A lejohet klonimi i njeriut?
Dr. Jusuf el-Kardavi
I nderuari profesor……………………………, Allahu të ruajt. Besoj se edhe ju keni dëgjuar dhe e keni parë këtë ndodhi të madhe për të cilën folën të gjitha mediumet dhe u bë top temë e njerëzve në kuloare, gjegjësisht fjala është për klonimin e deles skoceze të quajtur Dolli. Kanë arritur të bëjnë një kopje plotësisht identike me delen e cila është klonuar, në asgjë nuk dallohet nga ajo. Kjo gjë i frikësoi njerëzit që mos ndodh diçka e tillë edhe te njerëzit, ashtu siç ka ndodhur te kafshët. Kjo gjë më shtyri mua dhe shumë tjerë që të pyesim për qëndrimin e fesë Islame ndaj kësaj dukurie, apo thënë ndryshe:A lejohet klonimi i njerëzve, siç ndodhi kjo me kafshët? Allahu e bëftë të dobishme diturinë tuaj, dhe ju shpërbleftë me të mira për atë që bëni për ne dhe për muslimanët në përgjithësi.
Pyetje nga disa studentë të biologjisë në SHBA
PËRGJIGJA
I tërë falënderimi i sinqertë i takon vetëm Allahut të Madhërishëm. Një poet, që herët, ka thënë se netët janë shtatzënë me ngjarje të ndryshme, dhe lindin çfardo çudie.
HOVI I SHKENCËS BASHKËKOHORE
Nëse netët, në kohët e kaluara, kanë lindur çudira, atëherë, në kohën tonë, ato lindin edhe më shpejtë edhe më tepër çudira dhe gjëra të pabesueshme, që njeriut as që i shkojnë në mend, dhe as që i ka menduar në kohët e kaluara. Kjo gjë ndodh falë shkencës që Allahu ia ka mësuar njeriut:<<I mësoi njeriut atë që nuk e dinte (5)>>.[1] Kështu, falë kësaj, njeriu ia mësyu kozmosit, u ngjit në hënë, dhe ka aspirata të ngjitet edhe në yjet tjera më të largëta.
Ne na ra hise që të shohim çudira të shumta në jetën tonë, duke filluar prej radios, televizorit, pastaj kompjuterit, luftës së yjeve, më në fund edhe internetit, pastaj e pamë revolucionin e madh biologjik, revolucionin e inxhinjeringut gjenetik, i cili ka zënë një hapësirë më të madhe në botanikë, ndërkaq hapësira e tij ka qenë më e ngushtë në zoologji, e tash, ka frikë se do të zgjerohet e ta përfshijë edhe njeriun.
Shumë njerëz kanë droe nga hovi i shkencës së vetmuar, të ndarë nga besimi dhe morali. Nëse ndodh kjo, ka gjasa që të paraqesë rrezik për njeriun, në vend që të jetë për të mirën e tij.
Që para disa vitesh, në Universitetin e Katarit, në Fakultetin e Shkencave, u mbajtë një konferencë shkencore kur morrën pjesë:Organizata Islame për Edukim, Kulturë dhe Shkencë dhe Shoqata e Thirrjes Islame në Libi. Temë e kësaj konference qe:”Inxhinjeringu gjenetik dhe qëndrimi i fesë, moralit dhe ligjit ndaj tij”.
Konferenca përfundoi me një mori rekomandimesh që kishin të bëjnë me alarmin e lirimit të shkencës apo daljes së saj nga vlerat fetare, morali dhe kornizat e interesit të njerëzimit, si dhe shndërrimin e saj në mjet për dominimin e disa njerëzve mbi disa tjerë, abuzimin me natyrën në të cilën Allahu i krijoi njerëzit, dhe për të tentuar të ndryshohet krijatura e qenieve, ashtu si i ka krijuar Allahu, gjë që është vepër e shejtanit.
