Pyetje rreth 21 dhjetorit
Bashkim Aliu
PYETJA: Çka thoni për bisedat se me 21 dhjetor 2012 do të bëhet Kijameti?
PËRGJIGJA: Esselamu alejkum. Është e vërtetë se këtyre ditëve me të madhe flitet dhe dëgjohet për këtë gjë, bile, për këtë flitet edhe në mediume. Më e keqja është se edhe disa muslimanë janë futur në grupin e atyre që presin dhe nuk dinë se çka do të bëhet me 21 Dhjetor, apo janë konfuz dhe u ka hyrë dyshimi se ndoshta mos po bëhet vërtetë Kijameti në këtë datë.
Kësaj pyetjeje do t’i përgjigjemi duke i përfshirë disa pika:
E Para:Besimi në Ditën e Kijametit, gjegjësisht të shkatërrimit të kësaj bote dhe Gjithësie, apo fundit të jetës në tokë dhe në Gjithësi, është prej bazave të besimit Islam. Por, ky besim është i vlefshëm nëse besohet se vetëm Allahu e di se kur do të ndodh saktë Kijameti, e askush tjetër pos Allahut, nuk e di këtë gjë. Kështu na ka mësuar ne Kur’ani dhe Muhamedi s.a.v.s. Për atë, muslimani as që duhet ta parashtrojë këtë pyetje dhe ta shtrojë këtë si dilemë, ngase besimi i tij e obligon që të besojë në Kijametin, dhe të besojë se vetëm Allahu e di saktë se kur do të bëhet Kijameti.
Bile, edhe parashenjat e Kijametit të cilat janë vërtetuar nga burimet islame, qofshin të mëdha apo të vogla, janë vetëm parashenja, por nuk përcaktojnë kohën e saktë se kur do të ndodh Kijameti. Edhe nëse i sheh se kanë dalë pjesa më e madhe e shenjave të Kijametit, nuk mund të përcaktohet saktë se në filan ditën do të ndodh, ngase dija për këtë gjë është vetëm te Allahu.
Këtë dilemë qartë dhe në mënyrë të prerë e pastron Kur’ani. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Të pyesin ty (Muhammed) për çastin (katastrofën e përgjithshme) se kur do të ndodhë ai. Thuaj: “Atë e di vetëm Zoti im, kohën e tij nuk mund ta zbulojë kush pos Tij (e sjell kijametin pa e hetuar asnjë nga krijesat). Çështja e tij (se kur do të ndodhë) është preokupim i rëndë (për krijesat) në qiej e në tokë. Ai (katastrofa) nuk ju vjen ndryshe, vetëm befas. Të pyesin ty sikur ti di për të. Thuaj: “Për të di vetëm Allahu, por shumica e njerëzve nuk e dinë (pse është e fshehtë)” [el-A’ëraf: 187]. Poashtu, në një ajet tjetër, Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Njerëzit të pyesin për kijametin (katastrofën) e ti thuaj: “Për atë e di vetëm All-llahu! E, ku mund ta dish ti, ai ndoshta është afër!” [el-Ahzabë: 63].
Po ashtu, edhe Muhamedi s.a.v.s. në disa hadithe të tij e ka qartësuar se kohën e ndodhjes së Kijametit nuk e di askush tjetër pos Allahut të Madhërishëm. Në hadith autentik qëndron se kur erdhi Xhibrili a.s., në formën e një beduini, që t’ua mësojë njerëzve fenë, dhe u ul para të dërguarit të Allahut, si pyetës i cili kërkon udhëzim, dhe e pyeti për Islamin, Imanin (besimin) dhe Ihsanin (mirësinë), e pyeti edhe për kijametin, duke i thenë:Kur do të bëhet kijameti? I dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha:”I pyeturi, nuk është më i ditur për të, se sa pyetësi”, gjegjësisht unë nuk jam ma i ditur se ti për kijametin, dhe as që dikush është ma i ditur se tjetri për kohën e ndodhjes së kijametit.Pastaj, i dërguari i Allahut s.a.v.s. e lexoi ajetin: “S’ka dyshim se vetëm Allahu e di kur do të ndodhë kijameti…” [Lukman: 34].
