkëpjesëmarrës me pushtetin në korrupsion krime mbi popullatën. Për atë, ata nuk do t’i falin lehtë luftëtarët e kthimit të dinjitetit. Po aq më rëndë do të jetë kontrollimi i tyre i plotë dhe eliminimi i tyre nga këto pozita. Për atë, rreziku i shantazheve nga ana e tyre për pushtetin, është evident.
Sfidë tjetër është edhe unifikimi i kampit antidiktator, në veçanti të atyre që e mbështesin vijën e njejtë, për atë se gjatë kësaj periudhe ndodhën edhe fërkime deri në një masë edhe brenda llojit. Por, ata që kanë ditur të menaxhojnë në kohë frike dhe dhune, dinë të menaxhojnë edhe në kohë sfide dhe liderizmi.
Në fakt, shërbimi më i madh që do ta bënin lëvizjet islame të cilat arritën fitore pas ngjarjeve të pranverës arabe, do të jetë krijimi i një kulture demokratike dhe kompetitive me programe për të ardhmen, emancipimin politik të individit dhe të shoqërisë, pavarësia në mendime dhe orientime, akceptimi i mendimit ndryshe dhe mosndëshkimi i mendimit kundërshtues dhe mos etiketimi i forcave opozitare dhe protestuese si kolaboracionistë dhe komplotistë.
Pas ngjarjeve të Pranverës Arabe, Lëvizjet Islame do të sfidohen edhe nga veprimtaria në ambient të hapur politik dhe ideologjik, apo si që e quajnë shumë analistë “Sfida e transferimit nga ilegaliteti në legalitet”, dhe nga “Veprimtaria e fshehtë në atë të hapur dhe të njohur për të gjithë”. Si rezultat i qëndrimit të ashpër të pushtete e të përmbysura arabe ndaj lëvizjeve islame, veprimtaria e lëvizjeve islame ka qenë e fshehtë dhe jashta rregullave të cilave u janë nënshtruar organizatat tjera legale. Tash, lëvizjet islame do të duhet të veprojnë brenda kornizave ligjore të veprimtarisë së organizatave, partive dhe forcave politike.
Hapja e mundësive për një veprimtari legale në terren, do të nxjerr në pah edhe domosdoshmërinë e balancimit të raporteve brenda lëvizjes islame, ngase deri para kësaj kohe, alibi ka qenë lufta e pushtetit, dhe është evidente se Lëvizjet Islame nuk janë ballafaquar me problemin real të poleve dhe forcave brenda Lëvizjes.
Riformulimi i gjuhës politike dhe mënyrës së qasjes dhe komunikimit me forcat tjera, me qëllim që të tregohet afinitet dhe seriozitet në menaxhimin e politikave shtetërore dhe udhëheqjen e shtetit në përgjithësi. Në fakt, pas këtyre ngjarjeve, Lëvizjet Islame duhet të jenë më të hapura ndaj rrymave dhe palëve tjera të cilat participojnë në jetën politike të vendit, si dhe më afër ideve dhe mendimeve përparimtare.
Uniteti i radhëve, është një sfidë serioze. Deri para këtyre ngjarjeve, ka patur shkëputje nga radhët e Lëvizjeve Islame, por janë komentuar në kontekst të fushatës së egër të pushtetit që ka zhvilluar ndaj tyre. Ndërkaq, pas perëndimit të pushteteve në fjalë, shkëputjet mund të jenë edhe më të shpeshta, dhe nuk do të mund ta kenë mbulesën paraprake, ngase flitet për dy periudha të ndryshme. Do të jetë sfidë e vërtetë mbrojtja e radhëve nga plasaritjet e brendshme, si dhe nga shkëputjet. Këtë mund ta ilustrojmë me rastin e Egjiptit dhe shkëputjen e disa figurave nga qendra, siç ishte rasti me AbdulMunim Ebu-l-Futuh, njërin nga kandidatët presidencial në Egjipt, i cili ka qenë një eksponent i lartë i organizatës së Vëllezërve Muslimanë.
Në këtë kontekst duhet pritur edhe shtimin e debateve brenda Lëvizjeve Islame për nevojën e reformimit të shumë segmenteve, transparencës në zgjedhjen e kuadrove dhe përgjegjësinë e lidershipit.
Ekspozimi i punës së lëvizjeve islame kritikave dhe vërejtjeve të masave të gjëra, ashtu që nga sulmi i regjimit, do të kalojnë në kritikën e masave popullore, e që pritet që masat popullore të jenë mjaft kritike ndaj punës së Lëvizjeve Islame, në veçanti në këtë periudhë kur sa do që të punohet, nuk krijohet përshtypja se është punuar shumë.