RREZIQET E KLONIMIT
Frika e njerëzve nga zhvillimi i inxhinjeringut gjenetik, filloi të paraqitet në atë që sot njihet si “Klonim”, gjë që u realizua në botën e kafshëve me delen e njohur “Dolli”, e cila nuk ka lindur nga kontakti i mashkullit dhe femrës, apo dashit dhe deles, apo takimit të spermatozoidit të mashkullit me qelizën vezë të femrës, gjë që është e zakonshme te krijesat e Allahut, qofshin njerëz apo kafshë. Por, ata kanë marrur qelizën vezë nga delja përkatëse dhe ia kanë hequr bërthamën, pastaj kanë marrur një qelizë të gjallë nga trupi i deles, dhe e kanë vënë në vend të bërthamës. Kështu, ajo është shumuar, njejtë si ndodh në vezoren e fekonduar, pasi që është vënë në mitrën e deles. Është realizuar zhvillimi i natyrshëm gjenetik derisa ka lindur një dele krejt identike me delen nga e cila është klonuar, gjegjësisht si gjasimi i bineqëve kur janë prej një vezore.
Në këtë mënyrë u mundësua të bëhet një kopje tjetër e deles nga e cila është marru vezorja. Ka mundësi që të bëhen edhe kopje të deles bazë të cilat do të jenë identike me të në:trup, formë, ngjyrë, madhësi, llojin e leshit, etj.
Që prej kur u arrit sukses që të realizohet klonimi në botën e kafshëve, klonimi i njeriut u bë një opsion i mundshëm, e me këtë u bë edhe një preokupim i shumë njerëzve në katër anët e botës. Disa e pranuan, e disa tjerë e refuzuan, bile edhe disa nga vetë shkencetarët, ndërkaq pjesa më e madhe e atyre që e kundërshtuan janë ata që merren me fenë, etikën, vlerat njerëzore dhe të ardhmen e njerëzimit.
Disa njerëz thonë se e bëjnë eksperiment këtë gjë te njeriu, fshehtazi, pa e publikuar tash. Por, këtë do ta publikojnë, kur do ta realizojnë atë që e synojnë.
QËNDRIMI I ISLAMIT NDAJ KLONIMIT
Nisur nga kjo, njerëzit në botën islame pyesin se cili është qëndrimi i ynë, i ne muslimanëve, apo thënë më saktë, cili është qëndrimi i fesë dhe legjislaturës sonë islame, ndaj kësaj çështje të re? Gjegjësisht, pyesin se feja jonë, a e ndalon në tërësi këtë gjë, e lejon në tërësi, apo e lejon me disa rregulla dhe kushte?
Më lejoni që përgjigjen time në këtë pyetje ta filloj me atë se Islami në përgjithësi e mirëpret shkencën dhe gjurmimet shkencore, dhe e konsideron se është obligim kolektiv-farz kifaje për umetin islam që të përparojë në të gjitha sferat shkencore, për të cilat umeti islam ka nevojë, qoftë në çështjet fetare apo në çështjet e kësaj bote. Në këtë mënyrë, umeti islam nuk do të jetë i varur prej tjerëve, por do të bazohet në potencialet e veta në çdo disciplinë shkencore dhe në çdo profesion.
Mirëpo, edhe shkenca në Islam është si puna, politika, ekonomia, lufta, etj., të gjitha këto duhet të jenë në suaza të rregullave fetare dhe etike. Islami nuk e pranon idenë e ndarjes së këtyre gjërave prej fesë dhe etikës, fjala vjen, dikush të thotë:Lenie shkencën të lirë, lenie ekonominë të lirë, lenie politikën të lirë, lenie luftën të lirë, mos e përzini fenë apo etikën në këto çështje, ngase atëherë do t’i ngushtoni dhe do t’i pengoni nga zhvillimi, përparimi dhe ecja me hapa të shpejtë.
Islami nuk e pranon këtë qëndrim që e ka shkatërruar ekonominë, politikën dhe shkencën, por qëndron në parimin se çdo gjë në jetë, duhet t’i nënshtrohet udhëzimit të fesë dhe ta dëgjojë fjalën e fesë. Fjala e fesë, në fakt, është fjala e Allahut, e fjala e Allahut është më e larta. Është shumë e logjikshme që fjala e njeriut, i cili është krijesë, t’i nënshtrohet fjalës së Allahut, i Cili është Krijues. Fjala e Allahut, gjithmonë është fjalë e vërtetë, e mirë, e drejtë dhe e bukur.
KLONIM NË BOTËN SHTAZORE LEJOHET ME KUSHTE
Ne, e lejojmë klonimin në botën shtazore, me kushte:
1-Që në këtë punë, të ketë një dobi reale për njerëzit, e jo dobi të imagjinuar për disa njerëz.