Pra, ky duhet të jetë besimi i muslimanit të vërtetë, dhe assesi nuk duhet të besojë në gjëra të kota të cilat lansohen nga palë të ndryshme, që për Islamin janë xhahila.
E dyta:Muslimani duhet ta dijë se i Dërguari i fundit i Allahut, Muhamedi s.a.v.s., na ka mësuar që për Kijametin të mendojmë në mënyrë kreative dhe të përgjegjshme, gjegjësisht Kijametin ta kuptojmë si mundësi për të na u zbardhë fytyra para krejt njerëzve, që prej kur është krijuar njeriu i parë, e deri te njeriu i fundit, ngase në Ditën e Gjykimit të gjithë do të jenë prezent. Kjo mënyrë e të kuptuarit të Kijametit na bën të punojmë sa më tepër për atë ditë, dhe të bëjmë sa më shumë që mundemi punë të mira.
Poashtu, për Kijametin duhet ta mendojmë në kuptim të vendit ku do të japim përgjegjësi dhe llogari për atë që e kemi bërë në këtë botë. Kjo mënyrë e të menduarit për Kijametin, na bën që të kthehemi në vetvete dhe ta përmirësojmë vetveten, ta llogarisim veten, para se të na llogarisin tjerët, dhe t’i llogarisim punët tona, e të shohim se ku jemi në raport me fjalën e Allahut të Madhërishëm.
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk është përgjigjur se kur do të bëhet Kijameti, por i ka shtyrë njerëzit që të mendojnë se çka kanë përgatitur për Ditën e Gjykimit kur do të dalim para Allahut. Me këtë, na ka bërë me dije se koha e ndodhjes së Kijametit, nuk është puna jonë, por është punë e tjetër kujt, gjegjësisht është punë e Allahut të Madhërishë, ndërkaq e jona është që të punojmë dhe të jemi aktiv deri në momentin e fundit. Në një hadith qëndron se një person ka ardhur te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe e ka pyetur: ”O i Dërguar i Allahut, kur do të ndodh Kijameti?” i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i ka thënë: ”E ti çka ke përgatitur për Kijametin?”.
Pra, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e ka mësuar këtë pyetës, si dhe gjithë muslimanët tjerë, që mos të pyesin për kohën e Kijametit, por të shiqojnë çka kanë përgatitur për Kijametin.
Në një hadith tjetër, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i mëson muslimanët që edhe nëse e dinë se nesër do të bëhet Kijameti, mos dëshprohen, mos paralizohen dhe mos ndalen nga aktiviteti, por të punojnë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:”Nëse ndonjë nga ju e di se nesër do të ndodh Kijameti, dhe në dorë ka një filiz, le ta mbjell atë”. Pra, ky hadith është mësim më madhështor që mund t’i jepet gjithë njerëzimit se Islami thërret në punë, aktivitet dhe kreativitet, bile edhe nëse është fundi i botës. Vërtet, njerëzimi ka nevojë t’i dijë thëniet e Pejgamberit s.a.v.s. që ta kuptojë realitetin e jetës, botës dhe ekzistimit të tyre. Është obligim i të gjithëve që këto të vërteta t’i shpalosin për ata që nuk i njohin, se vërtetë, këto të vërteta e qetësojnë njeriun dhe mbjellin tek ai optimizëm dhe dëshirë për jetë dhe për punë.
E treta:Nuk duhet të neglizhohet aspekti komercial i këtyre muhabeteve për 21 Dhjetorin. Edhe pse kjo datë lidhet me kalendarin e civilizimit Maja, i cili civilizim daton para erës sonë, marketingu për këtë gjë, nuk është bërë nga vetë ata pak ithtarë që kanë ngelur nga ky civilizim, por nga bossat e ndryshëm të cilët përfitojnë materialisht nga lansimi dhe mbulesa e madhe mediatike e këtyre muhabeteve. Poashtu, hisen e luanit në këtë marketing e ka edhe industria e filmit në Hollivud, të cilët punojnë për filma të cilët do ta trajtojnë këtë ndodhi.
Allahu na forcoftë në të vërtetën!