Përkitazi me obduksionin e kufomave
VENDIME TË SESIONIT TË DHJETË TË Akademisë së Fikhut Islam, pranë Ligës së Botës Islame,
I MBAJTUR PREJ DITËS SË SHTUNË24 SAFER, DERI NË DITËN E MËRKURË 28, SAFER1408H/ (17-21 TETOR 1987)
VENDIMI I PARË
PËRKITAZI ME OBDUKSIONIN E KUFOMAVE
Falënderimi i takon Allahut, përveç të Cilit nuk ka tjetër, bekimi dhe paqa qofshin mbi atë pas të cilit nuk ka pejgamber tjetër, zotëriun dhe pejgamberin tonëMuhammedin.
Këshilli i akademisë së Fikhut Islam, pranë Ligës së Botës Islame, në sesionin e tij të dhjetë të mbajtur në Mekke, prej prej ditës së Shtunë 24 Safer, deri në ditën e Diel 28 Safer të vitit 1408h, e që përputhet me datën 17-21 Tetor të vitit 1987, e shqyrtoi çështjen e obduksionit të kufomave, dhe pas debatimit dhe këmbimit të mendimeve për çështjen në fjalë, e miratoi vendimin vijues:
Bazuar në domosdoshmëritë të cilat e imponojnë obduksionin e kufomave, e të cilat obduksionin e bëjnë një dobi e cila e randon dëmin e cenimit të dinjitetit të njeriut të vdekur, Këshilli i Akademisë së Fikhut pranë Ligës së Botës Islame, morri vendim si vijon:
I-Lejohet obduksioni i kufomave për qëllimet vijuese:
a) Verifikimi i një kallëzimi penal të ngritur për krim, në mënyrë që të konstatohen shkaqet e vdekjes, apo të krimit të bërë. Kjo vlen për rastet kur gjykatësi e ka problem t’i konstatojë shkaqet e vdekjes, dhe bëhet e qartë se obduksioni është mënyra e vetme për konstatimin e shkaqeve të vdekjes.
b) Vërtetimi i sëmundjeve të cilat diktojnë obduksion, në mënyrë që në dritë të përfundimeve të obduksionit të merren masat preventive dhe barërat adekuate për shërimin e sëmundjeve të tilla.
c) Për ta përvetësuar dhe për t’ua mësuar tjerëve mjekësin, gjegjësisht për motive profesionale në fakultetet e medicinës.
II-Në rastin e obduksionit për motive profesionale në fushën e mjekësisë, duhet të merren parasyshë kushtet vijuese:
a) Nëse është fjala për kufomën e një personi të njohur, është kusht që ai të ketë lejuar para vdekjes që kufoma e tij të bëhet obduksion, apo këtë ta lejojnë trashigimtarët pas vdekjes së tij. Obduksioni i njeriut mund të bëhet vetëm në rastet e domosdoshme.
b) Obduksioni duhet të kufizohet vetëm në masë sa është e domosdoshme, në mënyrë që kufomat mos të keqpërdoren.
c) Kufomat e femrave mund të bëhen obduskion vetëm nga mjeket femra, me përjashtim nëse nuk ka të tilla.
III-Në të gjitha rastet, është obligim që të varrosen të gjitha pjesët e kufomës të cilës i është bërë obduksion.
Bekimi i Allahut dhe paqa e përshëndetjet e shumta qofshin mbi zotëriun tonë Muhammedin, familjen dhe shokët e Tij.
Falënderimi i plotë i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve.
Nënshkruar nga:
KRYETARI I KËSHILLIT TË AKADEMISË SË FIKHUT
Abdu-l-Aziz Abdullah ibën Baz
ZAVENDËSKRYETARI
Dr.Abdullah Omer Nesif.
SEKRETAR I KËSHILLIT TË AKADEMISË SË FIKHUT ISLAM
Dr.Talal Omer Ba Fekih.
Pasojnë anëtarët tjerë:
Muhammed ibën Xhubejr, Abdullah Abdurrahman El-Bessam, Salih ibën Feuzan ibën Abdullah El-Feuzan (Nuk pajtohem me lejimin e obduksionit të kufomës së muslimanit për motive profesionale në medicinë. Kam kundërshtim të detajuar rreth kësaj.), Muhammed ibën Abdullah ibën Sebil (Përmbahem për obduksionin e kufomës së muslimanit në pikën C të rastit I.), Mustafa Ahmed Ez-Zerka, Muhammed Mahmud Es-Savaf, Muhammed Reshid Kabbani, Muhammed Esh-Shadhli, Ebu Bekër Mahmud Xhumi, Dr.Ahmed Fehmij Ebu Sunne, Muhammed El-Habib ibën El-Huxha, Dr.Bekër Ebu Zejd (E kundërshtoj dhe nuk pajtohem me lejimin e obduksionit të kufomës së muslimanit për t’u mësuar mjekët dhe për t’u vërtetuar sëmundjet.), Muhammed ibën Salim ibën Abdu-l-Vedud, Ebu-l-Hasen Ali El-Hasenij En-Nedvij.[1]
Prej arabishtes: Bashkim Aliu