2-Ky veprim, mos të shkaktojë një dëm më të madh se kjo dobi. Kjo, ngase sot njerëzit në përgjithësi, e dijetarët në veçanti, janë vërtetuar se dëmi i bimëve në të cilat është intervenuar gjenetikisht, është më i madh se dobia, dhe në anë të ndryshme të botës, apelohet që të ketë kujdes ndaj kësaj dukurie.
3-Mos të dëmtohet apo maltretohet vetë kafsha, bile edhe pas një periudhe më të gjatë. Kjo, ngase dëmtimi dhe maltretimi i kafshëve, është i ndaluar në fenë e Allahut.
KLONIMI I NJERËZVE NUK ËSHTË I LEJUAR
Tash parashtrohet pyetja:Pasi e pamë se kjo gjë bëhet me kafshët, atëherë, a lejohet të bëhet klonimi i njerëzve, ashtu që të bëhet klonimi i një njeriu nga një tjetër si te delja Dolli, e që me këtë, do të mund të klononim dhjetra apo qindra njerëz nga një person, pa mos patur nevojë të kemi prindër, as martesë dhe as familje, por thjeshtë na mjafton vetëm njëri lloj prej meshkujve apo femrave? Në këtë mënyrë, njerëzit do të mund të klononin sa të donin njerëz nga personat e mençur, të fuqishëm fizikisht dhe të shëndoshë, e me këtë gjë, do të liroheshin nga njerëzit me të meta psiqike, fizike dhe njerëzit e dobët.
Në këtë pyetje, përgjigjemi si vijon:Natyra e të Drejtës Islame, me tekstet e përgjitshme fetare, me rregullat gjithpërfshirëse dhe synimet e veta gjenerale, e ndalon aplikimin e klonimit te njerëzit. Kjo, ngase nga futja e klonimit te lloji njerëzor, rrjedhin pasojat vijuese:
Klonimi e mohon lloj-llojshmërinë
E para: Allahu i Madhërishëm e ka krijuar gjithësinë mbi parimin e lloj-llojshmërisë. Së këtejmi, vërejmë se kjo shprehje, pra “me ngjyra të ndryshme” përmendet shpesh në Kur’an, pas përmendjes së krijimit të gjërave dhe begative për njerëzit. Pra, ndryshimi i ngjyrave është shprehje e fenomenit të lloj-llojshmërisë. Na mjafton t’i lexojmë fjalët e të Lartmadhërishmit:<<A nuk e sheh se Allahu lëshon nga qielli ujë, e Ne nxjerrim me të fruta, ngjyra e të cilëve është e ndryshme, e edhe nëpër kodra ka vija të bardha e të kuqe ngjyrash të ndryshme, e ka edhe shumë të zeza (27) Edhe nga njerëzit, nga gjallesat, nga kafshët po ashtu ka të ngjyrave të ndryshme. Po Allahut ia kanë frikën nga robërit e Tij, vetëm dijetarët, Allahu është mbi gjithçka është mëkatfalës (28)>>.[2]
Klonimi është në kontrast me lloj-llojshmërinë dhe ndryshimin, ngase klonimi nënkupton gjenerimin e kopjeve nga i njejti person. Për rrjedhojë, do të pasojnë shumë gjëra negative në jetën e njerëzve dhe të shoqërisë, e ne disa i kemi kuptuar, ndërkaq disa tjera do t’i kuptojmë pas një kohe.
Imagjino një klasë me nxënës të klonuar. Profesori si do t’i dallojë? Si do ta dijë se cili është filani, e cili filani tjetër? Si do ta dijë hetuesi cili nga ata ka bërë krim, kur të gjithë kanë një pamje, një lartësi të trupit dhe gjurmë të njejta gishtash?
Po si mund ta dallojë burri gruan e vetë të vërtetë, kur një tjetër është kopje e saj? Po edhe gruaja, si do ta dallojë burrin e saj të vërtetë, kur personat e klonuar prej tij, janë kopje e tij?
E gjithë jeta do të çrregullohet dhe prishet, nëse nuk ndërtohet mbi lloj-llojshmëri dhe ndryshim të ngjyrave, ashtu si i ka krijuar Allahu njerëzit.
