Tri këshilla
Mr. Ferit Zekiri
Këshillën e parë ua drejtoj atyre që gjatë muajit të Ramazanit nuk kanë agjëruar pa pasur ndonjë shkak të arsyeshëm sipas Sheriatit. Këtë kategori njerëzish e këshillojmë që të pendohen për shkak të mëkatit të madh që kanë bërë me lënien e agjërimit të Ramazanit, sepse ai është njëri nga pesë shtyllat mbi të cilat ngrihet Islami, duke u bazuar në hadithin e njohur si hadithi i Xhibrilit a.s. në pyetjen drejtuar Muhamedit a.s. se ç’është Islami? Muhamedi a.s. tha:„Dëshmia se s’ka të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij, falja enamazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe shkuarja në haxh“.
Por megjithatë dyert e pendimit mbeten të hapura dhe Zoti është i gjithëmëshirshëm, prandaj nuk duhet humbur shpresat ngase Allahu xh.sh. thotë:”Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut, pse vërtetë, Allahu i fal të gjitha gjynahet. Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti” (Zumer:53), dhe në ajetin tjetër thotë: “Kush punon vepër të keqe ose e ngarkon veten me gjynahe, pastaj kërkon falje prej Allahut, do të gjejë se Allahu është Falës e Mëshirëplotë” ( Nisa:110). Ajetet dhe hadithet në këtë kontekst janë të shumta.
Përndryshe le të përgatitet për dënimin e ashpër në botën tjetër si që transmetohet nga nga Ebu Umame El-Bahili (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ai e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të!) duke thënë:”Përderisa isha duke fjetur më erdhën dy njerëz të cilët më kapën për krahu dhe më dërguan deri tek një kodër e cila ishte shumë e pjerrtë dhe më thanë: Ngjitu lartë! Unë u thash: Nuk mundem. Ata më thanë: Ne do ta lehtësojmë ty. Dhe kështu u ngjita deri në maje të malit, dhe aty kishte disa zëra të trishtueshëm me tinguj të lartë. I pyeta: Çfarë janë këta zëra?Më thanë: Këto janë ulërimat e banorëve të xhehenemit. Pastaj vazhduam derisa arritëm tek një popull të cilët ishin të varur për qafe me fytyra të qara dhe atyre u rridhte gjaku si uji. I pyeta: E kush janë këta?Më thanë: Këta janë ata të cilët e prishnin agjërimin pa u plotësuar (hanë ushqim përpara se me ardhur koha e iftarit)” (Trans. Ibn Huzejme dhe Ibn Hibani në koleksionet e vërteta të tyre dhe Shejh Albani hadithin e cilëson si të vërtet). Pasi që e ke kuptuar këtë hadith mendoj se është koha të pendohesh dhe t’i kthehesh rrugës së vërtetë.
Këshillën e dytë ua drejtoj atyre që disa ditë nuk i kanë agjëruar por për këtë ata kanë pasur arsye që ua lejon prishjen e agjërimit si udhëtari, i sëmuri, gruaja shtatzëne, gjidhënia etj. Këto kategori njerëzish i këshilloj që ato ditë që e kanë prishur agjërimin t’i agjërojnë kaza po me aq ditë pas festës së Bajramit, duke u bazuar në ajetin kuranor: “… e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim(e nuk agjëroi), atëherë ai(le të agjërojë)më vonë aq ditë“ (Bekare:185), si dhe në hadithin që e transmeton Enes ibn Malik El-Kabij (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Vërtetë Allahu ia ka hequr (lehtësuar)udhëtarit gjysmën e namazit si dhe udhëtarit, shtatzënes dhe gjidhënëses ia ka hequr agjërimin”. Andaj le t’i agjërojë ato ditë që nuk ka mundur t’i agjërojë gjatë muajit të Ramazanit.
Këshillën e tretë ua drejtoj të gjithë atyre që Allahu xh.sh. i udhëzoi dhe ua mundësoi që muajin e Ramazanit ta agjërojnë të plotë. Këtë kategori njerëzish e këshilloj që pikë së pari ta falënderojnë Allahun xh.sh.që u dhuroi shëndet dhe mundësi të agjërojnë dhe nuk i sprovoi me ndonjë sëmundje apo sprovë tjetër e të pamundësohen për të agjëruar. Pastaj i këshilloj që për shpërblimin e veprave të mira që kanë kryer gjatë muajit të Ramazanit në veçanti dhe gjatë tërë jetës së tyre në përgjithësi, të llogarisin te Allahu xh.sh. dhe nga askush tjetër mos të presin shpërblim dhe të llogarisin se agjërimi është prej veprave që njeriun e shtie në xhenet. Ebu Umame thotë: “I thash të dërguarit të Allahut, o i dërguari i Allahut më udhëzo në një punë me të cilën do të hyj në xhenet?” E ai më tha: “Agjëro, se agjërimi nuk krahasohet me asgjë”. Gjithashtu këtë kategori e këshilloj që agjërimit të Ramazanit t’ia bashkëngjisë edhe gjashtë ditët e muajit Shevval (muaji pas muajit të Ramazanit), në mënyrë që të arrijnë shpërblimin te Allahu xh.sh. sikur të kenë agjëruar tërë vitin, siç ka thënë Muhammedi a.s.: ”Kush agjëron muajin e Ramazanit dhe ia bashkëngjit gjashtë ditë të Shevalit konsiderohet si të ketë agjëruar tërë vitin“. Këto ditë ai mund t’i agjërojë të pandërprera, por mund edhe t’i ndërpresë, në mënyrë që të agjërojë një apo dy ditë dhe disa ditë pastaj të pushojë dhe përsëri pastaj t’i vazhdojë, ose mund edhe çdo të hëne dhe të enjte ashtu si që është edhe sunet i Pejgamberit a.s.
E lusim Allahun xh.sh. që të pranojë prej nesh dhe gjithë muslimanëve agjërimin dhe veprat e mira! Amin!