Lidhja e personit të klonuar me personin nga i cili është klonuar
Me këtë rast, parashtrohet edhe një pyetje që të bën konfuz për lidhjen e personit të klonuar me personin nga i cili është klonuar:A është ky i njejti person, marrë parasyshë se është një kopje prej tij, apo është prind i tij, apo vëlla binak i tij? Kjo është çështje mjaftë e ndërlikuar.
Nuk ka dyshim se ky person dallon nga i pari. Ky person, edhe përskaj asaj se i mban të gjitha tiparet e tij trupore, intelektuale dhe shpirtërore, nuk është personi tjetër nga i cili është klonuar, sepse ka ardhur pas tij pas një periudhë kohore. Ky person, mund t’i mbartë në vete të gjitha tiparet themelore të tjetrit nga i cili është klonuar, por, megjithatë, te ai ndikon ambienti, edukimi, kultura, gjëra këto që bëjnë një personalitet tjetër në besim, sjellje, njohuri, ngase këto gjëra përfitohen, e nuk mjaftojnë në to vetëm faktorët e trashigimisë.
Pra, ky person i klonuar, dallon nga personi nga i cili është klonuar. Mirëpo, pyetja është:ky person. A është ky djal i personit nga i cili është klonuar, apo është vëllau i tij, apo nuk e ka kurgjë? Vërtetë, lidhja e këtyre dy personave, paraqet problem.
Disa mund të thonë se ky është djal të parit, ngase është pjesë prej tij. Kjo pikëpamje është e pranuar, nëse ky është vënë në mitër të gruas, dhe ajo ka qenë shtatzënë me të dhe e ka lindur, siç ka thënë i Lartmadhërishmi:<<…nënat e tyre janë vetëm ato që i kanë lindur ata…>>.[3] Kjo do të thotë që ky person i klonuar të ketë nënë, por jo edhe baba!
Disa tjerë mund të thonë se personi i klonuar është vëlla binak i personit nga i cili është klonuar si dy bineqë të krijuar prej një qelize vezë. Mirëpo, vëllazëria është rezultat i ekzistimit të babait dhe nënës. Si mund të ketë degë pa patur rrënjë?!
E gjithë kjo na dikton ne që ta refuzojmë në thelb këtë proces, ngase ka shumë pasoja negative, disa prej të cilave janë paraqitur, e shumë tjera do të paraqiten me kalimin e kohës.
Dëme tjera të mundshme
Më pas, duhet të kihet parasyshë se, klonimi, ia ekspozon masën e klonuar, sëmundjeve dhe epidemive të shpejta, bile edhe vdekjes së shpejtë. Nëse një nga ata goditet nga ndonjë sëmundje, me shpejtësi , me këtë sëmudje, sëmuren edhe të klonuarit tjerë. Ndodh që kjo sëmundje të shkaktojë vdekjen e tyre për njëherë. Kjo, ngase ata, edhe pse janë disa vetë, janë si një person.
Poashtu, nga ana tjetër, nuk ka siguri se klonimi nuk do të përdoret për të keq, siç është përdorur atomi dhe gjërat tjera për shkatërrim të njerëzve dhe bimëve. Kush na garanton se disa fuqi të mëdha, apo palë tjera, nuk do të klonojnë ushtri nga njerëz të fortë dhe titan, për t’i nënshtruar tjerët? Po kush na garanton ne se nuk do të vijnë disa fuqi të mëdha, dhe nuk nuk do ta shfrytëzojnë forcën dhe ndikimin e tyre për t’i ndaluar tjerët nga klonimi, ashtu që tjerët do t’i privojnë nga kjo gjë, kurse vetes do t’ia lejojnë, njejtë siç vepruan me armët bërthamore?
Klonimi e mohon ligjin e bashkëshortësisë
Klonimi, sipas në mënyrën të cilën e kemi lexuar dhe e kanë shpjeguar ekspertët kompetentë, e mohon fenomenin e çiftit apo të bashkëshortësisë në këtë botë në të cilën jetojmë.
Allahu i ka krijuar njerëzi të dy gjinive:meshkuj dhe femra. Kështu i ka krijuar edhe kafshët, shpezët, insektet, bile edhe bimët.
Shkenca moderne na ka zbuluar se edhe në botën materiale jointelektuale, kemi të bëjmë me dualitet. Kështu, në rrymë e kemi pozitivin dhe negativin, bile edhe atomi, përbëhet prej elektroneve dhe protoneve.
Kur’ani famëlartë tregon për këtë fenoment duke thënë:<<Dhe Ne u krijuam juve në çifte (8)>>[4]; <<Dhe Ai është që krijoi llojet-mashkullin dhe femrën (45) Nga pika e farës që hidhet (46)>>[5]; <<I pastër nga të metat është Ai që krijoi të gjitha llojet (çiftet) nga çka mban toka, nga vetë ata dhe nga çka ata nuk dinë (36)>>[6]; <<Dhe Ne krijuam prej çdo sendi dy lloje (mashkull e femër) që ju të përkujtoni (madhështinë e Zotit) (49)>>.[7]
Klonimi nënkupton apstrahimin e njërës gjini, dhe mjaftimin vetëm me njërën gjini, sa që një femër amerikane ka thënë:Pas kësaj, ky planet do t’u ngelet vetëm grave.
Kjo është kundër natyrës në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit, dhe ky veprim nuk është në asnjë mënyrë në interes të njeriut.
Njeriu nga natyra e tij ka nevojë për gjininë tjetër, jo vetëm për të lindur trashigimtarë, por që të dy ta kompletojnë njëri-tjetrin. Allahu i Madhërishëm ka thënë:<<Ju jeni njëri nga tjetri…>>.[8] Poashtu, kanë nevojë që ta dëgjojnë njëri-tjetrin. Allahu i Madhërishëm, lidhjen bashkëshortore e ka ilustruar me fjalët:<<…ato janë prehje[9] për ju dhe ju jeni prehje për ato…>>.[10]
Së këtejmi, Allahu i Madhërishëm kur e krijoi Ademin dhe e la të banojë në Xhenet, nuk e ka la të vetmuar, edhe pse ishte në Xhenet, por ia krijoi nga vetja e tij bashkëshorten që të gjejë prehje tek ajo, dhe ajo të gjejë prehje tek ai. Allahu i Madhërishëm i tha:<<O Adem, ti dhe bashkëshortja juaj banoni në xhennet… >>.[11]
Pasi burri dhe gruaja kanë nevojë për njëri-tjetrin, që të gjejnë prehje, dhe të ketë ndërmjet tyre dashuri dhe mëshirë, fëmijët e tyre kanë edhe më tepër nevojë për ta, gjegjësisht për gjirin familjar, për dashurinë e nënës, për kujdesin e babait, për t’i mësuar vlerat prej familjes, vlerat e bamirësisë, mirëkuptimit,këshillimit reciprok, solidaritetit dhe bashkëpunimit në mirësi dhe devotshmëri.
Njerëzit e kanë të ditur se fëmijëria më e gjatë, është fëmijëria e qenies njerëzore, e cila zgjat disa vite. Gjatë kësaj kohe, fëmiju ka nevojë për prindërit dhe për familjen e vet, si në aspektin material, ashtu edhe në atë edukativ. Fëmiju nuk mund të edukohet si duhet, përpos se nga prindërit të cilët e duan, e mëshirojnë, e përkdhelin dhe japin çdo gjë për të, derisa të rritet e zhvillohet, dhe ata janë shumë të lumtur për atë që e japin për fëmijët e tyre.
Klonimi nuk e realizon prehjen e bashkëshortëve te njëri-tjetri, si dhe nuk e mundëson as familjen, për të cilën ka nevojë fëmiju që të jetojë në gjirin e saj e të rritet dhe zhvillohet nën mbikëqyrjen dhe kujdesin e saj. Babai dhe nëna janë barinj të familjes, dhe të dy janë përgjegjës për kopenë e tyre.
Përdorimi i klonimit në shërim
Këtu ngelet për tu trajtuar edhe një çështje për të cilën pyesin njerëzit:A është e lejuar të përdoret klonimi në shërimin e disa sëmundjeve?
Unë nuk e di se çka saktë aludohet me këtë. Nëse është për qëllim me këtë klonim, që të klonohet njeri, apo fëmijë, bile edhe embrion, që prej tij të merren pjesë të shëndosha, e t’i jepen njeriut të sëmurë, kjo nuk lejohet në asnjë mënyrë, ngase në këtë rast, kemi të bëjmë me një krijesë e cila ka fituar jetë njerëzore-pa marrë parasyshë se kjo është arritur përmes klonimit-, për atë edhe nuk lejohet të abuzohet me organet dhe pjesët e trupit të tij. Kjo nuk lejohet edhe kur është kjo krijesë si embrion, ngase ai ka fituar imunitet njerëzor.
Ndërkaq, nëse mund të bëhet klonimi i pjesëve të caktuara të trupit, si:zemra, mushkëritë, veshkët, apo organe tjera, që të shfrytëzohen për shërimin e njerëzve të cilët kanë nevojë për këto organe, ky lloj klonimi është i mirëpritur nga feja, dhe për këtë Allahu i Madhërishëm jep shpërblim, ngase me këtë u ndihmohet njerëzve pa i bërë dëm askujt dhe pa e shkelur dinjitetin dhe imunitetin njerëzor të askujt.
Çdo përdorim i kësaj natyre është legjitim, bile i kërkuar, në kuptim i preferuar, e mund të jetë i kërkuar edhe në mënyrë imperative, në disa raste, në bazë të nevojës për të dhe mundësisë për t’u realizuar.
Dy vërejtje të rëndësishme
Këtu, më duhet të nënvizoj dy vërejtje të rëndësishme për çështjen e klonimit:
1-Klonimi nuk është krijim i jetës, siç mund të paragjykojnë apo të mendojnë disa njerëz, por, klonimi është përdorim i jetës që e ka krijuar Allahu i Madhërishëm. Kjo, ngase qelizë vezë nga e cila është nxjerrur bërthama, është krijesë e Allahut, po edhe qeliza e gjallë e cila është vënë në qelizën vezë, në vend të bërthamës, është krijesë e Allahut të Madhërishëm. Të dyja veprojnë në kornizat e tyre konform ligjeve të Allahut të Madhërishëm, mbi të cilat e ka ndërtuar këtë botë.
2-Klonimi ka patur efekt për fenë në kuptim të afrimit të një nga bazat e besimit fetar, gjegjësisht besimit në ringjallje, ringjalljen e njerëzve pas vdekjes për t’i marrë në llogari dhe për t’i shpërblyer apo për t’i dënuar në ahiret. Kjo, ngase idhujtarët në kohët më të hershme, dhe ithtarët e materializmit si drejtim filozofik, sot e kësaj dite e mohojnë mundësinë e ringjalljes pas vdekjes dhe mundësinë që të rikthehet i njejti njeri në jetë edhe një herë.
Klonimi e ka afruar këtë çështje duke vërtetuar se përmes një vezore dhe qelize, kthehet i njejti njeri në jetë, në një formë të re. Nëse këtë gjë ka arritur ta bëjë njeriu, atëherë a është diçka e këtillë e pamundshme për Allahun?! Me fjalë tjera, a thua nuk mundet Allahu me fuqinë e Tij të pakufishme, që ta kthen njeriun në jetë edhe një herë, përmes asaj që në hadith është quajtur “axhbu edh-dheneb”(ashti bishtnor), i cili nuk zhduket te njeriu, apo me gjëra tjera të cilat ne i dimë dhe nuk i dimë?! Allahu i Madhërishëm ka thënë:<<Dhe Ai është që e shpik jetën dhe pastaj e përsërit atë, e ajo (përsëritja) është edhe më e lehtë për Të (sipas mendimit tuaj)…>>.[12]
Prej arabishtes: Bashkim Aliu
[1] El-Alak: 5.
[2] Fatir: 27-28.
[3] El-Muxhadele: 2.
[4] En-Nebe’ë: 8.
[5] En-Nexhëm: 45-46.
[6] Jasin: 36.
[7] Edh-Dharijat: 49.
[8] Ali Imran: 195.
[9] Në ajet përmendet fjala “libasun lekum” që tekstualisht përkthehet:”janë tesha për ju”. Përkthimi i mësipërm është sipas njërit nga interpretimet e kuptimeve të kësaj shprehje (B.A.)
[10] El-Bekare: 187.
[11] El-Bekare: 35.
[12] Er-Rum: 27.